Mbahu Admir se nuk ke bërë gjë!

Postuar në 10 Korrik, 2018 18:19
Skerdilajd Zaimi

Sot anëtari i Gjykatës së Lartë Admir Thanza ka qenë në qendër të vëmendjes me deklarimin e tij për një vjedhje në Itali që sipas tij  ka bërë për të mbuluar një akt për të cilin akuzohej i nipi, por që në fakt sipas tij e kishte kryer ish-kunata. 

Të shohësh sesi merr jetë në lajmin e kronikës emri i Admir Thanzës, përkundrejt ftohtësisë protokollare që përcjell emri i tij në vendimet e Gjykatës së Lartë, përbën një rast të rrallë. Gjyqtarët shqiptarë, prokurorët me ta, e ndonjë kategori tjetër, siç janë drejtorët e agjencive shtetërore apo ndonjë Fondi që përkujdeset për zhvillimin e Shqipërisë, ngjajnë prej kohësh si specie që jetojnë për së jashtmi këtij realiteti të vrazhdë, si vëzhgues dhe arbitra të tij, pa hallet dhe ngatërresat tona të përditshme. Të duket se pas luksit dhe identitetit të patheks që kanë përftuar ndër vite, nuk ndodh asgjë njerëzore që na prek të gjithëve: nuk njohin hallin e faturave, të gjobave, të përplasjes me policinë rrugore, me harbutërinë e nëpunësve të administratës. Madje, në lartësinë e të vërtetave që ofron ofiqi i dhënies së drejtësisë, ke mundësi të buzëqeshësh me timonierët dhe tepsixhinjtë, për shkak se e kupton ndryshe përrallën. E kupton më mirë se “çfarë ka dashur të thotë autori”.

Dalja e sotme e Thanzës na e përgënjeshtron këtë perceptim. Këtë pushtet të rremë të një normaliteti “mbi palët” e mbi qytetarin. Ajo gërvish akullin e një pasurie dhe një kaste që në të vërtetë ka shumë probleme, që është aty ku është duke mbuluar të kaluarën e vet që e mban në periferi me akte dhe vendime që ndryshojnë jetë njerëzish.

Njerëz si z. Thanza nuk merren me fjalë. Ata vërtet që shkruajnë dhe firmosin, lexojnë dhe interpretojnë, por jo në emër të Fjalës dhe për hir të saj. Ata prodhojnë Ngjarje, përcaktojnë rrjedha, krijojnë modele. Zotëria në fjalë na sjell parasysh një histori jete të vetën që shërben si metaforë ironizuese për një gjyqësor që dominohet nga njerëz të “njësiteve guerrile”, sa për të ngacmuar me terma të vjetër komoditetin e legalitetit të parasë. Me të shkuar që retushohet nga forca e një pushteti që quhet i jakave të bardha e që ushtrohet me dorashkat e ligjit.

Sigurisht që z. Thanza, nëse do të ketë të drejtë do ta fitojë në kuptimin ngushtësisht juridik, çështjen e vet. Ai mundet që përmes aftësive të veta dhe të avokatit, të bëjë për vete edhe KPK-në. Por a do ta besojë bota? Ja një pyetje që nuk ngjan aq retorike dhe statistikore? Sepse gjyqësori, drejtësia ka të bëjë edhe me besimin e përgjithshëm.

Një vjedhje, një mbulim, një akt fisnikërie për të mos lejuar që drejtësia penale të bëjë padrejtësi mbi një të mitur dhe ja ku e kemi gjyqtarin në dorën tonë ta gjykojmë. Ose kemi iluzionin se po gjykojmë. Mendimi ynë aty bën drejtësinë që do, morali ynë që e negocion ekzistencën me një kastë si këta gjyqtarët, ka mundësinë të interpretojë, mund të vlerësojë e nëse rezonon si i tillë mundet edhe të linçojë. Memet në internet, statuset në rrjetet sociale, shkrimet në portale, video-montazhet, janë mjete të një regjimi të ri: atij që afirmon mllefin e përgjithshëm si kontekstin e vetëm të rehabilitimit. Ky është patjetër Pushteti i Pestë, ai që na dhuron për një çast platenë ku mund të shajmë sa të duam. Por vetëm kaq. Një pushtet që prodhon argalisjen me viktima të rëndësishme, por që nuk ka asgjë në dorë për të gjykuar realisht një Gjykatës. Ai qëndron tjetërkund. 

