Marrëveshje kushtetuese dhe krijim i qeverisë tranzitore*

Postuar në 23 Korrik, 2018 12:31
Romeo Gurakuqi

Kushdo që ka ndjekur me kujdes zhvillimet politike të javës që shkoi dhe ka “lexuar” ligjërimet formalisht të moderuara të disa ministrave, mund të kuptojë se mbi qeverinë e të Kuqve të Rilindur në Tiranë, qëndron një paralajmërim i qartë nga rangjet më të larta të BE-së, se pa një ndryshim thelbësor të kursit politik, asnjë lloj tolerance nuk do të këtë në qershorin  e vitit 2019, për formalizimin e kandidimit të Shqipërisë.

Makijazhi ramist i “reformave” u ka rezultuar disa prej udhëheqësve të vendeve serioze të BE-së, një fasadë e një qeverisjeje të keqe, të deformuar dhe të kompromentuar, me korrupsionin dhe me gangsterizmin shqiptar të përhapur nëpër katër anët e Europës, prej strofullave të errëta të pushtetit socialist.

Deformimi dhe degradimi i parimeve themelore të Reformës në Drejtësi nga direktorati socialist, korrupsioni galopant kapilar në të gjithë sistemin shtetëror dhe kthimi i Shqipërisë në një tokë të lirë të veprimtarisë së krimit të organizuar, kanë krijuar disekuilibra të atillë në funksionimin e shtetit të së drejtës, në barazinë e qytetarëve para ligjit dhe në përgjegjshmërinë në qeverisje, sa për drejtuesit më të lartë të Komisionit Europian është e qartë tashmë, se veç një qasje tjetër politike nga ana e qeverisë, karshi parlamentarizmit, opozitës, shoqërisë civile të së vërtetës dhe lirisë, mund ta korrigjojë ecurinë e procesit.

Çështja e kullave në vend të qendrës historike të Teatrit, mund të themi se ka zhvlerësuar edhe te ndërkombëtaret çdo mundësi për ta shpëtuar më tutje imazhin e Edi “reformatorit”. Personalisht, vizitën 5-orëshe të Komisionerit Hahn, e kam vlerësuar si një mision personal politik në zyrën e Kryeministrit të vendit, për të përcjellë alternativën e vetme që ka Edi Rama: ndërrimin e kursit, moderimin dhe zgjidhje politike. Mirëpo, moderimi ka një spektër të gjerë kuptimor.

Në qoftë se ndërkombëtarët artikulojnë bashkëpunim parlamentar reformativ me opozitën, për Edi Ramën ky është një rast për të vazhduar politikën tradicionale të ruajtjes së domenit të grupit të strukturuar që drejton qeverinë e PS-së (vetëm 5 ose 6 vetë nga ky grupim kuptojnë me saktësi thelbin e problemeve që ka vendi, pjesa tjetër ecën kuturu, pa një projekt të përcaktuar, veç krijimit të kornizave ligjore dhe dokumentare të hajnisë), duke moderuar frazeologjinë europianiste, në emër të patriotizmit, për të përftuar cedime dikund në spektrin politik.

Ndërsa për opozitën demokratike, leximi i frazës është dorëheqje pa kusht e Qeverisë së Edi Ramës dhe zgjidhje politike tranzitive dhe përgatitore të transformimit të Republikës Socialiste, në një republikë të qytetarëve të lirë, ku sundon ligji dhe drejtësia e vërtetë. Kështu, sipas këndvështrimit tim, rrethi i manovrimit për Edi Ramën është mbyllur tashmë në Bruksel dhe Strasburg që më 28 qershor 2018 dhe ai e ka të qartë këtë. Dështimi i tij në orvatjen e pabazuar në rezultate thelbësore për hapjen e negociatave është de facto rënie e qeverisë dhe e politikave të tij shkatërrimtare.

Rënia e tij është çështje kohe, mbasi korniza e reformimit të plotë, të qenësishëm dhe të njëmendtë e sistemit, për të qenë gati për në qershorin e 2019-s, nuk mund të realizohet pa opozitën, konsensusin e së cilës, qeveria e Edi Ramës nuk do ta marrë kurrë dhe për asnjë arsye, mbasi ajo qeveri është e zhytur në kolaboracionizëm me antishtetin. Ndoshta për herë të parë në pesë vite, Edi Rama e ka kuptuar se mund të jetojë ende veç me dy rrugë: me diversion brenda opozitës ose përmes dhunës qeverisëse, duke shkatërruar më tej parlamentarizmin dhe liritë civile.

