Na trego edhe projektin e kullave që po ndërton në tokë publike!

Postuar në 14 Korrik, 2018 21:49

Teatri Kombëtar do të prishet. Njësoj si çdo veprim tjetër I këtij pushteti, edhe ky me gjasë do të bëhet natën si për të justifikuar hilenë e madhe që shoqëron një politikë të uzurpimit të hapësirave në emër të zhvillimit. Kryebashkiaku i Tiranës po teston humorin dhe durimin duke postuar periodikisht statuse në facebook me gjuhën dhe drejtimin e zakonshëm të tij që sheh hapa përpara aty ku nevojitet debat.

Një ditë e re për Tiranën, një Teatër i ri për Kryeqytetin europian.

Pas këtij statusi në Facebook vjen edhe një video e projektit të Bjarke Ingels të cilin z. Veliaj me kryeministrin Edi Rama e nxorën nga xhepi i tyre për të mirën tonë. Ka qenë një debat i ndërlikuar ky për Teatrin, shumë të ashtuquajtur artistë janë tredhur rrugës për arsye që nuk dihen publikisht, artistë që kanë mbyllur sytë, e që nuk pyesin:

Z. Veliaj na trego edhe projektin e kullave sepse po i ndërton në pronën tonë, në pronën publike që po e vjedh me ligj!

Është detyra e një titullari që e do transparencën. Sigurisht do të ketë njerëz gati, nga ata që janë gjithmonë gati që të mbushin atë auditoriumin e teatrit të ri, njësoj siç paraqitet në video. Studentë ekselence, artistë të qeshur, drejtori i teatrit, qytetarë me qytetari, socialist që e duan teatrin për inat të Berishës e të tjerë. Do të jetë padyshim një teatër ku shfaqjen e parë do ta japë aktori vanitoz i Tiranës, kryeministri me çirakun e tij që në rolin e palaços së oborrit, di të jetë më cinik se ustai të cilit i shkon nga mbas. Do të jetë përurimi i një godine që e ndan qytetin, apo më mirë qytetarinë e vogël të këtij qyteti, pasi po të jetë për të tjerët, kullat me siguri që i kënaqin një pjesë të madhe.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.