Kryendarësiaku dhe brumbujt e Teatrit*

Postuar në 29 Qershor, 2018 16:35
Sesilia Plasari

Sa poshtë kanë rënë elitat! Kështu u shpreh Kryendarësiaku, në mosdëgjesën e fundit, duke akuzuar artistët se merrnin urdhra nga opozitarët e djathtë,një gënjeshtër e radhës. Paskan nevojë ata t’u thotë Partia Demokratike “shiko, po tallin menderen këta hienat me ju dhe me popullin”, nuk e kuptuakan dot vetë!?

Duke u munduar t’i përlyejë kësisoj, po përdor shprehjen që kryendarësi e ka shumë për zemër ai u fyen inteligjencën shqiptarëve që janë të vëmendshëm, por manipulon opinionin e atyre që nuk e kanë mendjen te problematika e teatrit. Ai do të donte që artistët të marrin ultimatume vetëm nga bajraktarja e majtë! (E majtë i thënçin, në Shqipëri e majta mund të gjendet kollaj gjetiu, si dhe prapanica mund të gjendet kollaj në kokë).

Kryendarësi Veliaj, na akuzoi, pra, elitat! Absurde! Sepse ato o janë, o s’janë, po qe se janë elita, nuk bien poshtë, ato që bien poshtë dhe zvarriten nuk janë elitë, shumë-shumë pseudoelitë. Një pabukës mund të jetë elitë, madje ripjellësit pikërisht këtë po përpiqen të bëjnë, në mënyrë të vendosur dhe metodike: ta shndërrojnë elitën e vërtetë në pabukëse. Ta gjunjëzojnë më çdo kusht, ta dekurajojnë, ta çarmatosin, ta përzënë.

Shikoni nivelin kulturor, profesional, por edhe integritetin moral të drejtuesve të institucioneve që ata na ofruan, të paktën këta të artit, që ne i njohim mirë. Të gjithëve u vjen turp që i kanë mbi krye, madje dhe ndotë, por i pranojnë si një fatalitet me të cilin duhet të “kullandrisen”. Disa përpiqen, madje dhe t’i duan: është më pak poshtëruese, është më e lehtë për ndërgjegjen.

Dhe kur je i detyruar të ndjekësh brumbullin, siç thotë populli… dihet se ku përfundon. (Nuk kanë faj brumbujt, ata rendin drejt ekskrementeve natyrshëm, kanë faj ata që i zgjedhin dhe, sigurisht, qëllimisht!) Enveri e kishte më të thjeshtë, elitën e vriste, me ligj e pa ligj, e fuste në kampe, e fuste në dhe. Ripjellësit të vrasin me Maligj, të heqin nga dheu, të detyrojnë të marrësh dhenë; të çshqiptarizojnë! Mundimi zgjat një çikë më shumë për atë që e pëson. Qenka e djathta që na shtyka të sulmojmë vrasësit e godinës së Teatrit Kombëtar? Jo, or jo! ndonëse nuk është turp të jesh as i djathtë, as i majtë, turp është të jesh i pandershëm – njerëzit që ngujohen aty kanë hallin e teatrit, asnjë hall tjetër!

Është urgjente të veprohet! Të mos reagosh, qoftë dhe ndaj një personi në rrezik, është krim! Dënohet me ligj nëpër botë! Teatri Kombëtar është ku e ku më tepër së një person! Ethja me të cilën i janë ndërsyer për ta shembur me çdo kusht, tregon se deri në ç’masë përgjegjësit e kësaj gjëme janë “të zhgërryer, të zhyer, të vyer për hu! Turp e ndot kundërmonjës!” (Dhe atyre, sigurisht, ju “kërrusën mbi gju dallkaukët, kopukët dhe turmat pa tru…”).

A e sheh si po përdridhen, se si po rreken të të bëjnë të gëlltisësh me çdo kusht gjellën e tyre vrastare, “arkitektuesit” e këtij krimi? Janë tërbuar ndaj këtij gjembi që u është ngulur në thundër nga protesta, ndaj kësaj rezistence që i ka shtrënguar si derrat në lak, e po ju frenon “yryshin” për të realizuar planin: vjedhjen e radhës, rrjepjen e çka mbetur për të rrjepur e rruajtjen ç’ka mbetur për të rruar?

Teatro të rinj kombëtarë mund të ndërtojmë sa të duam e ku të duam, por këtë këtu, nuk e gjejmë dot më. Kurrë! Si të mos biem më poshtë se derri ? Rama, Veliaj, Kumbaro, MJAFT me këtë lojë të keqe, të shpifur, të neveritshme që po bëni! Mos i lyeni duart me gjakun e Teatrit! Gjithkush që e njeh teatrin e skenës dhe të jetës e ka kollaj të gjykojë së sa e pambështetur është loja juaj, ajo prej aktorësh mizerabël, maksimumi i të cilëve është kallp, pa asnjë impakt tjetër me rolin përveç atij të zhudrave që do përvetësojnë.

Harram! Harram! Ju zëntë haku i Teatrit, shpirti i aktorëve të vërtetë! Ju zëntë mallkimi i Bujar Asqeriut dhe i të tjerëve si ai! Në bodrum nëpër llom’ e kufom’ u mallkofshi; Në skëterrën katran e tiran u harbofshi!

Marrë me shkurtime nga Panorama

Titulli është redaksional

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.