Ministri i Brendshëm në ankand politik...

Postuar në 10 Maj, 2018 13:00

Nëse në këtë zhurmë do të kishte një grimcë përgjegjësi të ministrit tonë të Brendshëm, përpara se të flisnin këta, do fliste miku ynë protagonist i jetës sonë publike, ambasadori amerikan dhe i BE. Do flisnin ata që nuk kanë lënë rast pa folur, pasi nuk kanë lënë rast pa verifikuar. Ata as kanë folur dhe as kanë çfarë të thonë fare. Për ata ky është një fakt i njohur dhe nuk përbën asnjë implikim direkt ose indirekt qoftë të qeverisë së këtyre, qoftë tonën

Kështu ka deklaruar kryeministri Edi Rama sot në Parlament duke tentuar të mbrojë në një mënyrë origjinale vartësin e tij në qeveri, ministrin e Brendshëm, Fatmir Xhafaj.

Nuk është hera e parë që z. Rama aplikon këtë standard që na thotë, e që me gjasë i thotë edhe vartësit të tij: Unë nuk të mbroj deri në fund.

Edhe gjatë procesit të reformës në drejtësi, përgjegjësia për të cilën është padyshim dhe mbi të gjitha e PS-së dhe kryeministrit që e iniciuan dhe janë palë, z. Rama mbrohej për dispozita apo çështje të ndryshme me alibinë e preferuar se “këtë e duan SHBA dhe BE”.

Rasti i fundit vetëm dje: shkarkimi i prokurorit Hajdarmataj çoi në interpretimin se po largohej një person që do çonte eventualisht në dënimin e ish-ministrit Sajmir Tahiri, por pasdite, z. Lu, ambassador i SHBA në Tiranëm, bëri zjarrfikësin duke deklaruar se prokurori ishte shumë i ngadaltë. Pasoja? Sot opozita në Parlament u mor sërish me Fatmir Xhafën dhe jo Saimir Tahirin.

Është e vështirë të kuptohen këto lëvizje që kanë nga pas kodin e shantazhit reciprok. Është po kaq e vështirë të kuptohet se cila është axhenda personale e Donald Lu, që përfaqëson këtu një vend nga i cili në dy muajt e fundit janë prodhuar raporte hiperkritike për qeverinë shqiptare, ka vendime për ndalim hyrjeje për dy zyrtarë, por për të cilat z. Lu ka mbajtur heshtjen, ose ka preferuar të flasë në mënyrë selektive. Z. Lu nuk ka thënë asnjë fjalë për vendimin për ndalimin e Tom Doshit, por e ka bërë çështje të vetën sulmin ndaj Adriatik Llallës. Ai mbron vendime të caktuara si ky për Hajdarmatajn, ndërkohë që sot mori nga kryeministri dhuratën e radhës: nëse ai flet diçka kundër Fatmir Xhafës, ministri i Brendshëm mund të fluturojë nga detyra. Edhe pse Xhafaj duhet thënë se është pritur në disa takime jashtë vendit dhe ka një tjetër imazh nga paraardhësi i tij, kampioni i Edi Ramës për rendin, Sajmir Tahiri. Z. Xhafaj është ministër që numëron bandat, siç tha paraardhësi i tij dhe mesa duket ka ekspozuar kështu një realitet të rënduar të rendit publik, që duket se nuk i pëlqen as kryeministrit aktual.

E pakuptueshme se kush e organizon këtë betejë kundër ministrit të Brendshëm, por shenjat janë se pas saj nuk qëndron vetëm PD.

Comments

Submitted by Albi_I (not verified) on

Nuk ka asnje beteje te mistershme.

Vellai i Xhafes eshte nje kriminel, te cilin karriera e Fatmirit e ka mbrojtur.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.