Miti politik i Lidhjes

Postuar në 12 Korrik, 2018 16:49
Enis Sulstarova

Përkujtimi i përvjetorëve të Lidhjes së Prizrenit, më 10 Qershor, zë një vend qendror në veprimtaritë e Lëvizjes Vetëvendosje! Kremtimi i kësaj dite shënohet me fjalime, referate shkencore, ekspozita, koncerte, shpalosjen e flamurit kombëtar, vizita në muzeun e Lidhjes etj. Pika kulmore e veprimtarive të ditës është kur aktivistë të rinj ndezin nga një pishtar – një pishtar për çdo vit që ka kaluar që nga 1878-ta – dhe marshojnë nga kalaja deri në kompleksin muzeal të Lidhjes. Për herë të parë Lëvizja e ka përkujtuar 10 Qershorin në vitin 2008, pak muaj pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Parulla e shfaqur me këtë rast, “Lidhja është gjallë”, ishte një sfidë ndaj projektit të shtetit shumetnik. Sivjet, jubileu i 140-vjetorit të Lidhjes u shënua edhe me projektimin e një pllakate të posaçme, që kishte në qendër parullën “Lidhja është gjallë”, në vende publike të disa qyteteve në Kosovë, Shqipëri e IRJM.

Lidhja e Prizrenit e viteve 1978-1881 është një periudhë themelore për historinë moderne të shqiptarëve dhe për identitetin kombëtar shqiptar. Ajo rëndom interpretohet si vetë-shpallje e ekzistencës së kombit shqiptar dhe e vullnetit për ta krijuar shtetin kombëtar. Për shqiptarët që mendojnë se procesi i shtet-formimit shqiptar nuk ka mbaruar ende dhe se Republika e Shqipërisë dhe Republika e Kosovës janë etapa historike të tij, Lidhja e ruan aktualitetin, është e gjallë edhe sot. Kështu,Abdi Baleta shprehet se “programi i shqiptarëve është me dy fjalë. Kemi programin e Lidhjes së Prizrenit” (B. Kabashi & A. Baleta, Vetëm nacionalizmi e shpëton kombin shqiptar, Tiranë, 2005, f. 39). Brenda kësaj fryme, për nga mënyra se si Lëvizja Vetëvendosje! e ka integruar historinë e Lidhjes së Prizrenit në ligjërimin dhe veprimtarinë politike të saj, mund të themi se kemi të bëjmë me një mit politik.

Ndër teorizimet e mitit politik, kohët e fundit përmendet shpesh vepra e Kjara Botiçit [Chiara Bottici], e cila ka përditësuar konceptimin e filozofit Hans Blumenberg për “mitin si një punim” të vazhdueshëm intelektual e praktik. Për Blumenbergun, miti nuk është një rrëfenjë e vetme e dhënë njëherë e përgjithmonë, por përbën një proces të riinterpretimit dhe të aktualizimit të rrëfenjës themelore, duke marrë parasysh rrethanat e reja. Puna me mitin rrjedh nga nevoja e njerëzore për domethënie (Bedeutsamkeit), e cila ndryshon me kohën. Njerëzit krijojnë domethënie për t’ia kundërvënë indiferencës së botës. Për dallim nga kafshët, njerëzit nuk përshtaten me mjedisin, por ata mund ta ndryshojnë mjedisin brenda të cilit jetojnë. Në këtë proces ata e lidhin botën me botëkuptimet e tyre, duke e futur botën në rrëfenjat e tyre. Mitet bëjnë fjalë për zanafilla dhe për përvijime, prandaj ato shërbejnë për të lidhur njerëzit me mjedisin ku jetojnë e me brezat njerëzorë të shkuar, si edhe për të orientuar përballimin me problemet që ata i kanë në të tashmen. Shoqëri ose kategori shoqërore e rimarrin një mit të caktuar në periudha të ndryshme për t’iu përgjigjur nevojës për përkatësi. Duke ndjekur Blumenbergun, Botiçi e përkufizon mitin politik si ripunim të një rrëfenje të përbashkët, e cila ofron domethënie për kushtet politike dhe përvojat e një grupi shoqëror. Mitet politike janë mekanizma, përmes të cilave ne e shohim botën, e ndjejmë atë dhe veprojmë si kolektiv brenda saj. Puna me mitin politik përqendrohet te rikrijimi i një rrëfenje themelore, përmes së cilës anëtarët e një bashkësie ose organizate ndjehen pjesëtarë të një historie, fryme dhe qëllimi dhe në këtë mënyrë orientohen në botë. Miti politik ripunohet në mënyra të ndryshme, përmes fjalimeve e shkrimeve, pjesëve artistike, ritualeve e praktikave shoqërore.

