Mundësitë e një zgjidhjeje për Teatrin përballë nismës kriminale të qeverisë

Postuar në 20 Qershor, 2018 11:40
Arben Demo

Dy aspekte të debatit

Do desha ta ndaj çështjen e teatrit në dy aspekte: duhet ruajtur apo duhet bërë teatër i ri. Sigurisht që ky teatër ekzistues nuk është i mjaftueshëm për një teatër dhe qendër kulturore reale për një kryeqytet. Pra ku ka salla dytësore ku zhvillohen edhe aktivitete të tjera. Atëherë në këtë rast bëhet pyetja: këtë teatër duhet ta ruajmë dhe të bëjmë një tjetër diku gjetkë, apo do prishim këtë teatër dhe do bëjmë një të ri aty ku ndodhet i vjetri.

Së pari duhet bërë është vlerësimi i ekspertëve për teatrin ekzistues. Por ata të jenë ekspertë të pavarur, jo ata që paguhen nga qeveria, e as militantë të thekur, por ata që janë real. Nga njëra anë ata që bëjnë vlerësimin arkitekturor e konstruktiv të godinave dhe urbanistikës dhe nga ana tjetër ata që dinë të projektojnë objekte të këtij lloji dhe dinë të përforcojnë objektet. Pas një studimi në vend ata duhet t’i përgjigjen pyetjes: A duhet të ruhet kjo godinë ??  si memorie e qytetit dhe  e artit.

           Më tej nëse teatrin e sotëm e quajmë monument, ai duhet restauruar. Pra, në se e quajmë monument të kategorisë së parë për vlerat e tij, duhet të ruhet me skrupolozitet si brendësia ashtu dhe ana e jashtme. Nëse e quajmë monument të kategorisë së dytë ruhet e respektohet ana e jashtme dhe brenda mund të përforcohen strukturat duke  përmirësuar eventualisht funksionimin. Kjo duhet përcaktuar me të qetë, jo nga Kryetari i Bashkisë, që ka gjetur dhe partnerin e përhershëm, por nga specialistët dhe pa ndikime. Specialistët e fushës së monumenteve më kanë thënë se  në kohë të diktaturës jepeshin urdhra për të prishur monumente, por asnjëherë se si duhen mirëmbajtur e restauruar ato.    Zgjidhja tjetër është që kjo ndërtesë nuk ja vlen të mbahet.

Vlerat dhe historia e teatrit ekzistues

Ky është projektuar nga të huajt me një koncept të qartë për funksionin dhe zonën. Vetë fakti që është prapa ministrive, pra nuk është në plan të parë tregon se nuk është menduar si një strukturë e përhershme. Vetë ndërtimi me materiale jo jetë gjatë, tregon se nuk është menduar si godinë afatgjatë. Mundet që italianët kishin idenë që të bënin diçka më të madhe. Pra nuk është kjo ku mëkatohet kaq shumë.

Ajo që i bën njerëzit të kundërshtojnë është fakti se ky është një pretekst që dikujt t’i jepet mundësia të fitojë 200-300 milionë euro në kurriz të pasurisë së shtetit shqiptar. Kjo përbën krim ekonomik, shpërdorim të detyrës nga qeveritarët që do vendosin. Ata që administrojnë pronën publike, shtetërore, e kanë për detyrë që ta shfrytëzojnë në maksimum në dobi të qytetarëve, por jo të justifikohen me propozimin e një subjekti privat, dhe të themi edhe ne:

O Tiranë ç’e pate këtë fat!

Sepse  të kujton atë këngën: O Berat ç’e pate fat..........

Shteti ka mjete financiare, derisa ka para që të mbushë të gjithë qytetet-fshatra të Shqipërisë me lulishte, pllaka dhe palma, patjetër ka edhe për teatër.

Pra që ta mbyll këtë çështje: vetëm sipas rrugës së mësipërme, ligjore mund të veprohet, madje edhe nëse vendosim që Teatrin Kombëtar ta ndërtojmë në vend tjetër, për më shumë spektatorë, multifunksional etj..

Si duhet vepruar?

Fillimisht duhet të përcaktohet, mbas një gjykimi politik dhe jo nga interesat e ortakëve për fitime stratosferike, e ardhmja e godinës ekzistuese dhe a duhet zëvendësuar me një të re.

Në rastin e parë duhet bërë një projekt përforcimi dhe sado që të kushtojë shteti ka para të bëjë. Nëse do të quhet monument kulture ta hartojnë studimin e vlerave dhe projektin ata. Sa të kushtojë shteti ta përballojë.

