I ka humbur pasqyra!

Postuar në 13 Maj, 2018 18:31

Personazhi më i ekspozuar në çështjen Tahiri është padiskutim kryeministri i vendit. Kjo për shkak të reagimeve disproporcionale për ish-ministrin e tij,  të cilin njëherë e quajti kampioni ynë, njëherë dru i shtrembër, njëherë viktimë të prokurorisë politike dhe së fundmi provë për drejtësi jopolitike. Flagrant është qëndrimi i tij për Prokurorinë, i pari në tetor të vitit të kaluar kur grupi hetimor me në krye Besim Hajdarmatajn kërkoi arrestimin e Tahirit dhe i dyti një ditë më parë kur Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi masën e arrestit të shtëpisë për ish-ministrin e Brendshëm.

Në Tetor kryeministri dhe grupi i shokëve socialistë morën përsipër të vlerësojnë provat e Prokurorisë, duke refuzuar dhënien e autorizimit për arrestimin e Tahirit. Madje kryeministri nuk nguroi ta sulmojë Prokurorinë publikisht.

“Ku u gjet ky zell i panjohur i një prokurorie të krimeve të rënda që nuk ka lëvizuar asnjë gisht që kur ka lindur. As për fakte e prova që dihen e shihen asiqare si shumë të dyshimta. Kurrë. Asnjëherë. Emër kaq i madh dhe bilanc memec. Në cilën epokë të gurit u gjet kurajoja për ti prerë faturën e burgut deputetit me katër fletë bakalli që do të ofendonin cdo bakall .. ku fatura mbaron me etj. dhe për llogari të kujt deshën tia shesin këtë faturë të arrestit me burg këta prokurorë. Kështu i  luftojnë kriminelët, me etj.. e pastaj i zgjidhim rrugës a ishte ti apo ishte tjetër. Ca jemi ne faturistët e arrestit për deputetë apo na dijnë ekspertë kontabël. Apo ne na erdhi në shteg saje qorri rrëzojmë qeverinë e krimit?” – tha Rama.

Një ditë më parë, reagimi i Edi Ramës ishte ky:

“Vendimi i sotëm për Saimir Tahirin nuk komentohet, thjesht respektohet si një e drejtë e organeve të drejtësisë, të cilat i detyrohen vendit e botës një proces të pavarur, transparent e me integritet të plotë kushtetues e profesional, duke garantuar drejtësi jashtë çdo influence politike, mediatike a diplomatike”

Çfarë ka ndryshuar që kryeministri është disiplinuar kjo nuk dihet, por ajo që pritet është se ditët në vijim edhe orkestra socialiste do t’i bjerë të njëjtës melodi. Rama këtë herë nuk ka dhënë vlerësim as për prova dhe as ka intimiduar Prokurorinë.

Comments

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.