Qeveria nuk ka para për Teatrin? Le të vilet taksë e përkohshme përmes faturës së ujit

Postuar në 19 Qershor, 2018 12:38
Skerdilajd Zaimi

Teatri Kombëtar kushton shumë dhe qeveria nuk ka para për të ndërtuar një të ri. Ky është argumenti kryesor që përfaqësues të shumicës aktuale – kryesisht kryeministri Rama dhe kryebashkiaku i Tiranës, Erjon Veliaj – kanë dhënë për të përligjur formën e ndërtimit përmes ofrimit falas të mijëra metrave katrorë truall publik një kompanie private për të përfituar një teatër të ri. Për ta shtuar dozën e “arsyes” së kësaj qasjeje, është hedhur në qarkullim shifra 30 milionë euro. 

Mund të merret me mend që ky arsyetim nuk qëndron në këmbë dhe se ai është gjethja e fikut për të mbuluar interesin e vërtetë të ndërtimit të kullave. Të cilat qeveria po do t’i autorizojë pa e shitur truallin e vet, që kushton miliona euro me vlerë tregu, por duke e falur. 

Për t’i dhënë përgjigje kësaj gënjeshtre publike – pasi e tillë është- na vjen në ndihmë vetë mënyra sesi kjo shumicë operon për të mbledhur fonde për të vërë investime publike. 

Së pari është Rilindja Urbane. Miliona euro të hedhura nëpër Shqipëri, të cilat u akorduan pa kërkuar ndonjë aprovim, pa ndonjë studim paraprak dhe pa brengën se vendi nuk ka mundësi. Vetëm palmat e rrugës Durrës -Tiranë kanë kushtuar miliona euro. 

Së dyti është forma inovatore e z. Veliaj që shton taksat, vendos taksa të përkohëshme për të mbledhur para për të ndëruar vepra të ndryshme. Rasti më ilustrues për temën e Teatrit Kombëtar është taksa e përkohëshme për infrastrukturën arsimore që u vendos në vitin 2016 nga Bashkia e Tiranës. Sipas të dhënave vetëm në vitin e parë u mblodhën nga kjo taksë në kryeqyet, u mblodhën 360 milionë lekë. Duke bërë një llogari të thjeshtë për shtatë vjet, që është afati i aplikimit të saj, del se Bashkia do të arkëtojë 2 520 000 000 lekë, që me një kurs të rrumbullakosur shkojnë në 25 milionë dollarë. Siç e dimë kjo taksë vilet përmes faturës së ujit për çdo muaj dhe paguhet nga qytetarët e regjistruar në Tiranë. Në vlerë absolute ajo nuk peshon thuajse fare në buxhetin familjar, edhe pse debati mbi të u bë për kushtetueshmërinë e saj. 

Nisur nga këto dy shembuj, por edhe nga qëndresa kundër prishjes së teatrit, mund të shtrohet seriozisht mundësia që për ndërtimin e një godine të re, në vendin dhe formatin aktual, të vilen para nga qytetarët. Qoftë edhe në formën e taksave mujore përmes faturës së ujit apo dritave, po njësoj siç veproi z. Veliaj për shkollat. Këtu na ndihmojnë edhe dy argumente të tjera: së pari, praktika e ndërtimit të monumenteve apo veprave publike me kontribute është aplikuar herët dhe me sukses në vendin tonë – shih këtu; së dyti janë shifrat që e lëhtësojnë barrën e një qeverie që ankohet se s’ka para. 

Taksa përllogaritet mbi qyetërë në moshë madhore dhe për t’u siguruar për këtë na mjafton një e dhënë si numri i zgjedhësve. Në vitin 2017 në Shqipëri rezultonin  3 464 328 zgjedhës, të cilëve për 30 milionë euro që kërkohen për godinë e re, u bie diku te 8.6 € për secilin. Është në fakt asgjë. 
Le të bëjmë një llogari që iafrohe më shumë realitetit demografik të Shqipërisë. Në vitin 2017 morën pjesë në votime 1 614 479 njerëz, pra që janë rezidentë në vend. Nëse të njëjtën shumë do ta shpërndajmë si barrë mbi këtë numër, i bie që pagesa për secilin të jetë 18.5 € për secilin.

 Sërish një shifër e parëndësishme. Le të ecim më tej duke pranuar se për projektim e z. Rama dhe z. Veliaj janë dakord të gjithë socialistët, të cilët teorikisht mund të mos binin dakord që të paguanin këtë taksë në kushtet kur mendojnë se ideja e tanishme është më e mira. Socialistë votues në vitin 2017 ishin 764 791 persona. Pra shifra që mbetet për t’u taksuar është 849 688 persona. Për 30 milionë euro barra për gjithësecilin prej këtyre është 35 €. 

35 euro për një teatër të ri është në fakt asgjë, sidomos po të shpërndahet ajo në formë mujore dhe të mblidhet përmes faturës së ujit. Praktika na kujton edhe një gjë tjetër: z. Rama ka në qeveri një ministër që quhet Pandeli Majko, i cili vuri taksën 1000 lekë(të reja) për çdo automjet për ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës të cilat nuk dihet ku shkuan. Pra ka modele që i japin zgjidhje dilemës për një teatër të ri që paraqitet nga qeveria si emergjencë e emergjencave. 

Nga ana tjetër kjo sjellje meriton vëmendje të posaçme. Pasi vetëm për sheshin “Skënderbej” u hodhën 12 milionë euro, kurse për Pazarin e Ri 6 milionë të tjera. Kush vallë i pyeti qytetarët për këto shpenzime marramendëse dhe aë në fakt prisnin? Askush. Fakti që për godinën e Teatrit ka rezistencë do përshëndetur, edhe pse përballë qëndron vullneti malinj i qeverisë dhe në hije pabesia e opozitës.
Por paratë janë dhe qeveria që sot po do të falë mijëra metra tokë publike në emër të një teatri të ri, do të ishte mirë të merrte shembull nga praktika e z. Veliaj për taksim në emër të interesit publik. Një shtesë mujore e përkohshme në faturëne e ujit për Teatrin Kombëtar do të ishte një punë shumë e mirë për të gjithë dhe në këtë rast me të vërtetë do ta falenderonim z. Veliaj për faktin se promovoi idenë e taksave për pmes faturave të përmuajshme që paguhen për shërbime bazike. 

Në fund, edhe vetë artistët duhet të provojnë mbledhjen e fondeve pse ndoshta solidariteti te qytetarët nuk mungon. Do të ishte sfidë dhe shuplakë për këtë qeveri. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.