Ky është teatër, me ose pa aktorë*

Postuar në 25 Korrik, 2018 11:38
Patrizio Ranieri Ciu

Përse një dinar i Kalifatit Omayyadi vlen sot 5 milion euro? Sepse u shtyp në Damask në vitin 723 pas Krishtit dhe kështu hyri në Histori me H të madhe. Gjithçka që ka karakter unik dhe që simbolizon përmbajtje e personazhe që kanë lënë gjurmë, në një mënyrë ose një tjetër, në historinë e një vendi, fiton një vlerë të pamatë, jo vetëm për atë vend, por për të gjithë njerëzimin, i cili ka të drejtën dhe detyrën të njohë origjinën e atij vendi, për të kuptuar mënyrën se si do të jetë ai në të ardhmen.

Tani, të fshish me një goditje të vetme, një ndërtesë që ka parë ato që Teatri Kombëtar i Shqipërisë, ka ditur dhe ka mundur të verë në skenë, është një sakrilegj! Duhet të bëhemi të vetëdijshëm se, sado të na duket paradoks, dërrasat e skenës janë “të gjalla”, njësoj si varret e familjarëve. Dhe këtë e them i frymëzuar nga një faqe e mrekullueshme e Kadaresë me këtë temë. Të nderosh atë që ka kaluar, të kujton nga vjen dhe të sqaron se ku mund të shkosh.
E pra, ky është një teatër, me ose pa aktorë. E kupton sapo hyn brenda. Përfshihesh nga një atmosferë, që asnjë pallat kongresesh në botë nuk mund të të bëjë ta ndjesh. E nëse vendos duart në dërrasat që formojnë skenën, ndjen një energji që të flet për origjinën, për intelektin e shumë shqiptarëve që e kanë jetuar, ndërsa rrezaton një forcë, aty, të gatshme për të ndihmuar djemtë e rinj, të talentuar e intelektualë, që do ta jetojnë. 

Mirë se të vijnë teatrot e rinj, të përfshirë në projekte perfekte, futuriste dhe të avangardës, por është e pakuptueshme si dhe pse, kjo duhet të ndodhë duke zhdukur një ndërtesë që i ka takuar jo vendit, jo banaliteteve të përditshme, por mendimeve të mëdha universale. Është njësoj sikur në Romë të vendosej të shembej Koloseu, për të bërë një stadium ultramodern. Nuk mund të thuash se Teatri Kombëtar nuk është as Koloseu, as Teatri La Skala. As politikanët shqiptarë nuk janë John apo Robert Kennedy. Madje, po të flasim për shqiptarë të famshëm, kushedi çfarë do të thoshte sot Fan Noli?
Eh, duke ia njohur mençurinë dhe gjykimin, nuk e di pse, por e para pyetje që besoj se do t’i bënte, atij që ngul këmbë tek nevoja për këtë shembje absurde, është: përse nuk mund të bashkëjetojnë të dyja? Pastaj, nën zë, do të shtonte...a nuk do të ishte më mirë, që këtë megaprojekt ta bënim më tutje, atje ku është një lloj ndërtese “përkujtimore”? Dhe atij që do t’ia kthente se edhe ajo është histori, me siguri do t’i përgjigjej se kur ajo histori ka rezultuar në fund kaq negative, kjo tjetra, fundja nuk është aq e keqe sa për ta zhdukur.

Burimi: Faqe në Facebook e Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit

*Titulli i ResPublica

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.