Protesta e ka arritur fitoren e parë

Postuar në 16 Qershor, 2018 23:39
Skerdilajd Zaimi

Protesta kundër prishjes së godinës së Teatrit Kombëtar ka arritur një sukses të vetin, sidoqoftë modest. Ajo e ka kushtëzuar vendimmarrjen politike dhe institucionale me nevojën e delegjitimimit të saj, apo shpërbërjes. Tregues i nevojës që ka sot pushteti për të thyer protestën si kusht për një kalim të butë të vendimit – edhe kështu shumë të dyshimtë në planin ligjor dhe kushtetues – është ngritja e përdishme e korit të artistëve që janë pro një godine të re për teatrin. Sigurisht, alibitë dhe justifikimet për këto zëra kundër janë legjitime. Por ato instrumentalizojnë një të drejtë themelore si e drejta për t’u shprehur, që në këto kushte priret të mahisë edhe më shumë tonin e protestës.

Le të sjellim pak shembuj që janë publikë. Drejtori aktual i Teatrit, Hervin Çuli, i cili njihet për karakterin e rrëmbyer dhe paqëndrueshmërinë në atë që thotë, ka akuzuar aktorin Mirush Kabashi se ai ka marrë lekët kot pa hipur asnjëherë në skenë. E bëri këtë denoncim prej qytetari model, pasi Kabashi doli e u shpreh kundër prishjes së godinës. Mirëpo zotëria ka qenë drejtor dhe fare mirë mund ta ndalonte këtë vjelje sistematike të rrogës pa bërë asnjë punë nga Kabashi. Ai mund ta denonconte këtë gjë, mund të bënte betejë për të eliminuar dukuri të tilla, pse ka qenë në pozita vendimmarrësve. Z. Çuli nuk e ka bërë një gjë të tillë, duke qëndruar në pozitat e dikujt që ose nuk e ka bërë mirë punën e vet, ose ka qenë i pafuqishëm. 

I dyti është aktori Laert Vasili. Zotëria u shpreh me një lloj poze delirante se ai vjen nga skenat e Europës ndaj edhe e ka më të qartë vizionin pse duhet një teatër i ri. Si një personazh që ka asimiluar mirë rolin e atij që vetëpromovohet, z. Vasili foli në një mënyrë që ngjit në tituj mediash, port ë cilit fjalët nuk i zënë vend. Pasi në këmbënguljen për godinën aktuale, pra ruajtjen e saj, përfshihen brenda shumë elementë që nuk lidhen detyrimisht me krahasimin se “çfarë kam parë unë në Europë”.

Nga ana tjetër, në mediat pranë z. Rama po përpunohen lloj lloj tezash që synojnë diskreditimin e protestës. Arrihet deri aty, sa për të treguar njohuri dhe formim, apo për të sugjestionuar lexuesit, shtihen në punë elementë psikologjikë apo bëhen krahasime mes dy qasjeve ndaj aktorit, si ajo e Didëroit dhe Stanislavskit.

Dokrrat gazetareske në fjalë, paketojnë dokrrat e pushtetit që vijnë në veshin tonë edhe përmes gojës së dy apo tre aktorëve sa kohë që jashtë debatit ka mbetur Kryeministri dhe ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, që është vuvosur pas firmave të heshtura që vë mbi projekte si ky i tanishmi. Pasi në formën si po tentohet polarizimi brenda artistëve, është e vështirë të besohet nëse kemi të bëjmë vërtet me shprehje mendimesh vetjake. 

Edhe sikur vërejtjet e mësipërme të jenë 100% të drejta, ato ose janë në keqbesim, në mënyrën si tregëtohen në media, ose anashkalojnë një të vërtetë që nuk mund të kufizohet me sulme personale apo me shitjen e një vizioni që kërkohet te një godinë e re.

Asnjë prej aktorëve që sot protestojnë nuk është shprehur kundër një godine të re. Aktorët, e bashkë me ta edhe një pjesë e qytetarëve që ndonëse nuk janë në protestë, mendojnë ashtu, kërkojnë ruajtjen e godinës dhe rikonstruksionin e saj. Askush nuk e ndalon qeverinë dhe Bashkinë e Tiranës që me formën e tanishme, diku tjetër, apo edhe në atë zonë aty, të ndërtojë një teatër të ri. Por jo duke hedhur në shesh teatrin e tanishëm. Ky është keqbesimi që krijohet nga lajmet se ka dy palë: njëra që kërkon teatër të rid he tjetra që është e këndaqur me gjendjen e tanishme.

Së dyti, protesta për teatrin i ka shndërruar aktorët në qytetarë aktivë. Protesta si e tillë ka jehonë pse ajo po I kundërvihet edhe një projekti shumë të dyshimitë, mbi të cilin nuk ka transparencë, për të cilin nuk dihet propozimi dhe që është sugjeruar në mënyrë tinëzare përmes një projektligji.

Qeveria dhe Bashkia kanë atribute ligjore dhe kushtetuese të vepronin edhe ndryshe, por kanë zgjedhur një rrugë të tërthortë, pikërisht sepse në atë zonë po konsumohet një krim ndaj Tiranës dhe memories së saj historike. Dhe është e vështirë të marrësh përgjegjësi për këtë gjë.

Nga kjo pikëpamje, aktorët që sot protestojnë për shtëpinë e jetës së tyre profesionale, janë aty edhe për kryeqytetin, edhe kundër një modeli ogurzi që po promovohet në emër vetëm të parave dhe jo të ndonjë vizioni. Ata aktorë që bëjnë sikur nuk shohin se në projektin e tanishëm të kullëzimit të një zone ku kanë patur privilegjin të jenë emblema, qëndron një synim thjesht dhe vetëm asgjësues dhe monetar, në fakt kanë pushuar së qeni si të tillë për nga roli që presupozohet se kanë në shoqëri.

Lufta e nervave që po luhet në këto ditë nuk ka për të lënë shije të mirë. Por ajo ka të mirën sepse po manifestohet si një përballje mes dy simbolikave, ku pafuqia e njërës po rrezaton paradoksalisht mbi forcën dhe brutalitetin e tjetrës. Ështën një përballje që do të duhet të edukojë Tiranën si kryeqytet europian me mësimin se jo çdo gjë blihet me para.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.