Lëvizja Vetëvendosje! nuk e shpiku mitin e Lidhjes së Prizrenit. Lidhja e Prizrenit kishte zënë tashmë vend qendror në rrëfenjën kombëtare shqiptare, në të cilën ajo paraprihet nga Lidhja e Lezhës dhe pasohet nga shpallja e pavarësisë në Vlorë. Lëvizja vendosi që të niste ritualin e saj të përkujtimit të 10 Qershorit në një vit dramatik për Kosovën, më 2008. Ishte viti i krijimit të Republikës së Kosovës, që shumëkush e pa si përfundim të përpjekjeve të shqiptarëve të këtij shteti dhe si një mbyllje të çështjes shqiptare. Ndërkohë, Lëvizja Vetëvendosje! e kishte kundërshtuar fuqishëm Planin Ahtisari, mbi të cilin u bazua shpallja e pavarësisë. Arsyeja ishte se ky plan e shmangte vetëvendosjen e shqiptarëve, përpjekjen paqësore e luftarake të tyre për republikën dhe krijonte një shtet shumëkulturor, që de fakto do të ishte jofunksional dhe peng në duart e Beogradit. Pavarësia do të ishte më pak se pavarësi dhe republika do të ishte një formë e zbrazur nga përmbajtja. Një vit më parë, më 10 Shkurt 2007, demonstratës masive kundër Planit Ahtisari, UNMIK-u i ishte përgjigjur me vrasje, plagosje, burgime e bastisje, me qëllimin për ta eliminuar Lëvizjen për vetëvendosje të shqiptarëve. Me shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe me miratimin e kushtetutës, që juridikisht buron dhe kufizohet nga Plani Ahtisari, Lëvizjes Vetëvendosje! i duhej të ritheksonte konceptin e saj qendror politik: atë të vijimit të qëndresës për vetëvendosje në emër të kombit shqiptar, që përfshinte edhe të drejtën e referendumit për bashkim me Shqipërinë. Ritheksimi ishte ripunimi prej saj i mitit politik të Lidhjes së Prizrenit, në jubileun e 130-vjetorit të ngjarjes historike. Pishtarët e ndezur përfaqësonin thellësinë historike përkundër cekëtinës sui generis të republikës. Shpalosja e flamurit kombëtar në kala dhe nëpër qytet ishte sfida e kujtesës historike ndaj asnjanësisë identitare të flamurit të Kosovës. Parulla “Lidhja është gjallë” përfaqësonte vijimësinë e misionit të Lëvizjes “… deri në vetëvendosje”. Risjellja në vëmendje e Lidhjes së Prizrenit ishte edhe kujtesë se i armiku ndodhej në kufi dhe brenda Kosovës me të njëjtin qëllim që kishte edhe në vitin 1878; pushtimin e territoreve shqiptare. Ishte edhe kujtesë për rolin historik që i takon Republikës së Shqipërisë dhe që ajo druhet ta marrë përsipër.

