Pas shkurtimeve me lejen e lindjes, hiqet edhe kopshti falas për nënat e reja

Postuar në 12 Qershor, 2018 16:31

Ndryshon harta e familjeve potenciale që përfitojnë nga shërbimi falas për fëmijët e tyre në çerdhe dhe në kopshte. Vendimi i ri i Këshillit Bashkiak në Tiranë i datës 23 mars 2018 përjashton nga skema e përfitimit fëmijët e vajzave-nëna, të cilat, sipas vendimit të mëparshëm të 2015-ës përfitonin shërbim falas vetëm falë statusit të tyre në regjistrat e Gjendjes Civile.

Sipas vendimit të ri përfitojnë shërbim falas fëmijët e familjeve mono prindërore, ku kujdestari ligjor e ka pagën në/nën nivelin e pagës minimale të miratuar me aktin nënligjor përkatës dhe fëmijët e familjeve, ku kujdestari ligjor i fëmijës, është  i divorcuar ose i ve, (sipas certifikatës së gjendjes familjare), por që është në/nën pagën minimale në shkallë, vërtetuar me dokumentacionin përkatës.

Gjithashtu, në vendimin e mëparshëm të 2015-ës përfitonin ulje apo shërbim falas familjet të cilat kanë më shumë se 1 fëmijë në çerdhe ose kopshte: Për fëmijën e dytë- 50 përqind reduktim nga detyrimi mujor dhe për fëmijën e tretë- 100 përqind reduktim nga detyrimi mujor, gjë që në vendimin aktual nuk përmendet fare.

Vendimi i ri bën disa saktësime dhe detajime për kategoritë që përfitojnë reduktim në pagesë apo shërbim falas në çerdhe dhe në kopshte, duke synuar të parandalojë abuzimet në këtë drejtim, por nga ana tjetër, përjashton nga ky përfitim një grup të tërë familjesh dhe ngjan se vështirëson përfitimin e këtij shërbimi përmes paraqitjes së dokumentacionit të kërkuar.

Vendimi për çerdhet dhe kopshtet është ndryshimi i dytë që prek nënat dhe vajzat i marrë nga Veliaj. Vendimi i parë, i ndërmarrë sërish prej tij, në kohën kur ky ishte ministër i Mirëqenies, Rinisë dhe Punës Sociale në vitin 2015 prekte direkt kategorinë e nënave të reja, duke bërë që masa e përfitimit të lejes së lindjes për to të ulej. Kështu, që nga 2015 e sot, ndryshe nga sa kishte ndodhur në vitet e shkuara, pagesat për lejet e lindjes llogariten mbi pagën neto të vitit aktual, dhe jo më mbi pagën bruto të vitit paraardhës.

TemaTv

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.