Eli Cohen, agjenti izraelit që u përfol për president të Sirisë

Postuar në 24 Maj, 2018 14:58

Agjencia ruse e lajmeve “Sputnik” publikonte dje një shkrim relativisht të gjatë për Eli Cohen, ish-agjenti izraelit, që u ekzekutua nga autoritetet siriane për shkak të aktivitetit të tij të spiunazhit. Në shtator të vitit 2016 në media të shumta u publikua videoja e ekzekutimit në mes të Damaskut të Cohen, i cili për një çast mund të bëhej edhe president i Sirisë.

Cohen është një person për të cilin është shkruar jo pak, por “Sputnik” sjell në shkrimin e vet mendimet dhe komentet e të vëllait, Albert Abraham Cohen.

Ai ishte besnik ndaj vendit të vet, Egjiptit. Ai ishte po ashtu ndaj popullit hebre dhe ideve të Sionizmit, që synonin në krijimin e shtetit hebre në tokën e Izraelit

citohet Cohen.

Mesazhi i tij i bën jehonë historisë së një jete të pazakontë. Eli Cohen u lind në Egjipt në vitin 1924. Ai studioi në Aleksandri për inxhinieri elektrike dhe u aktiviua kundër pushtimit britanik. U përfshi në lëvizjen sioniste nën ndikimin e rabinit kryesor të Aleksandrisë. Ai u përfol në Çështjen “Lavon”, një ngjarje e vitit 1954 e nxitur nga Izraeli që synonte alarme për sulme ndaj objektivave egjiptiane, amerikane dhe britanike me synim zgjatjen e pushtimit britanik të Suezit. Cohen u ofrua vullnetar për vijuar aktivitetin klandestin për riatdhesimin e hebrejve. Ai u deportua nga Egjipti në vitin 1956 pas krizës së Suezit.

Një ndër arsyet që e bënte atë të përshtatshëm për punën e shërbimeve sekrete ishte njohja e gjuhëve të huaja: arabisht – dialektet egjiptiane, siriane dhe libaeneze, frëngjisht, anglisht, italisht dhe hebraisht. 

Nuk po kërkonte aventurën. Ai ishte thjesht një patriot. I vetëdijshëm plotësisht për atë çfarë e priste, ai u ofrua vullnetar për të shpëtuar popullin e vet nga një Holokaust i dytë. Nuk mendoj se po ëndërronte për jetë spiuni. Ai ishte një patriot i Egjiptit dhe një sionist; në atë kohë këto dy koncepte nuk binin në kundërshti me njëra-tjetrën

vijon i vëllai Albert.

Ai u dërgua nga shërbimi izraelit në Argjentinë në vitin 1961 duke u shtrirur si biznesmen sirian. Në lidhje më këtë periudhë për Sputnik ka folur ish-drejtuesi i gazetës të hebrejve të Argjentinës, “Comunidades”, Natalio Steiner sipas të cilit Cohen mësoi spanjisht mirë për tre muaj dhe u orientua shumë shpejt në kryeqytetin e vet Buenos Aires. Objektivi ishte penetrimi i diasporës arabe dhe duke fituar reputacionin e një pasaniku që vishet dhe shpenzon para pa hesap, ai arriti të miqësohej me elitën e diasporës siriane që kishin kontakte të nivelit të lartë në Siri.

Suksesi i misionit të Cohen erdhi si pasojë e karizmës së tij dhe portofolit të thellë

citohet Steiner.

Një nga njohjet e tij më të rëndësishme ishte ajo me kreun e Mundo Arabe, një gazetë e respektuar dhe e shumëlexuar nga komuniteti arab i Amerikës Latine. Nga ky kontakt, Cohen arriti deri në ambasadën siriane në Buneos Aires, ku takoi edhe gjeneralin Amin Hafiz, atasheu ushtarak sirian në Argjentinë dhe presidenti i ardhshëm i Republikës Siriane. Pas disa peripecive në Izrael dhe Egjipt, Cohen do të vendoset në Damask në vitin 1962 ku nisi të shijonte frytet e kontakteve të krijuara në Argjentinë. Në vitin 1963, gjenerali Hafiz erdhi në pushtet dhe në këtë moment ai e shikonte Cohenin, ose Kamel Amin Thaabet, siç njihej, si një njeri të arsimuar, një mik të mirë dhe një biznesmen që donte të investonte në Siri.