Një vit më vonë, 10 qershori u përkujtua nga Lëvizja Vetëvendosje! dhe Rrjeti i Organizatave Shqiptare (RROSH), në të cilin merrnin pjesë organizata të shoqërisë civile nga Kosova, Shqipëria, IRJM-ja, Mali i Zi, Lugina e Preshevës, si edhe organizata “Çamëria”. “Lidhja është gjallë” u shoqërua nga parulla “Jemi një!” e ideuar dhe e popullarizuar përmes veprimtarive të RROSH-it. 10 qershori i vitit 2010 u shënua nga demonstrata e Lëvizjes kundër vendimit të Gjykatës Kushtetuese për ndryshimin e stemës së Komunës së Prizrenit, në të cilën paraqitet shtëpia e Lidhjes. Deklarata e Lëvizjes më 10 qershor 2011 titullohet: “Lidhja është kush jemi, Lidhja është ku shkojmë”. Citojmë një pjesë nga ajo: “Lidhja shqiptare e Prizrenit e ka vulosur horizontin e asaj kush jemi si edhe kornizën e synimit tonë politik. Lidhja e Prizrenit është projekt politik, organizim ushtarak, lëvizje kombëtare, program emancipator dhe ideal shtetkrijues… Lidhja e Prizrenit është pikëmbështetja politike e së ardhmes shqiptare… Aty mund të gjejmë programin e parë serioz politik të kombit shqiptar për krijimin e shtetit të tij që i përfshin të gjithë bashkëkombësit. Aty është edhe mësimi për pamjaftueshmërinë e perandorive tutore, si edhe domosdoshmërinë e vetëvendosjes si e vetmja zgjidhje e qëndrueshme politike për popujt”. Kështu, ripunimi që Lëvizja i bën mitit politik të Lidhjes së Prizrenit shpreh në mënyrë të thukët përkatësinë e Lëvizjes, frymëzimin që i vjen nga historia, vizionin mbi botën dhe misionin e saj.

Vit pas viti, Lëvizja e ka lidhur Lidhjen e Prizrenit me aktualitetin e shqiptarëve në Kosovë dhe më gjerë. Më 10 qershor 2016, kryetari i atëhershëm i Lëvizjes, Visar Ymeri, deklaronte se projekti i Lidhjes së Prizrenit mbetet frymëzim i politikës shqiptare dhe se çdo politikë që nuk dialogon me Lidhjen i përket një projekti tjetër, jo atij shqiptar. Kur ai thoshte se “prej këtij themeli projekti ynë është shënuar nga nevoja për t’u vetëmbrojtur e për t’u paraqitur në mënyrë dinjitoze përballë vendimeve ndërkombëtare që nuk i marrin parasysh pozitat tona ekzistenciale dhe politike”, shumëkujt i ka vajtur mendja në çështjet aktuale të Kosovës si demarkacioni kufitar me Malin e Zi, Zajednica ose Gjykata Speciale, të gjitha vendime të dëmshme që i janë imponuar e po i imponohen Kosovës nga faktorë ndërkombëtarë, që marrin në sy interesat gjeostrategjike dhe jo domosdoshmërisht interesat jetike të shtetit të Kosovës dhe të shqiptarëve në përgjithësi. Ndaj imponimit të huaj dhe idesë se shqiptarët janë një popull i vogël e i pafuqishëm, Lëvizja ka reaguar, duke kujtuar shembullin e Lidhjes së Prizrenit. Në tribunën e mbajtur më 10 qershor 2012 Glauk Konjufca theksonte mësimin e Lidhjes se shpëtimi nuk vjen nga jashtë: nëse i var shpresat krejtësisht te fuqitë e tjera, veten e konsideron objekt dhe nuk të mbetet tjetër veç t’iu përshtatesh interesave të fuqive të jashtme, ndërsa “nëse bëhesh Subjekt, e modelon vetveten, prandaj të tjerët i rikonceptojnë dhe riformulojnë politikat karshi teje”. Ndërkaq në tribunën e organizuar në 10 qershorin e këtij viti Albin Kurti thotë se duhet të pranojmë ne vetë atë që tashmë e kanë pranuar edhe të tjerët: faktin se shqiptarët janë faktor në Ballkan.

Burimi: http://shenja.tv/miti-politik-i-lidhjes/

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.