Teatri i specialistëve

Postuar në 18 Qershor, 2018 15:50

"Arkitektët japin alarmin për Teatrin Kombëtar". Ky ishte lajmi që u servir këtë hënë dhe fare mirë diçitura e një takimi që Bashkia e Tiranës organizoi me arkitektë dhe urbanistë, shumica e të cilëve të punësuar në bashki ose në rastin më të mirë partnerë me të. Sipas tyre, godina është e papërshtatshme dhe si e tillë duhet shembur. 

Një përfundim që i shërben kryetarit të Bashkisë, Erion Veliaj të legjitimojë përrallën që tregon se pazari me firmën Fusha shpk për të këmbyer tokën e Teatrit dhe ngritjen e  dy kullave me një godinë të re është me leverdi.  

Një praktikë e njohur dhe bajate që pushteti përdor për të çertifikuar me ekspertizë teknike vendimet që merr. E ka bërë dhe Sali Berisha më herët, por më e shumta që bëri ishte të hante pulat live për t'i mbushur mendjen popullit si gripi i pulave nuk kishte prekur Shqipërinë. Sigurisht ministrat u vunë në radhë kush të shqyente i pari kofshat e gostisë qeveritare. Veliaj më elegant natyrisht, pasi vjen nga një eksperiencë e Mjaftit, është edhe "babaxhan" edhe i "squt".

Në Shqipëri njerëz për shërbime të tilla apo që flasin me gjuhën e pushtetit gjenden kollaj. Për Teatrin foli, kreu i Institutit të Ndërtimit, Shefi i Zjarrëfiksës, Urbanistikës etj. Recituan atë që donte kryetari dhe arritën në përfundimin se "nga analiza që kemi bërë kemi dalë në përfundim se objekti është i papranueshëm". Në fakt  nuk është fare ky thelbi i debatit që zoti Veliaj përpiqet ta zhvendosë me djallëzi. 

Artistët e dijnë më mirë se shefi i Zjarrëfikseve dhe urbanistë e Bashkisë së godina është në gjendje të mjerueshme. Dhe këtë e pranuan edhe në takimin publik që patën pak ditë më parë. Pyetja është kush i fryu në vesh Veliajt për gjendjen e Tetarit, Fusha sh.p.k apo arkitektët e Bashkisë. Këta të fundit i bënë shërbimin e radhës kryetarit dhe ndihmuan të çertifikonte manipulimin e radhës. Një njeri që edhe të qeshurën e ka fallco, nuk na mbush dot mendjen se është i shqetësuar për gjendjen e Teatrit. 

Thelbi i debatit është pazari që po kërkon të negociojë kryetari i Bashkisë me firmën e ndërtimit Fusha Shpk për të marrë truall publik nga territori i Teatrit dhe për të ndërtuar kulla. Këtë nuk po shpjegon ende kryetari i Bashkisë, pse këmbëngul te projekti në fjalë dhe përse kërkon që Teatrit të shembet me çdo kusht. Apo se kështu thotë shefi Zjarrëfikëseve. 

Njeriu që qesh me zor është në hall nga qëndresa që po bëjnë artistët dhe e vetmja gjë që di të bëjë është të, ri përsërisë vetveten, heroin fallco që mendon për qytetin dhe të tjerët, por që në fakt është shërbëtori i intersave të njerëzve që duan truall publik për të ndërtuar kulla, duke shembur edhe Teatrin Kombëtar të Shqipërisë. Dhe kjo është e vetmja gjë që kanë dëshmuar se dijnë ta bëjnë shumë mirë. 

l.m

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.