Nëse vendoset që ajo ndërtesë të prishet le të ndërtohet një Teatër i ri si ndërtesë multifunksionale për Tiranën si metropol, pa kufizime të vlerës dhe pa  dëshira fasadistësh.

Ana e tjetër  e problemit është si do ndërtohet ky teatër i ri ? Pra duhet një studim i zonës aty, nëse do të bëhet aty. Por pavarësisht se ku ndërtohet godina, ka disa rregulla shteti shqiptar, që nuk shkelen në asnjë rast nëse janë të ndershëm qeveritarët. 

E para njëherë, bëhet konkurs. Në rastin konkret, projekti duhet të  përzgjidhet me konkurs ndërkombëtar, e jo siç po mendojnë partnerët që thonë se iks arkitekt është i zoti etj.. Gjithashtu nuk janë drejtorët e Ministrisë së Arsimit dhe të Kulturës, apo drejtori i Teatrit, e kushdo tjetër financiarisht i interesuar në këtë mesele, ata që drejtojnë konkursin e miratojnë mikun e tyre fitues. Në mbarë botën strukturat për këto punë janë jashtë administratës. Duhet bërë pra konkursi ndërkombëtar, pasi ke studiuar me ekspertë godinën në fjalë dhe pas tij shpallet tenderi ndërkombëtar për ndërtimin me çelësa në dorë të projektit të miratuar. Këto janë rregulla dhe çdo shkelje e tyre si shpërdorim detyre është për në hapsane, siç quhej dikur burgu.

Nuk mund të besohet ajo që na thonë se shteti harxhon vetëm 2 milionë në vit për kulturën se kjo do ishte për të marrë vrapin nga ky vend, ndaj duhen 15 vjet të bëhet një teatër i ri, kur nuk ka një projekt të teatrit. Unë e di se do thonë se Sali Berisha bëri rrugën e Kombit pa projekt etj etj. Kjo nuk është arsye pse njëri bën shkelje, që të vijohet me këtë metodë. Mjaft me formën akuzatore ndaj opozitës: Ju keni bërë shkelje vetë më parë, Ju mund të keni interes në ndonjë copë truall në këtë zonë ku po flasim e të tjera të këtij lloji.

A ka alternativa të tjera?

Mendoj se Teatrin mund ta ndërtojë vetë shteti. Le të bëjmë një pyetje të thjeshtë: kush është ajo bankë që nuk i jep shtetit para, kur të paraqesë projektin e pesë-gjashtë kullave për zyra, banesa  dhe mjedise të tjera në atë vend? Nëse ndiqet një rrugë e tillë, dalin para edhe për Bibliotekën Kombëtare, etj.. D.m.th. shteti zgjedh një nga dy rrugët : truallin e jep me 50-60 përqind disa firmave (çdo njërës vetëm një kullë), ose e financon vetë të gjithën me tender dhe shet që ditën e parë çka nuk mendon të mbaj për vete. Unë jam për këtë të fundit.

Aspekti juridik i nismës

Për mendimin tim, por kjo është evidente edhe për dikë me një kulturë minimale administrative, janë shkelur të gjitha procedurat dhe ligjet për ndërtimet, përdorimin e pronës publike. Sigurisht ato shkelen sepse dikush do të vjedhë.

Nga ana juridike, projektligji është kriminal. Një ligj cili shkel të gjitha procedurat shtetërore, favorizon një subjekt privat që të dalë me 200-300 milionë euro fitim, është kriminal. Ligje të tilla nuk i japin të drejtë askujt që t’i hartojë e miratojë. Hartuesit, miratuesit e zbatuesit e tij. duhet të konsiderohen si grup i strukturuar kriminal.

Ndryshe do të themi se Enver Hoxha me shokë nuk duhet dënuar sepse kanë zbatuar ligjin, që e shkruanin vetë si këta sot.

Mënyra për të ndalur këtë marrëzi është t’i drejtohen Prokurorit të Përgjithshëm që të hapet dosje dhe procedim për shpërdorim detyre. Shifra është e tillë që nuk është një peshk i madh...por një tufë peshqish e oktapodësh, kapja e të cilëve do kënaqë dhe zotin Lu.

Por ka edhe një aspekt politik që s’ka pse të mos konsiderohet duke parë rëndimin e situatës: nëse pozita do ta bëjë kështu siç po tregon deri më tani, opozita duhet të dorëzojë mandatet, sepse nuk besoj të jetë në tavë dhe ajo.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.