Yshtja qeveritare për aeroportin e Vlorës

Postuar në 23 Qershor, 2018 16:42

Z. Rama duket se do të arrijë me çdo kusht objektivin e punësimit në fund të mandatit të tij të dytë. Nëse rritja ekonomike nuk ndihmon në këtë rast, është shpikja e llogarive matematikore personale ajo që zgjidh situatën. Mandatin e kaluar ai, në cilësinë e kryeministrit të Shqipërisë, duhet të përmbushte objektivin e 300 mijë punësimeve me një rritje ekonomike që statistikisht nisi të kishte shifra domethënëse vetëm vitin e fundit të qeverisjes.

Si u minimizua dështimi?

E thjeshtë fare. Duke përfshirë në skemën e punësimit ndikimin statistikor nga formalizimi i pjesshëm i ekonomisë. Z. Rama deklaronte se 83 mijë persona të zyrtarizuar në Zyrat e Punës janë punësime të reja, sepse sipas tij, ky është standardi ndërkombëtar. Mandej pajisja me NIPT e fermerëve e rriti edhe më shumë këtë shifër, ndonëse jemi të gjithë të qartë se ku flasim për objektiva punësimi, nënkuptojmë VENDE TË REJA PUNE. Legalizimi nuk është hapje një vendi pune, por integrimi i tij në sistemin fiskal.

Në mandatin e dytë, z. Rama shkon edhe më tej. Ai e ka shpallur punësimin prioritet. Kjo është diçka e mirë në vetvete, por sigurisht që sfidat janë jo të vogla. Z. Rama e nisi fushatën e tij me goditjen e Zyrave të Punës, duke kërkuar 25 mijë punësime të reja deri në fund të vitit 2018. Në krye të tre muajve, pas alarmit që u ngrit, kryeministri u dha shqiptarëve haberin e mirë se ishin punësuar 10 mijë njerëz. Kjo është një shifër jo e vogël por sesi dhe çfarë përfaqëson ky punësim kjo është çështje tjetër. Në sistemin e Zyrave të Punës, punësim quhet edhe zëvendësimi i një personi  me një tjetër, deklarimet e interesit të biznesit dhe raportimi i ndërmjetësimeve, ndërkohë që vende të reja pune, reale, janë ato që maten konkretisht me fuqinë blerëse në treg. A mos vallë rënia e euros është në fakt forcim i lekut për shkak të mosqarkullimit dhe uljes së interesit për kredi dhe depizitim? Kjo kërkon përgjigje nga ekspertët që deri më tani nuk kanë thënë gjë, por një gjë duket qartë: sensacioni i statistikave të fryra nuk jep asnjë rezultat.

Por pak vlerë ka kjo në ndryshimin e taktikës së kryeministrit. Sot nga Vlora, ai ka deklaruar se aeroporti do të hapë 27 mijë vende të reja pune, me një llogari që sipas tij gjenerohen për shkak të një vepre të tillë. Madje sipas z. Rama, 1000 persona do të punësohet direkt për shkak të nevojave që ka ndërtimi i veprës.

Ku bazohen këto të dhëna? Kryeministri nuk e ka sqaruar, por ato duhen verifikuar. Nga një lexim të dhënash për aeroportin e Rinasit, rezulton se entuziazmi i Ramës është më së paku i nxituar. Rinasi ka lëvizur shumë pak nga viti 2005 kur u dha me konçesion deri në vitin 2016. Në vitin e parë, aeroporti përpunonte 785 mijë pasagjerë dhe kishte të punësuar në total 760 persona.

Në vitin 2016, numri i pasagjerëve shkoi në 2 195 100, kurse të punësuarit në total, përfshirë të gjitha kompanitë që operojnë aty, shkoi në 1020.

Nëse shohim raportin në 11 vjet kemi një rritje me 2.7 herë të numrit të pasagjerëve dhe vetëm një rritje prej 1.34 herë të të punësuarve.

Zona rreth aeroportit, nuk ka ndonjë zhvillim serioz shërbimesh apo biznesi, ndërkohë që për ndikimin në ekonomi nuk ka ndonjë statistikë. Pranohet parimisht se aeroportet ndikojnë shumë në ekonomi, por Shqipëria nuk është rasti për shkak edhe të çmimeve më të shtrenjta në rajon.

Për të kuptuar raportin mes një aeroporti dhe ndikimit në punësim mund të lexohen raporte ndërkombëtare. Në një prej tyre, përgatitur në vitin 2014 dhe titulluar: Ndikimi ekonomik i aerportëve tregëtarë në vitin 2013, i cili trajton situatën në Amerikën e Veriut, konstatohet se: për 50 015 358 pasagjerë që kanë qarkulluar në aeroportet e këtij rajoni, kanë shërbyer 1.2 milionë punonjës të punësuar direkt nga kompanitë ajrore, ndërkohë që shpenzimet e vizitorëve kanë gjeneruar 4 milionë vende të reja pune pa përfshirë 50 mijë vende të krijuara për ndërtimin. Shifrat marrin më shumë kuptim ku shikon se shpenzimi vjetor i vizitorëve shkoi në 228 miliardë dollarë në një vit, kurse për projektet e ndërtimit u shpenzuan 12 miliardë dollarë.

Nëse bëjmë disa llogari vlerësohet se një visitor ka shpenzuar mesatarisht 4600 dollarë në një vit prej nga mbahen në këmbë 4 milionë vende të reja pune. Duke patur parasysh se niveli i shpenzimit për një vizitor në rrjetin amerikan të aeroporteve është më i lartë sesa ai i vizitorit në Shqipëri, duhet konsideruar se raporti 1.2 milionë me 4 milionë është shumë i mirë. Nëse këtë raport e interpolojmë në realitetin tonë, do të kishim për 1000 vende punë në Vlorë, 3 300 vende të reja pune. Këtu nuk po llogarisim faktin se në Amerikë, 50 milionë vizitorëve u shërbejnë 1.2 milionë punonjës, pra thuajse 1 punonjës për 50 vizitorë, ndërkohë që në Rinas, për 2 milionë vizitorë kemi 1000 punonjës, pra 1 punonjës për 2000 vizitorë.

Pse vallë nuk është shtuar numri i punonjësve për këtë vëllim vizitash? Kjo ka të bëjë edhe me standardin, llojin e vizitorëve etj, por nuk ka asnjë të dhënë që një aeroport të 27 fishojë vendet e punës, si një e dhënë e matshme. Ose kjo është një premtim sensacional, ose z. Rama di diçka që ne nuk e dimë dhe me gjasë jemi duke dëshmuar një mrekulli që nuk e kuptojmë. Ose diçka tjetër, që do merret vesh më vonë është duke u mbrojtur te këto shifra. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.