E dyta e djeg përfundimisht qershorin 2019, e para ia jep një shans. Jo rastësisht, ai, të enjten e kaluar, bëri një thirrje të dëshpëruar në Parlament ndaj deputetëve të LSI. Mirëpo, shpresohet që askush s’do t’ia japë këtë shans një qeverie aq shumë antikombëtare dhe aq të babëzitur në korrupsion, trafik, krim dhe diskrimimin politik dhe krahinor. Opozita, deri më tani, ka qenë solide në bllokimin e aktivitetit demagogjik të qeverisë.

Opozita nuk mund të votojë më asnjë ligj të Reformës në Drejtësi, përderisa qeveria është shmangur krejtësisht nga parimet e 22 korrikut 2018 dhe nuk merr asnjë nismë legjislative për rikthimin e funksioneve të Gjykatës Kushtetuese, përmes plotësimit të vendeve në mënyrë edhe të përkohshme. Askush nuk mund ta besojë më propagandën qeveritare për Reformën në Drejtësi, kur kjo qeveri e ka vendosur gjithë pushtetin e tretë në kaos. Ekziston pritshmëria që rrethi i manovrës së Edi Ramës do të ngushtohet në ditët e ardhshme nga vetoja pezulluese e Presidentit të Republikës, mbi ligjin korruptiv për kompaninë “Fusha”.

Ndërhyrja me tagret mbetëse të institucionit të Presidentit në çështjen në fjalë do të ishte një ndihmesë jo vetëm në mbrojtje të trashëgimisë kulturore, por edhe një shtysë izoluese për Edi Ramen dhe qeverinë e tij të deligjitimuar nga demaskimi i gjithanshëm i blerjes së pushtetit me kriminelë. Gjithë vëmendja e opinionit publik është drejtuar në zyrën kryesore të shtetit, si garanti i vetëm i mbetur i mbrojtjes së Kushtetutës në kaosin dhe dhunën që ka përfshirë vendin. Është një provë e rezistencës, që do t’i jepte publikut kohën e mjaftueshme për të ndërmarrë hapat finalë të ndaljes dhe rrëzimit të diktatorit të fundit në Ballkan.

Mospërdorimi i këtij tagri do konsiderohej një qëndrim ortakërie vijuese, që e kemi menduar të mbyllur prej qershorit të vitit 2017. Është ora e provës për të gjithë forcat e mirëfillta opozitare, para një populli të varfër që nuk duhet më të lihet në mëshirën e rrugëve të botës dhe varfërisë se brendshme: Nuk bëhet fjalë më për largimin e ministrit të Brendshëm, që nuk vendosi kurrë rend, drejtësi dhe kreu veprime penguese ndaj drejtësisë, as të ministrit të Jashtëm që orkestroi grabitjen masive të votave në Shkodër dhe mban në izolim të plotë informacionin mbi negociatat me Greqinë, as të ministrit kryenaltë të Infrastrukturës, që nuk gjen më vend të sillet në “parajsën” ku është rrethuar papritmas dhe pa kujtuar prej bujarisë së shokut të tij Kryeministër.

Bëhet fjalë për largimin e menjëhershëm të qeverisë së oligarkisë, që shkatërroi parlamentarizmin, shtetin e së drejtës, liritë qytetare, që bëri ortakëri me krimin. Dorëheqja dhe largimi nga skena politike e Edi Ramës dhe kupolës që ndoti me krim dhe sektarizëm Partinë Socialiste të Shqipërisë, është një kusht themelor i angazhimit të forcave demokratike dhe intelektuale në ndërtimin e strukturës tranzitore ekzekutive, që do merret me hapjen e kapitullit të ri të një “Screening of the acquis” ose një shqyrtimi analitik të nivelit të përafrimit të kuadrit institucional të Shqipërisë me BE.

Ky kapitull nuk mund të improvizohet më me asnjë kompromis rrenacak me opozitën nga ana e kësaj qeverie, por mbi bazën e sendërtimit të një tërësie parimesh themelore të reformimit të shtetit, që do ta përgatisnin legjislacionin, kuadrin institucional, strukturën e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme dhe sundimin e ligjit me standardet e kërkuara. Qeveria e kupolës së korruptuar komuniste brenda PS-së duhet të largohet dhe vendi duhet t’i hapet një qeverie tranzitive të njerëzve të paanshëm dhe me integritet profesional dhe publik, që i bie të jetë kështu qeveria e fundit e Republikës së Katërt dhe në rrugë të përkohshme, e para qeveri e Republikës së Pestë.