Kushdo që do të jetë një gënjeshtar i mirë duhet të ketë një kujtesë të shkëlqyer. Eli kishte një kujtesë fenomenale dhe ishte kjo që i lejoi atij të mashtronte armiqtë e tij dhe të çonte para maskaradën me të cilën ia hodhi lidershipit më të lartë sirian

shprehet i vëllai i ish-spiunit izraelit.

Albert Cohen tregon edhe protokollin e dëshmisë së të vëllait në procesin gjyqësor kundër tij në Siri që dëshmon për shkallën e pentetrimit.

Arrita të depërtoj në disa ministri dhe agjenci të tjera qeveritare. Mes tyre ishin Ministria e Mbrojtjes, e Ekonomisë, të Informacionit, Ministria e Çështjeve Lokale, Bankën Qendrore dhe të tjera…

citohet dëshmia e tij.

Niveli i informacionit të përcjellë në Izrael ishte i nivelit më të lartë dhe përfshinte disa fusha. Me rëndësi të posaçme ishte informacioni për bashkëpunimin ushtarak mes Sirisë dhe Irakut, furnizimet sovjetike për Damaskun, dislokimi i forcave siriane përfshirë artilerinë dhe fortifikimet në Lartësitë Golan. Ishte periudha e Luftës së Gjashtë Ditëve kur kanë nisur spekullimet se Cohen ishte lakuar për ministër Mbrojtjeje apo edhe President. Lufta ishte një goditje e madhe për Sirinë, Egjiptin dhe vendet arabe teksa Izraeli mori Rripin e Gazës, Bregun Perëndimor, Lartësitë Golan dhe Gadishullin e Sinait dhe shumë nga informacionet jetike për suksesin e saj kishin ardhur nga Cohen. 

Por sipas një eksperti sirian të politikës, Tahsin Halabi kjo është mitologji e krijuar nga shërbimet izraelite. Një nga arsyet që jepet për ekspozimin e tij në janar 1965 ishin pajisjet pelenguese të dhëna për Sirinë nga sovjetikët. Arsye tjetër janë gabimet e agjentit, por sipas të vëllait, janë tre arsye të mundshme për kapjen dhe ekzekutimin e tij:

Së pari ankesa e ambasadës indiane në Damask për interferencë në komunikimet e veta radio me New Delhin çoi në hapjen e një hetimi që u krye me pajisjet sovjetike. U gjurmua burimi që çoi në ndalimin e Cohen në flagrancë, duke transmetuar nga apartamenti i tij. Ky version është artikualuar nga presidenti I kohës, Hafiz.

Version i dytë është identifikimi i tij prej shërbimeve egjiptiane në një foto të marrë gjatë një takimi të shtabeve siriane dhe egjiptiane në Lartësitë Golan.

Version i tretë është hedhur në qarkullim nga ish-shefi i shërbimeve siriane, Ahmad Suwaidani sipas të cilit ishte një hetim për dy sirianë që dyshoheshin se punonin për CIA-n dhe që planifikonin kontrabandimin e raketave sovjetike që ishin sjellë në Damask. Nga vëzhgimi u konstatua se ata ishin vizitorë të rregullt në shtëpinë e Cohen çka çoi në dekonsprimin e tij.

Në vitin 1964 Cohen u vu në mbikëqyrje për t’u ndaluar dhe ekzekutuar në  janar 1965. Sipas të vëllait, version I tretë është më bindës, pra ishte ndalimi I dy arabëve që çoi drejt tij. Trupi i tij ndodhet në Siri dhe arsyet e mbatjes duket se lidhen me faktin se trupi ka humbur dhe as sirianët nuk e dinë vendndodhjen e tij. Diskutimi mbi këtë temë është aktual pasi veprimtaria e Cohen shihet në Siri si pikënisja e përpjekjeve që vazhdojnë edhe sot për shkatërrimin e Sirisë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.