Intervistë me Fallsor Kallajnxhiun: Ja pse i falsifikoj firmat e të tjerëve

Postuar në 12 Korrik, 2018 15:21
Intervistoi: Shaptilografisti

Nisur nga akuzat e shumta që janë bërë së fundmi për fallsifikim firmash, kryebashkiaku i Tiranës Fallsor Kallajanxhiu, i kërkoi redaksisë sonë që të japë një intervistë përmes të cilës të sqarohet situate dhe të davariten dilemat mbi konceptimin e falsifikimit që kaq shumë është stigmatizuar si akt.

Z. Kallajnxhiu…

Të lutem, do preferoja më mirë Lali Eri. Ngjan shumë e vjetër ajo tjetra.

Dakord, Lali. Meqë jemi këtu si i thonë në gjininë femërore Lali sepse mund të ketë shumë adhuruese tuajat që duan të adoptojnë këtë apelativ?

E kam menduar shpesh por më shumë ma mbush mendjen forma Lalote.

Ah, po. Lalote. E drejtë. Lali thuhet se ju keni në shtëpi apo në zyrë një koleksion me firmat e shumë njerëzve publikë. Është e vërtetë kjo?

Nuk do thosha tamam një koleksion por i shoh përherë që t’i dalloj. Për mua firma është një shenjë e personalitetit, lakimet kaligrafike, nuancat e gërmave, këndi i lëvizjes. Për mua firma tregon njeriun.

Interesante. Po nuk mendoni si ky pasion prej psikologu ka ushqyer legjendën se ju falsifikoni?

Në Shqipëri edhe po të flesh gjumë thuren legjenda.

Po bëni autokritikë, sepse Ju çfarë nuk thatë për z. Basha, një gjumëmadh i njohur?

Ah jo. Sepse z. Basha e ka gjumin të fajshëm. E kisha fjalën edhe për ata që flenë se u flihet.

Firmën e z. Basha e keni në koleksion?

Edhe njëherë nuk është koleksion, por studim. Po e kam parë shpesh.

Çfarë dalloni?

Firmë optimisti, njësoj si unë.

Nuk e kam vënë re, si është firma e një optimisti, si firma juaj?

Unë përdor disa firma, pikërisht sepse nuk dua të më lexojnë se çfarë njeriu jam. Vetja është gjëja më e shtrenjtë që nuk duhet dëshmuar faqe botës. Sigurisht unë bëj më të mirën për komunitetin por kjo nuk ka pse të kërkojë që unë të shfaqem ai që jam.

Z. Fallsor, thuhet se ju jeni falsifikator i stërvitur. Kujtojmë disa raste, si p.sh atë inspektorin e bashkisë dhe tani këta aktorët. Çfarë ju shtyn të bëni këto veprime?

Vetëm një gjë: dashuria për këtë qytet dhe të ardhmen e tij. Për Tiranën tonë të dashur.

Ça d.m.th kjo se nuk e kuptoj?

Me atë firmë unë kam marrë përgjegjësinë që këta zotërinj nuk duan ta marrin sepse nuk e kuptojnë të ardhmen. Unë kam korrigjuar një gabim që nuk mund të ndodhë për shkak se disa njerëz janë aksidentalë në statusin e tyre.

Po a është ky falsifikim?

Aspak. Kjo është detyrimi ynë ndaj historisë dhe qytetarëve. Ne kemi për detyrë të shmangim pengesat e vockla që vijnë nga një inerci e pambarimtë që ushqehet nga ligësia e mediave.

Lali ka ndonjë Lalote në këtë angazhim tuajin?

Ende jo. Unë jam i lumtur që kam kuptuar më të mirën për qytetin tim.

Cila firmë është Juaja, ajo që mbani realisht përgjegjësi dhe do ju afronte më shumë me veten?

Firma që vija kur isha shitës fiqsh, në listën e ushqimeve. Kam qenë shumë I varfër. Ajo firmë primitive, e thjeshtë, është në fakt Lali i vogël duke u rritur.

Po firmën e Ramës e keni hedhur ndonjëherë?

Nuk ka patur nevojë, por ma besoni firma e Ramës është ajo e një artisti dhe do pak punë sa t’ia marr dorën. Në çdo rast unë firmën e Edit do ta hedh po më dha leje vetë Edi, këtë e kuptoni besoj.

Lali ju falenderojmë për intervistën. Nëse keni ndonjë gjë për të shtuar…

Falemnderit edhe Ju. Jo asgjë. Unë besoj se qytetarët e vërtetë të Tiranës e kanë kuptuar se falsifikimi është një dobi për qytetin e tyre dhe se marrëzitë e mediave janë diçka e tejkaluar në një kohë kur ne kemi ende shumë për të bërë(krruan dorën).

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.