Pse po hesht PD për denoncimin e Demaliajt?

Postuar në 07 Qershor, 2018 17:12

Dy deputetë të parlamentit shqiptar janë denoncuar publikisht se kanë kanosur me armë një person dhe përtej kuriozitetit mediatik, sensibiliteti i shoqërisë dhe intitucioneve duket të jetë zero. Mirëkuptohet heshtja e partisë që i ka në gjirin dhe vokacionin e saj këta dy individë, konkretisht Fidel Yllin dhe Tom Doshin.

I justifikuar ky qëndrim i Partisë Socialiste edhe nga tradita e pistolerove që kanë milituar suksesshëm në këtë forcë politike, deri tani vonë si psh Armando Prenga apo Arben Ndoka. Asnjë distancim ndaj një akti të dënueshëm, edhe pse kjo implikon deputetin e saj. Por ky është pushteti, drutë e shtrembër janë të shtrembër sipas konjukturës.

Akoma më i pakuptueshëm është qëndrimi i opozitës së Lulzim Bashës që gdhihet e ngryset me binomin ja qeveria, ja krimi.

Partia që thotë se përfaqëson interesin e publikut dhe e mban veten si tribunë të denoncimeve kundër lidhjeve të pushtetit me krimin ka mbyllur gojën dhe veshët përballë akuzave të Ilir Demalisë se Fidel Ylli dhe Tom Doshi i kanë vënë pistoletën në kokë në kohën kur shërbenin si bodygardë.

Partia që po ngre lapidar për “Babalen”, heroin e audiopërgjimit ku pretendohet se është i përfshirë vëllai i ministrit s’ka asnjë ndjeshmëri ndaj një denoncim konkret për kanosje me armë nga dy  individë që sot janë deputetë në parlamentin shqiptar.

Nismëtare e një ligji për dekriminalizimin, për të cilin deri diku i janë njohur meritat me të drejtë, Partia Demokratike duket se ecën sipas një axhende që përmbush vetëm interesat e luftë së saj politike, dhe jo të shoqërisë ku ajo bën pjesë.

Arsyet pse qëndron indiferente opozita ndaj një denoncimi për dy deputetë të Kuvendit të Shqipërisë janë të pakupueshme, aq më tepër që kohët e fundit Partia Demokratike është investuar politikisht për të denoncuar lidhjet e qeverisë me krimin, duke nxjerrë në skenë lloj lloj personazhesh, ku spikat natyrisht “Babalja”, i cili siç deklaroi i ishte futur kësaj valle për kapriço personale.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.