Kësaj qeverie do t’i duhet t’i jepen mundësitë për të proceduar me rishikimin e Kushtetutës së vitit 1998 dhe të akteve të korrikut 2016, në konformitet me rekomandimet e Komisionit të Venecias, pa prekur thelbin e Reformës në Drejtësi, por duke mbyllur boshllëqet e krijuara në Gjykatën Kushtetuese, në Gjykatën e Lartë dhe në Prokurorinë e Përgjithshme. Askush nuk ka më kohë për të përkëdhelur komunistët e rinj të Tiranës, që kanë rënë në gjunjë para parasë dhe mbahen në pushtet në sajë të korrupsionit të tyre në kurriz të një populli të varfër.

Koha e tyre ka përfunduar me turp, zhytur në hajni, vrasje enigmatike, pastrim parash dhe ngjizje të urrejtjes ndaj pjesës së popullit josocialist.. Që të shkohet deri këtu, është nevojshme që Parlamenti të arrijë një kompromis për t’i dhënë qeverisë së përkohshme tranzitive:

1. Pushtete të plota për së paku 9 muaj;

2. Është nevojshme gjetja e një zgjidhjeje për boshllëkun e paramenduar të krijuar në Gjykatën Kushtetuese nga grushti antikushtetues i shtetit, përmes plotësimit të përkohshëm të vendeve të liruara nga vetingu; Është e nevojshme që kjo zgjidhje të kryhet pa penguar procesin e vetingut të institucioneve të tjera të drejtësisë së re dhe duke e vendosur vetingun në suazën e njerzillëkut dhe të ruajtjes së privacy (ngjajmë më shume me një shoqëri paditësish sesa avokatmbrojtësish).

Shfaqjet propagandistike të realizuara deri më tash kanë kthyer skena të gjyqeve politike të baballarëve të PPSH-së. Kjo masë emergjente do ta vendoste në kushte të barabarta të vlerësimit të së drejtës, sjelljen institucionale dhe vendimmarrjen politike të krahëve të spektrit parlamentar dhe do të shmangte konfliktin politik të paparimtë dhe të pambarimtë.

3. Një ligj kushtetues, të aprovuar sipas procedurës së parashikuar nga Kushtetuta aktuale, që i jep qeverisë tranzitive një delegim për të proceduar me rishikimin e Kushtetutës; në ligjin kushtetues është e nevojshme të saktësohen edhe disa kritere, nga të cilat do të duhej të frymëzohej veprimi i qeverisë për të kryer reformimin e aktit themeltar, le të themi, garantimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, modeli i sistemit qeverisës: do të rikthehen pushtetet presidenciale të vitit 1998 apo do të ecet drejt një modeli më të spikatur tagresh të kreut të shtetit; ndarja e pushteteve; përgjegjshmëria e qeverisë përballë Parlamentit; ruajtja e strukturës së parashikuar nga ndryshimet e korrikut 2016 në administrimin e pushtetit gjyqësor etj.

4. Themelimi i një Komiteti Këshillimor Kushtetues, të përbërë nga ekspertë të së Drejtës Kushtetuese, të zgjedhur mbi bazën e kualitetit shkencor, komitet që do merret me plotësimin e studiuar të impakteve;

5. Qeveria duhet të marrë me ligj tagre për përgatitjen e projektit të reformës elektorale;

6. Duhet të marrë tagre për hartimin e projektit të një ligji të posaçëm për riformatimin e strukturës së ndarjes administrative, duke kthyer balancën e krahinore të atdheut legal në territor.

7. Një ligj i veçantë duhet të hartohet mbi Ministrinë e Brendshme dhe vendosjen e drejtimit të Policisë së Shtetit nën një dirigjim të konsoliduar profesional dhe të depolitizuar.

Dikush mund të thotë se kjo skemë është një ëndërr e parealizueshme në një Shqipëri politike aq të kriminalizuar dhe me një PS të mbërthyer nga tartufëria. Kjo është e vërtetë, por zgjidhje tjetër paqësore për krizën e thellë institucionale, politike dhe ekonomike nuk ka, veç reformimit të sistemit që polli dhe solli vendosjen e kmerëve të rinj të Bllokut të Kuq të Tiranës në pushtet dhe mbartjen e korrupsionit dhe krimit në të tilla përmasa.

Panorama

*Titulli i ResPublica

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.