Po Zh'Bëjmë Shtet

Postuar në 17 Qershor, 2018 21:59
Gjergj Bojaxhi - Anëtar i Forumit për Trashëgiminë Kulturore

Le ti lëmë faktet të flasin të parat.  Shteti i ri Shqiptar, vetëm 26 vjet pas shpalljes së pavarësisë, me një popullatë 90% analfabete dhe rurale pati këllqe që nëpërmjet kompensimit të kthente në toka publike trojet ku sot gjendet Teatri Kombëtar dhe godinat publike përreth, në atë kohë i quajtur “Rrethi Kulturor Artistik Skënderbej”. Sot, 106 vjet pas shpalljes së Pavarësisë qeveria qëndrore dhe lokale po përkulet përpara atyre të cilët e kanë bërë dhe vazhdojnë ta bëjnë pasurinë e tyre me tendera publik.  80 vjet më parë prona ju ble të pasurve, familjes Libohova, për interes publik.  80 vjet më pas prona publike po i jepet të pasurve  për të bërë kulla biznesi duke prishur objekte të cilat janë simbole të shoqërisë tonë.

80 vjet më pas qeveria ka pafytyrësinë që me tokën tashmë si pronë publike jo thjesht të thotë që nuk kam lekë për të bërë teatër të ri, por se do duhet të prishë edhe teatrin ekzistues dhe gjithë historinë që ai mbart. Kjo, pasi ka harxhuar mbi 60 milionë euro për rilindjen urbane nëpër cepa të ndryshëm të vendit, ku shumë prej këtyre milionave janë hedhur në zona ku rrënimi demografik, social dhe ekonomik është tashmë i pakthyeshëm.
80 vjet më parë gazetat e kohës ishin të mbushura me thirrje për kontribute nga qytetarët për të ndërtuar monumente publike.  
I kujtoj Vangjush Dakos, se monumenti dedikuar Dëshmorëve të Kombit, që shkatërroi dy vjet më parë në krah të Torres, është monumenti i parë i ndërtuar nga shteti Shqiptar në vitin 1922 me dhurime nga qytetarët.

I kujtoj Edi Ramës, si deputet i Vlorës, se monumenti ku ngrihet çdo përvjetor Flamuri i Pavarësisë në Vlorë është ndërtuar me kontribute nga qytetarët.

I kujtoj Niko Peleshit se monumenti në Korçë i Luftëtarit Kombëtar si dhe ai i Themistokli Gërmenjit janë ndërtuar nga kontribute të qytetarëve korçarë.

Dhe për të mos i lënë pa përmendur Ministres së Trashëgimisë Kulturore, znj. Kumbaro, se monumenti i Çerçiz Topullit në Gjirokastër është ngritur me kontribute nga qytetarët e Gjirokastrës.

Në 1937 u hap thirrja, për kontribute nga qytetarët për të ndërtuar monumentin e Skënderbeut në qendër të Tiranës.  Fatkeqësisht pushtimi Italian e ndërpreu këtë nismë.
Kujt i bëri thirrje kjo qeveri për të restauruar Teatrin Kombëtar apo për të ndërtuar një teatër të ri? Kuptohet, përveç klientëve të saj të tenderave për të bërë pazarin e rradhës për më shumë kulla e beton në qendër të qytetit nën pretekstin e ngritjes së një teatri të ri.

Në këtë pikë ka vetëm dy shpjegime:

1. Ose kemi një qeverisje të vobektë, kjo pas gjithë atyre taksave të rritura ndaj qytetarëve

2. ose kemi të bëjmë me një grabitje të publikes në ditë me diell.

Tragjedia jonë është se kemi një qeveri që feston vitin e  Skënderbeut me modelin e Ali Pashait.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.