PD duhet të sqarojë: Me çfarë e shantazhon ministri i Brendshëm Kryeministrin?

Postuar në 29 Maj, 2018 10:44

Nisi me një audiopërgjim të transmetuar nga selia e partisë, vijoi me një protestë që u trumbetua si prag revolucioni, po vazhdon me karikaturën politike në komisionet parlamentare.

Partia Demokratike dështoi në menaxhimin dhe kapitalizimin e çështjes “Xhafa”. Akuza pas akuzash, në thelb të aksionit të saj mbeti dëshira për të larguar ministrin e Brendshëm dhe një mori spekullimesh të cilat me kokfortësi i quan fakte të pakundërshtueshme. Më keq akoma, PD-ja nuk është në gjendje të prodhojë edhe artikulime orgjinale por shërbehet me kontributet e mediave.

Nuk ka në PS, nuk ka në Rilindje, njerëz të tjerë që mund të marrin përgjegjësinë e Ministrisë së Brendshme?! Sigurisht që ka, por është Kryeministri që merr këta njerëz që të shpëtojë veten e tij sepse të gjitha indicjet që dalin dhe në media tregojnë se edhe ai me vëllanë e tij janë të lidhur me rastin e Xibrakës

Kështu është shprehur sot në Komisionin e Ekonomisë, kreu I Grupit Parlamentar të PD-së, Edmond Spaho. Kësaj teze të njohur i mungon diçka në rastin e Fatmir Xhafës. Pasi nëse do pranojmë se ish-ministri i Brendshëm, Sajmir Tahiri e kushtëzon, apo e shantazhon me diçka Edi Ramën, nuk është e qartë se çfarë mund të ketë në këtë rast Fatmir Xhafa. Këtë gjë duhet të na e thotë PD-ja dhe Spaho, pasi kështu të paktën i japim një rezultat logjik edhe turbullirës së krijuar. Xhafa u emërua ministër i Brendshëm dhe u shkarkua pas marrëveshjes së majit. Atë Edi Rama e luajit njësoj si shokët e vet ministra atëherë kur i duhej. U rikthye në detyrë pas një lëvizjeje politike gjatë verës që provoi se raportet personale mes të dyve nuk shkojnë përtej atyre të punës, ndonëse Xhafa ka qenë ndër mbështetësit më aktivë të Edi Ramës në Kongresin e vitit 2005 kur edhe u zgjodh kryetar i PS-së. mes të dyve pati një përplasje edhe për autorësinë e kapjes së drogës së Maminasit, ndërkohë që vetë Xhafa ka deklaruar gjatë një interviste se “unë kam marrëdhënie korrekte me Kryeministrin”.

Në këtë kuptim, përpara se të kërkojë të mbajë ison e pyetjeve popullore, PD-ja ka për detyrë të na sqarojë: Si e shantazhon Fatmir Xhafa Edi Ramën, në funksion të qëndrimit në detyrë?

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.