Negociatat/Polonia bën ofertën: “Shqipëria të bëhet pjesë e nismës “Tre detet”

Postuar në 28 Maj, 2018 12:55

Ambasadori i Polonisë në Tiranë Karol Bachura publikon sot një opinion në “Gazeta Shqiptare”të cilit i është vënë titulli: Pse ne polakët e duam Shqipërinë në BE. 

Në opinion renditen disa aspekte parimore të procesit të zgjerimit të unionit, të cilin Polonia e mbështet fuqimisht. Është një qëndrim që i jep shprsë vendeve si Shqipëria, të gjendura përballë një skepticizmi nga vende si Franca, që rrjedhin nga arsye të përgjithshme, por edhe nga problemet specifike të vendit tonë si krimi dhe korrupsioni. 

Ajo që ka rëndësi në opinionin e diplomatit polak, është qasja e Vrashavës që e sheh zgjerimin e BE-së në suazën jo vetëm të garancive dhe sigurisë së shtuar, por edhe si mjet efikas për përmbushjen e interesave që kanë të bëjnë me projekte strategjike. 

Ne shpresojmë shumë që bisedimet e pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë të fillojnë këtë vit. Në këtë vit, pra në 2018-ën, ne duhet t’i japim një nxitje procesit të integrimit. Nëse e humbasim këtë shans, dritarja e mundësisë mund të mbyllet.

Iniciativat ekonomike, duke përfshirë Planin e Veprimit për Zonën Ekonomike Rajonale të miratuar në samitin e Triestes të Procesit të Berlinit, janë vendimtare për integrimin dhe zhvillimin e infrastrukturës brenda vetë Axhendës së Lidhshmërisë.

Lidhshmëria është gjithashtu ndër qëllimet kryesore të Iniciativës ‘Three Seas’ – një projekt që synon përmirësimin e ndjeshëm të lidhjeve ekonomike, energjetike dhe transportit midis vendeve të Evropës Lindore dhe Qendrore të vendosura ndërmjet Baltikut, Adriatikut dhe Detit të Zi. Pasi të arrihet kjo, me siguri lidhjet do të inkurajojnë ekonomitë e vendeve pjesëmarrëse dhe të BE-së si një e tërë. Aktualisht ka 12 vende të rajonit që i përkasin kësaj iniciative. Nëse Shqipëria do të bashkohet me BE-në, ajo mund të bashkohet me iniciativën ‘Three Seas’ dhe të përfitojë nga projektet e zbatuara si pjesë e saj

shkruan ambasadori. 

Përveçse një politikë zgjerimi, kjo është edhe një ofertë polake për Shqipërinë që të diversifikojë qasjen e vet në një proces që duket se nuk mund të përmbushet pa vepruar me disa karta. Bachura e bën të qartë më tej, kur e cilëson Procesin e Berlinit të rëndësishëm, “vendimtar në afrimin e ekonomive dhe shoqërive dhe nxitjen e reformave”, por që sipas tij “nuk mund të interpretohet si një alternativë ndaj politikës së zgjerimit, por një plotësim i veprimtarisë së Komisionit”.

Polonia është e ftuar në Samitin e Londrës të Procesit të Berlinit. Në vitin 2019 do të organizojmë një samit në Poloni. Sipas mendimit tonë, Procesi i Berlinit luan një rol vendimtar në afrimin e ekonomive dhe shoqërive dhe nxitjen e reformave. Polonia e vlerëson fokusin e saj në lidhjen, si dhe këtë format të gjithanshëm dhe shumëpalësh.

Megjithatë, Procesi i Berlinit nuk mund të interpretohet si një alternativë ndaj politikës së zgjerimit, por një plotësim i veprimtarisë së Komisionit

vijon Bachura. 

Shkrimi është një akt i diplomacisë publike që informon mbi natyrën e interesave ekonomike që shoqërojnë procesin e integrimit. Procesi i Berlini që është kapitalizuar mediatikisht si instrument përshpejtimi nuk zgjidh çdo aspekt strategjik që lidhet me rajonin tonë, ndaj të cilit po kërkohet ndërveprim edhe me Europën Lindore, ku ndërthuren interesa jo të vogla. Deri më tani politika e jashtme shqiptare nuk ka qenë aktive në këtë drejtim, ajo është përqendruar në lobime me një drejtim në dy kancelaritë kryesore në BE, pas garancive që ka nga Roma dhe Vjena, por në kushtet e një procesi që zgjat, nuk është pa dobi analizimi i të gjitha varianteve.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.