Misioni qesharak i zotit Roth

Postuar në 13 Maj, 2018 14:37

Të shtunën Shqipërinë e vizitoi ministri  gjerman për Evropën, Michael Roth, i cili doli edhe në një konferencë për shtyp me homologun shqiptar, Ditmir Bushati. Përmbajtja e deklaratave tregoi se vizita ishte thjesht një ndihmë e sforcuar e socialdemokratëve gjermanë për qeverinë socialiste të Tiranës, mesa duket në kuadër të solidaritetit politik si anëtarë të së njëjtës familje. 
Çfarë mund të thotë më tepër zoti Roth për Shqipërinë nga sa ka thënë kancelarja Merkel në takimin e pak javëve më parë me zotin Rama. A ishte e nevojshme ardhja në Tiranë e një zyrtari të rangut qeveritar për të thënë ndër të tjerash atë që dëgjojmë prej kohësh nga qeveria, se opozita po baltos Shqipërinë dhe se për çështjet e intergrimit duhet të jetë në të njëjtën llogore me qeverinë.

Këtë tha zoti Roth në konferencën e përbashkët me ministrin Bushati, duke bërë praktikisht maxhordomin e qeverisë. Roth vjen nga radhët e socialdemokratëve dhe kësisoj nuk i kushton asgjë një ardhje në Tiranë për t' i dhënë një dorë socialistëve shqiptarë. 
"pres edhe prej opozitës shqiptare të mund të ndërmarrë në mënyrë të drejtëprëdrejtë përgjegjësitë e veta për të kontribuar, pra drejtëpërsëdrejti në të gjitha këto procese. Sado të mund të ekzistojnë pra konflikte në politikat e brendshme, ç’ka është sigurisht shenjë e një gjallërie apo e një sistemi demokratik të gjallë, gjithsesi në çështje të tilla siç është integrimi evropian, do të duhet të kalohet përtej konflikteve në mbërritjen e një konsensusi të përgjithshëm"-deklaroi Roth.
Nga ana tjetër ministri Bushati vijon me retorikën bosh të një qeverie që kritikat e partnerëve i ka kuptuar si këshilla dhe tashmë është përkushtuar me mish e me shipirt për integrimin. "Kemi besim që Gjermania është një partner që ka lexim të qartë qoftë për arritjet që kemi bërë, ashtu edhe për atë çka ne kemi bërë më mirë dhe besojmë fuqimisht në mbështetjen e Gjermanisë në procesin e vështirë para nesh për nisjen e bisedimeve për anëtarësim".

Qeveria shqiptare nuk ka asnjë garanci se do hapë negociatat dhe me piruetat politike të tipit Roth kërkon të përcjellin idenë se është opozita që mund të sabotojë negociatat. Edi Rama ka deklaruar se nuk e shan asnjëherë opozitën te ndërkombëtarët dhe me trukun me të fundit socialistët i thonë popullit se janë vetë ndërkombëtarët që po kuptojnë rolin destruktiv të opozitës. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.