Çështja e kampit të refugjatëve duhet të trajtohet në rrugë parlamentare

Postuar në 20 Qershor, 2018 18:19

Qeveria shqiptare e Edi Ramës e ka humbur edhe njëhere besueshmërinë e vet kësaj radhe në diskutimin publik për ngritjen ose jo të një kampi refugjatësh në Shqipëri. Mediat e huaja përgënjeshtrojnë thuajse çdo ditë zyrtarët e qeverisë me lajme ku vendi ynë përmendet përherë e më shumë në kontekstin e një koshi shpëtimi për politikën e brendshme austriake dhe nevojat politike të një poli të djathtë që ka marrë frenat në disa vende.

Nga kjo pikëpamje, përpjekjet e qeverisë për të blerë hapjen e negociatave me premtime për kampe, janë të papranueshme. Është e vërtetë që Shqipëria ka detyrime për të pranuar një numër proporcional refugjatësh, por ideja e një kampi jashtë BE-së, reflekton një zgjidhje neokoloniale të vendeve të ndryshme të BE-së që ia kanë dalë të izolojnë edhe kancelaren Angela Merkel që nuk ka pranuar të bëjë kompromis në këtë pikë.

E keqja e diskutimit publik qëndron edhe te fakti se opozita shqiptare, sikurse institucioni i presidentit nuk po duket se kanë ndërmend të ushtrojnë ndonjë të drejtë apo kompetencë politiko-institucionale për të trajtuar në rrugë zyrtare këtë çështje. Statuset në Facebook të ish-kryeministrit Berisha janë një propagandë që nuk mund të konsiderohet për asnjë çast veçse si politikë e pusisë dhe ndërsimit. Tashmë çështja duhet trajtuar me seancë dëgjimore me debat në Parlament, për t’i dhënë fund një zhurme që nuk i shërben askujt.  

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.