Presidenti refuzon dhënien e autorizimit për marrëveshjen e detit

Postuar në 09 Korrik, 2018 22:15

Vizion Plus raporton sot mbi përplasjet mes Ministrisë së Jashtme dhe Presidencës mbi marrëveshjen e detit që po negociohet me Greqinë.

Sipas këtij televizioni ka disa probleme jo të vogla që janë evidentuar gjatë procesit të negociimit, duke nisur që nga kërkesat e vazhdueshme të Presidenti për informacion dhe nënvizimin prej tij të vijave të kuqe, për të ecur më tej me refuzimin e një projektmarrëveshjeje të datës 23 qershor, “hartuar duke u bazuar në vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2010, Konventën për të drejtën e detit dhe praktikat më të mira ndërkombëtare.

Për të hartuar këtë projekt-marrëveshje grupi i negociatorëve ka vizituar në terren dhe gjithë vijën bregdetare që nga gjiri i Ftelias e deri te Kepi i Qefalit

raporton ky televizion.

Po kështu ka probleme brenda grupit negociator, që kanë kulmuar me një letër të njërit prej anëtarëve të tij drejtuar Presidentit të Republikës përmes së cilës ankohet për mënyrën si po punon grupi shqiptar.

Pjesa më e madhe e dokumenteve të hartuara nga grupi negociator janë firmosur nga 12 prej 13 anëtarëve

vijon raportimi. Sipas VP projektmarrëveshja është dorëzuar nga pala shqiptare me vetëm 12 firma dhe ajo pret një kundërpërgjigje nga pala greke. Ndërkohë që vënia në dukje e këtyre problemeve në fakt e bën thuajse të pavlerë çdo përpjekje, sa kohë që duket se Presidenti refuzon të japë autorizimin për Ministrinë e Jashtme për nënshkrimin e marrëveshjes. Një ndër nenet kushtetuese sanksionon se marrëveshjet ndërkombëtare duhet të vlerësohen nga Gjykata Kushtetuese(neni 131, pika b i Kushtetutës) dhe në këtë kuadër plotfuqia e kërkuar nga Presidenti thjesht është një hap simbolik që nuk zgjidh problemin e vërtetë të miratimit përfundimtar të marrëveshjes.

Z. Meta po bllokon kështu një marrëveshje të mundshme me Greqinë në emër të garancive kushtetuese që mungojnë, duke neutralizuar me gjasë një sukses diplomatik të z. Rama. Është interesante të shikohet ky pozicionim i z. Meta, aktualisht president i Republikës, një politikan që dy vjet më parë zhbëri “ofensivën” e z. Rama me çështjen çame duke shkuar në Greqi dhe premtuar qetësim. Po kështu, gjatë kohës kur Ministria e Jashtme kërkonte autorizimin nga Presidenti për nisjen e negociatave, mediat pranë qeverisë shkruanin përherë se z. Meta ka marrë Kryqin e Artë nga Greqia, duke nënkuptuar shumëçka me një hollësi djegëse. Sot presidenti nuk bën qeder se po prish marrëveshjen e shumëpritur nga e majta greke, duke dëshmuar ndërkohë edhe se ai është burimi për prrallisjet në Facebook dhe në media të z. Berisha për këtë çështje. Sot Vizion Plus ka tregëtuar një lajm që na thotë se një anëtar i Grupit Negociator shkruan letra dhe ka refuzuar të firmosë. Diçka që ndodh në Shqipëri ku asgjë, ose pakgjë bëhet siç e kërkon logjika më elementare.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.