Një vizitë me axhendë kryesore plehërat e linjës Shqipëri-Kroaci

Postuar në 19 Korrik, 2018 23:13

Vizita e parë e presidentes kroate Kolinda Grabar Kitaroviç në Tiranë, është ndoshta edhe vizita e parë e një kryetari shteti që si mesazh kryesor ka mjedisin. Ose më saktë mbetjet që Shqipëria eksporton ilegalisht drejt vendit fqinj.

Kroacia është donatori kryesor i një projekti për pastrimin e detit dhe duam ta ndihmojmë Shqipërinë që ta kalojë këtë problem për të ruajtur mjedisin

tha Presidentja kroate gjatë konferencës për shtyp me homologun shqiptar Ilir Meta.

Çështja kryesore e prezencës së saj në Tiranë ishte pra koordinimi me palën shqiptare i projekteve për pastrimin e detit, që i nxjerr mbeturina deri në Kroaci. Kjo vjen falë ciklit hidrodinamik të ujërave të Adriatikut, ndërkohë që konstaton dështimin e qeverisë shqiptare në pastrimin e territorit. Dhe pastrimi nga një shkallë e tillë ndotjeje është në fakt betejë edhe për kontrollin e territorit, që duket se nuk është arritur megjithë trumbetimin e reformës administrative territoriale. Shqipëria prodhon ligje në shkallë industriale ndoshta, por zbatimin e tyre e ka poshtë nivelit të artizanatit apo esnafëve.

Në Shqipëri pastrojnë thuajse të gjithë të huajt që jetojnë këtu përkohësisht, përfshirë dipomatë dhe aktivistë, pastron edhe ushtria, ndonjëherë me doreza ngjyrë portokalli pastrojnë edhe ministrat me disa të rinj, por mbetjet janë aty përherë. Sa i përket bregdetit në Ultësirën Perëndimore kjo ka të bëjë edhe me faktin se aty derdhen disa lumenj që sjellin me vete gjithë mbetjet e qyteteve të veriut dhe Lindjes meqenëse strategjia e përpunimit të mbetjeve në Shqipëri konsiston në parimin: hidhi jashtë shtëpisë dhe mandej jashtë qytetit në lumë.

Është një situatë paradoksale meqenëse qytetet e veriut po zbrazen nga njerëzit dhe bëhet edhe më shumë e tillë kur mendon se përpunimi I mbetjeve po trumbetohet me promovimin e inceneratorëve pas të cilëve qëndron ideja e importit. Një zinxhir punësh dhe investimesh pa shumë lidhje e që nuk zgjidh një problem shumë serioz për të cilin tashmë na duhet të flasim edhe në nivel presidence. Do të ishte interesante të silleshin shkrime të gazetave kroate për perlat e bregdetit shqiptar që duhet zbuluar dhe me siguri me zbulim nënkuptohet edhe aventura e paharrueshme e desantimit në llurbën e plehrave që përmbyt deltat dhe grykëderdhjet e lumenjve shqiptarë për të lundruar mandej në Dalmaci.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.