Një dekret që rrëzon ruspën e "ligjit"

Postuar në 27 Korrik, 2018 21:32

Presidenti i Republikës Ilir Meta ka kthyer sot për rishqyrtim në Kuvend ligjin që hap rrugë për prishjen e Teatrit Kombëtar në Tiranë. Me dekretin e vet Meta ka evidentuar arsyetimin kushtetues për refuzimin duke i thënë “Jo” një projekti që komentohet në mënyrë shumë të pjesshme. Apo qëllimisht të pjesshme. Ai njihet si ligji për Teatrin për efekt trajtimi mediatik, por në të vërtetë Teatri është sebepi i ndërtimit të kullave të subjekteve private.

Kjo “hollësi” që shpëton shpesh përbën në të vërtetë të gjithë arsyen e stresit dhe nervozizmit të mazhorancës dhe sidomos ushtarit të saj në këtë betejë, kryebashkiakut Erion Veliaj. Dhe kjo “hollësi” shpjegon se përse dekreti I Presidentit është lexuar sot jo duke reflektuar, por duke Reaguar dhe personalizuar çështjen në fjalë nga një çështje e kryeqytetit, në një përballje me të fituar dhe të humbur.

Dekreti i një Presidenti është padyshim akt politik, apo që kontekstualizohet polikitikisht, por ai në përmbajtje ka arsyetimin kushtetues që parimisht fton për reflektim. Sidomos në kushtet kur vendi nuk ka një Gjykatë Kushtetuese. Z.  Veliaj sot ka folur menjëherë, ai ka përmendur fjalën sabotim, ka premtuar se ligji do të kalojë në shtator. Pas tij u shfaq edhe kreu i Grupit Parlamentar, Taulant Balla që premtoi për të gjithë shqiptarët se Parlamenti është nën kontrollin e Partisë Socialiste dhe se do të miratojë ligjin që shemb teatrin.

Asnjë fjalë për argumentet, asnjë qëndrim për shqetësimet e përcjella gjerësisht në opinion për shkeljet që sjell me vete ky ligj. Asnjë germë për tjetërsimin e pronës publike për ndërtim kullash. Retorikë e zakonshme dhe propagandë për të ardhmen dhe për ata shqiptarë “që kuptojnë”. Ky autizëm është një gabim politik që passjell pasoja të rënda, politike dhe sociale. Sot Shqipëria është një vend ku shteti përputhet dhe nënkupton vetëm qeverinë. Një vend që nuk ka gjykata dhe ku forca e kartonave që qëndrojnë në duart e njerëzve si z. Balla përcakton çdo gjë. Nga kjo pikëpamje, cialdoqofshin kredencialet dhe arsyet e opozitës dhe Presidentit për të qëndruar kundër ligjit, ato konstituojnë vetiu një kundërpol që tërheq shpresën e shumëkujt se ky pushtet duhet kundërshtuar dhe frenuar për këtë çështje. Pasi pushteti i Tiranës nuk i dëgjon fjalët dhe as i sheh protestat që nuk i kontrollon vetë.

Dekreti është hapi i parë. Ai ka vënë në tryezën e vendimmarrësve të gjitha dilemat kushteuese dhe kështu protesta qytetare e bëri detyrën e vet.

Nëse në shtator do të triumfojë inati dhe frika e z. Veliaj, sedra e sëmurë e Kryeministrit, apo edhe ndonjë fjali Facebook e ministres së Kulturës që sot është fshehur, kjo nuk përbën më problem real. Prishja e Teatrit tashmë ka ndarë opinionin, por ka ndarë edhe institucionet dhe ruspa mbi të është në fakt akti i një konflikti civil, sado që duket aktualisht vetëm virtual, i cili merr jetë mbi premisën e arrogancës së pushtetit dhe të interesit ekonomik  të një grupi që po dëshmon se nuk pyet më për ligje dhe Kushtetutë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.