Eurovizioni dhe simbolika e Shqiponjës

Postuar në 13 Maj, 2018 05:12
Jordan Jorgji/Pedagog në Universitetin Fan.S.Noli, Korçë

Përtej forcës që ka muzika në afrimin e popujve, si dhe të muziko-diplomacisë e cila ilustron realisht lidhjet e vjetra e ato të reja midis kombeve, ky Eurovizion mund të quhet ‘Festivali i Shqiptarëve’. Arsyeja është pjesëmarrja e tre talenteve me origjinë Shqiptare, të cilët përfaqësuan respektivisht Shqipërinë, Italinë dhe Qipron. Të takuar në Lisbonë – jo shumë larg Brukselit – që të tre nuk nguruan të bashkojnë duart dhe të formojnë simbolin e flamurit e të kombit Shqiptar. Por, ndryshe nga Shqipëria, ku kjo simbolikë nuk u kthye në ndonjë lajm të veçantë, e kundërta ndodhi në rrjetet sociale greke. Lajmi u transmetua në formën e një sfide që synonte të përplasë dy këndvështrime krejtësisht të kundërta midis tyre, atë nacionalist – deri në racist – nga njëra anë me këndvështrimin kozmopolit e europianist nga ana tjetër. Dhe ja arriti qëllimit. Për fat të keq, ashtu siç ndodh edhe tek popujt e tjerë të Ballkanit, ithtarët e pikëpamjes së parë janë ndjeshmërisht më të shumtë në numër tek komentet e tyre poshtë lajmit të publikuar. Bile kaq i madh ishte shqetësimi, saqë deputeti i partisë së ekstremit të djathtë “Agimi i artë” i zgjeroi epitetet e tij raciste nga Eleni Fureira drejt të gjithë Shqiptarët në Greqi. Sa për informim, këngëtarja në fjalë ka qenë gjerësisht e njohur tek artdashësit si një vajzë greko-meksikane, identitet i promovuar nga vetë ajo për shumë kohë me radhë. Por befasisht një ditë, ajo pranoi se nevoja për të bërë karrierë e kishte detyruar të fshehë identitetin e vërtetë, atë shqiptar.

Problemi i cili qëndron këtu është gjithashtu i pranishëm në marrëdhëniet shtetërore e ato ndëretnike midis Shqipërisë dhe Greqisë. Një Shqiponjë e formuar nga bashkimi i pëllëmbëve të duarve indinjon një pjesë jo të vogël të opinionit publik grek. Në të njëjtën kohë, po kjo shqiponjë imagjinare ngre peshë krenarinë e Shqiptarëve, ndonëse një pjesë e tyre shkojnë deri tek retorikat irredentiste për ndryshimin e kufijve. Siç u tha më lart, simbolikat janë të pranishme në marrëdhëniet politike dhe ndikojnë tek këto të fundit. Gjithashtu, fenomeni në fjalë duket më i theksuar tek shoqëritë e Ballkanit, atje ku inati kundër fqinjëve është historikisht i rrënjosur thellë në ndjenjat e popujve. Edhe pse ky shpend që po kthehet në një specie në zhdukje me kalimin e kohës, për shkak të dëmtimit të klimës dhe ambientit – mbrojta e ambientit përbën për mua një patriotizëm po aq të rëndësishëm sa dhe demonstrimi i simbolikave – përdorimi i shqiponjës dhe abuzimi me të vazhdon ende sot të ndikojë në marrëdhëniet që zhvillohen midis njësive kolektive, siç janë kombet.

Nga njëra anë, Grekët nacionalistë shqetësohen kur dikush që jeton në shoqërinë greke – dhe për më shumë një komunitet i tërë – pohon një prej të drejtave më themelore që prej kohës së iluminizmit, të drejtën e kombësisë. Nuk është krim të deklarosh se origjina jote është Shqiptare dhe në të njëjtën kohë jeton harmonikisht në shoqërinë greke, së bashku me Grekët dhe me nacionalitetet e tjera që jetojnë e punojnë në Greqi. Anëtarë në Bashkimin Evropian që prej vitit 1981, Grekët e dinë se sot shoqëritë evropiane bazohen tek parimi madhor “të bashkuar në diversitet”. Dikush që formon shqiponjën dhe pohon apo krenohet me identitetin e tij të origjinës është në pozicion të njëjtë me një Grek që ndodhet në Australi, Angli, Gjermani, Turqi apo Shqipëri e që mban në dorë një rrip ngjyrë bardh e blu. Pra, si Greku ashtu dhe Shqiptari dëshirojnë të shprehin ndjenjën dhe identitetin e tyre se ku ata bëjnë pjesë. Megjithatë, jo pak Grekë të painformuar dhe mbase simpatizantë të retorikave nacionaliste vazhdojnë ta shohin formimin e shqiponjës si një akt që brenda tij fsheh irredentizëm, konkretisht retorikën e formimit të “Shqipërisë së madhe”, dhe si e tillë nuk mund të jetojë së bashku me identitetin kombëtar grek. Në këtë prizëm, Fureira, e cila edhe pse prezantoi me dinjitet artistik Qipron, perceptohet si e kundërta e Grekëve, pra ana “e kundërt” e identitetit kombëtar Grek.

