Marrëveshja e detit me Greqinë, pritet takim tjetër mes grupeve negociatore

Postuar në 14 Qershor, 2018 15:33

Takimi 30 minutësh mes presidentit të Republikës Ilir Meta dhe kryeministri Edi Rama, ka provokuar një seri lajmesh dhe spekullimesh mbi temën e diskutuar. Tezat e hedhura janë ato që variojnë nga refuzimi i Metës për të dhënë autorizimin deri në plotësimin e vakancës në Gjykatën Kushtetuese, e deri te lajmi se negociatat janë mbyllur dhe tashmë çështjet e mbetura janë vetëm formalitete. Por nga Ministria e Jashtme bëjnë me dije se dy grupet negociatore pritet të takohen sërish dhe se pika e përbashkët e një marrëveshjeje ende nuk është arritur. Në këtë kuptim, kërkesa për autorizim nga presidenti për firmosje do të ishte e kotë, vetëm nëse kryeministri ka dashur të provokojë kreun e shtetit.

Me mbylljen e negociatave për emrin mes Greqisë dhe Maqedonisë, negociatat me Shqipërinë marrin rëndësi të dorës së parë. Qoftë edhe në planin mediatik. Ka një përpjekje kundër tyre sidomos nga ish-kryeministri Sali Berisha që nuk lë rast pa tentuar të ngulisë idenë se deti është falur, por pa dhënë asnjë informacion të besueshëm. Po kështu ka një lloj përkimi mes takimit të Ramës me Metën, lajmit të negociatave dhe intervistës së z. Rama për agjencinë shtetërore turke, ku ai konfirmoi miqësinë e veçantë me presidentin turk, Erdogan, shteti i të cilit kundërshton zgjerimin e ujërave territorialë të Greqisë në 6 milje. Në fakt mbi këtë tension po luhet edhe nga aktorët politikë në Shqipëri që synojnë të përafrojnë rastin shqiptar në kontesktin e një krize të thellë në Egje, vetëm e vetëm që marrëveshja e vitit 2009 të mbetet e panjollosur përtej asaj që thotë Gjykata Kushtetuese.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.