Ne jetojmë në një vend ku zotëria u detyrua të bëjë një mea culpa, apo të rrëfejë në një sallë të hapur, ndërkohë që shefi i tij në Gjykatën e Lartë, Xhezair Zaganjori, deklaronte muaj më parë se ka patur ndërhyrje nga politikanë edhe për ndryshimin e vendimeve penale. Kur i vë në peshore të dyja çështjet, Thanza ngjan si oshënar, një viktimë e tranzicionit shqiptar që rishpiku një formë të vetën të barazisë: atë të të bërit pis të gjithë pse ndarja e parasë nuk ka krijuar ende edhe dallimin klasor në kuptimin klasik.

Është njerëzore që ta mirëkuptosh gjyqtarin në fjalë, vetëm se është e padrejtë të sillesh kështu me veten kur kujtohesh se përballë ke një gjyqtar të Gjykatës së Lartë prej nga ku burojnë mynxyra të panumërta të një drejtësie që pranohet se “ndryshon vendimet”. Të një drejtësie të Pazarit, që është një ndër shkaqet që detyron shumë njerëz t’i thonë lamtumirë këtij vendi. Nuk bie kjo barrë vetëm mbi z. Thanza, por ai e ilustron atë më së miri. Ky episod grotesk përshfaq edhe falsitetin dhe të pavërtetën e vettingut në formën si ushtrohet sot: kontrollohet pasuria dhe hulumtohen gabime të “rinisë”, që mandej penalizojnë gjyqtarë apo prokurorë vendimet e të cilëve kanë prodhuar pasoja që nuk cenohen. Një “pastrim” i tillë personeli vendos modelin e keq të pandëshkueshmërisë për atë që bën në detyrë duke u ndalur te ngjarje që mund të jenë edhe aksidentale. Çfarë drejtësie është kjo? Si mund të pretendohet se po rregullohet diçka përmes këtij modeli që merret me njolla në biografi, pa këqyrur llojin e drejtësisë që është prodhuar në këto dy dekada?

Tema si këto ngrenë gracka morale të rrejshme. Ato gjuajnë për viktima-heronj të një propagande që po na gënjen rëndshëm dhe po na thotë: ky është një fillim i ri. Në fakt shumë shpejt do ta kuptojmë se ky fillim është vetëm garancia e mbulimit të parave të një ekipi që përndryshe do të kishte shumë probleme, e që mesa duket nuk është gati të paguajë për avokat mbrojtës.Thonë se z. Thanza paska derdhur lot sot në rrëfimin e vet para KPK-së. Mbahu Thanzë se kjo nuk është gjë! Për të mirë e ke bërë dhe këtë e dimë shumica jonë, se nga ajo rrugë na detyruan të shkojmë. Kush nga ne nuk vodhi ndihmat me ushqime dhe rroba që vinin në 1992? Kjo ca kohë u bë si një lloj sporti.  Kush nga ne nuk mori një pasaportë me emër tjetër për t’u zhdukur një orë e më parë nga ky vend? Kush nga ne nuk shkeli ligjin për kufirin duke kaluar ilegal drejt një jete më të mirë? Kush nuk ka ngrënë e ka pirë me njerëz të lagjes që befas merr vesh se janë të Mafies? Apo edhe që janë gjendur padashje në praninë e tyre? Ka plot të tilla dhe nuk mbarojnë. Nuk e di nëse ti në vendimet e tua i ke bërë këto pyetje që kanë të bëjnë me rrethanat e çeshtjes. Ndoshta po sepse edhe ta kërkon ligji, ndoshta jo. Por nga ky krahu Këtej bëhen orë e çast se ndryshe nuk të del hesapi. 

Ndaj thellë - thellë të gjithë e ndjejnë se ti dhe Xhezua nuk kishit pse të ishit ndryshe në një vend ku ka kisha dhe xhami që legalizohen në 2018-ën. Jo, këto nuk janë faje mor zotëri. Fajet e tua janë(llojit profesional) të tjera, por ti për ato je i qetë. Se ka drejtësi dhe për këtë drejtësi po jemi dakord të gjithë. Është "drejtësia" e amnistimit dhe e biografisë, ajo që mëkon tranzicionin me luftë për karrige. Atë karrige ku zotrote mesa duket ndenje ulur ca si gjatë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.