Maqedonia dhe Greqia, një marrëveshje që sprovon stabilitetin

Postuar në 12 Korrik, 2018 12:25

Situata e krijuar me marrëveshjen e emrit për Maqedoninë e kthen këtë të fundit në një pikë kritike tensioni në Ballkan, që do të testohet në muajt në vijim. Lajmi se Rusia do të kërkojë bllokimin e marrëveshjes në OKB, konkretisht në Këshillin e Sigurimit, provon se Kremlini po refuzon të dalë jashtë loje në një zonë ku duket se nuk po prek dot suksesin prej kohësh.

Ngjarjet e fundit në Maqedoni dhe ardhja në pushtet e Zoran Zaev, përshpejtoi afrimin e vendit në NATO, e cila dje ftoi Shkupin zyrtar që të anëtarësohet. Kremlini, të paktën sipas raportimeve perëndimore, tentoi të bllokonte përmes destabilizimit edhe Malin e Zi, por nuk ja doli. Veprimet subversive për të cilat u akuzua Rusia, thjesht përshpejtuan procedurën e anëtarësimit të vendit në Aleancë me shtytjen e posaçme të SHBA-së.

Aktualisht me marrëveshjen e emrit, e cila ëstë e dakordësuar nga të dyja vendet, hapet një front i ri edhe për faktin se tensionet politike të provokuara prej saj në të dyja vendet nuk janë të vogla. Sot ministri grek u Mbrojtjes, Panos Kammenos ka deklaruar se “marrëveshje për emrin nuk të zbatohet kurrë”. Ai është aleat në koalicionin qeverisës me Alexis Tsipras që ka vënë një bast të madh me marrëveshjet që po tenton me Maqedoninë, por edhe me Shqipërinë. Qëndrimi i Kammenos buron thjesht nga profili elektoral i partisë së tij, ndërkohë që kundër marrëveshjes është edhe opozita e djathtë e Kyriakos Mitsotakis.

Në një opinion të vetin të sotshëm në gazetën konservatore “Kathimerini”, gazetari Alexi Papachelas, shkruan se Tsipras ka përpara dy opsione që rrjedhin nga firma e tij në marrëveshjen e Prepës:

Ai mund ta ratifikojë atë me ndihmën e deputetëve të POTAMI-t dhe disa të tjerëve të pavarur, ose të deklarojë se marrëveshja pa mbështetjen e Kammenos nuk mund të miratohet. Në të dyja rastet, sipas Papachelas, Tsipras do të jetë i detyruar të thërrasë zgjedhje të parakohshme më 26 maj që eventualisht do ta kalonin detyrimin për rinegociimin e marrëveshjes te një qeveri tjetër, por me një qëndrim shumë më të disfavorshëm nga komuniteti ndërkombëtar. Me probleme të ngjashme përballet edhe Zaev, i cili sot ka ftuar qytetarët që të festojnë ftesën për anëtarësim në NATO. Marrëveshja e tij e Prespës, pason marrëveshjen elektorale me partitë shqiptare dhe veprimin e guximshëm për ligjin e gjuhëve që ka hapur vija ndarëse në një vend në të cilin kampi opozitar vetëidentifikohet me teza nacionaliste.

Situata e krijuar, ku marrëveshjet që firmosen denoncohen nga opozita, përsëritet po ashtu në Shqipëri, ku ende pa u publikuar ndonjë dokument, përfaqësues të PD-së në bashkëpunim me Presidentin e Republikës po i fryjnë idesë së qeveria i ka falur detin Greqisë. Opozita greke e Mitsotakis po luan lojën e vet duke dekalruar se dëshiron të shohë tekstin e marrëveshjes, përherë me nënkuptimin se diçka i është falur Shqipërisë në raport me vitin 2009. Autizmi i qëllimshëm politik që verifikohet në këtë rast e bën të brishtë situatën e cila lejon hapësira për veprime nga fuqi si Rusia e cila është akuzuar se të paktën në Maqedoni vepron me mjete dhe synime subversioniste. Së fundmi, ajo është përfshirë në tensione edhe me Greqinë, qeveria e së cilës dëboi dy diplomat, një akt që pasqyron deri diku tensionin e madh që ka të bëjë me rreshtimin e Greqisë në aksin kryesor të politikës amerikane në rajon bashkë me Qipron dhe Izraelin. Kjo ishte diçka që nuk pritej nga një qeveri e ekstremit të majtë si ajo e Tsipras, e cila po manovron për mbijetesën duke rifuqizuar lidhjet me Perëndimin. Janë të gjitha gjasat që në Greqi dhe në Maqedoni të priten tensione politike në një të ardhme të afërt, meqenëse aty po negociohet një ekuilibër i ri nën mbikëqyrjen dhe shtysat e Perëndimit dhe pa nevojën e formateve të zakonshme ku Rusia është pjesë. Një tjetër aktor që ka interesa në rajon është edhe Turqia, e cila ka ndikim të madh sidomos në Maqedoninë e paqëndrueshme dhe e cila ka për momentin politikë agresive në raport me Greqinë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.