Në mënyrë të ngjashme simbolika e shqiponjës deformohet nga një pjesë e vetë Shqiptarëve, të cilët kalojnë nga shprehja e kombësisë tek nacionalizmi inkoherent i Shqipërisë së Madhe ose tek vizioni irredentist për ta krijuar atë. Kjo luhatje kuptimesh e vendos simbolikën shqiptare në pozicion të krahasueshëm me përshëndetjen e Serbëve me tre gishtat lart dhe kuptimin nacional që merr kjo e fundit. Ndonëse nisi si një përshëndetje me karakter fetar, e cila simbolizonte Trinitrinë e Shenjtë, më vonë ajo u përdor nga nacionalistët Serbë në luftërat që përshkuan Jugosllavinë dhe Serbinë qysh prej fillimit të shekullit të 20-të. Sot ajo perceptohet prej Shqiptarëve si simbol antishqiptar i Çetnikëve Serbë, në mënyrë të ngjashme me perceptimin që ruajnë Grekët për shqiponjën e bashkimit të pëllëmbëve të duarve, edhe pse kjo e fundit përbën gjithashtu simbol kombëtar të disa prej popujve historikisht miq me Grekët siç janë Serbët e Rusët. Megjithatë, shumë njerëz të artit e sportit nuk kanë nguruar të përshëndesin me tre gishtat lart, jo për ndonjë qëllim nacionalist e antishqiptar, por për të shprehur krenarinë e tyre të përfaqësimit kombëtar, ashtu siç bëjnë zakonisht sportistët e artistët shqiptarë, ashtu siç bëri Fureira se bashku me Bushpepën në Portugali.

Me fjalë të tjera, përpara se mediat dhe politika të manipulojnë realitetin qëllimisht e më pas të reagojnë duke helmuar marrëdhëniet midis shteteve e ato ndëretnike – sepse duhet thënë që streha më e lehtë e ‘tregtarëve’ është fitimi, qoftë ky i fundit në formën e teleshikueshmërisë, qoftë si garë për të peshkuar vota duke mbuluar dështimet politike – kjo duhet të paraprihet prej forcimit të demokracisë dhe përmirësimit të arsimit, dy procese këto që garantojnë kohezionin e shoqërive evropiane. Kjo, sepse themelet e demokracisë së Bashkimit Evropian bazohen, midis të tjerash, tek nevoja e minimizimit të perceptimeve të nacionalizmit ekstrem, sipas të cilit fqinji ‘armik’ historik vazhdon të jetë armik edhe në ditët e sotme. Përkundrazi, respektohet diversiteti i shoqërive, si dhe toleranca e individëve për të jetuar të gjithë së bashku me qëllim progresin shoqëror e të barabartë përpara shtetit të së drejtës. Gjithashtu, respektohen kufijtë territorialë dhe sovraniteti kombëtar i secilit shtet. Këto themele vazhdojnë të qëndrojnë të forta edhe pse Bashkimi Evropian po përballet prej një dekade me pasojat e krizës ekonomike që filloi në vitin 2008. Në këtë kontekst, lind nevoja që sot e në të ardhmen të ri-transmetohen disa prej vlerave themelore nga shoqëritë evropiane – dhe ato që aspirojnë të anëtarësohen në B.E – drejt qytetarëve të tyre. Qëllimi kryesor duhet të jetë respektimi i barazisë përpara ligjit, shanseve të barabarta dhe që detaji të mos përpihet nga turmat. E që të realizohet kjo duhet të ndodhë praktikisht e jo të mbetet në një copë letër pa kurrfarë aplikimi. Le të shpresojmë!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.