Kush po kërkon largimin e Xhafës për herë të dytë?

Postuar në 11 Maj, 2018 00:11

Fatmir Xhafaj po përballet me një stuhi politike që mund të çojë në shkarkimin e tij të dytë nga detyra si ministër i Brendshëm. Kujtojmë që largimi i parë erdhi si rezultat i paktit Rama-Basha për qeveri teknike në 2017, me një shkarkim të firmosur teksa ai ndodhej në Itali me ftesë të ministrit Marco Mitti.

Ikja e Xhafës ndodhi vetëm dy muaj pas emërimit të tij në detyrë dhe çuditërisht pa sforcon që Edi Rama tregoi në largimin e stërzgjatur të Sajmir Tahirit, i cili u motivua me nevojat partiake të socialistëve në fushatën elektorale.

Edhe kësaj radhe kryeministri po e kalon shumë i qetë presionin e opozitës për Fatmir Xhafën, duke e peshuar kokën e ministrit të tij me çfarë do thotë për këtë çështje ambasadori Lu.

Ky i fundit, ndonëse  i preokupuar për të zgjidhur keqkuptimet me Ylli Manjanin ka heshur formalisht, ndryshe nga ish-ministri i LSI-së që pas kafes me ambasadorin ishte i mendimit se Edi Rama duhet të shkarkojë Fatmir Xhafën.

Nuk dihet nëse kjo është një ide e ndikuar nga ambasadori, apo vetëm një sugjerim racional nga “rebeli” i LSI-së. Gjithsesi ky qëndrim gjakftohtë i kryeministrit nuk është në karakterin e tij politik nëse marrim si etalon reagimin e emocional dhe terezinë e prishur nga një protestë e një grupi kuksianësh.

Ministri i tij i Brendshëm është përballë një sulmi frontal dhe çuditërisht  kjo nuk është se ka ndikuar në humorin e kryeministrit. Javët e fundit Xhafaj dhe Rama kanë treguar se nuk janë në një gjatësi vale dhe kjo u pa fare qartë në reagimet pas kapjes së 613 kilogramëve kokainë në Portin e Durrësit. Edi Rama nxitoi ta prezantonte operacionin si arritje 100% shqiptare, por ministri në një postim falenderoi partnerët për operacionin.

Më pas Xhafaj u mundua të arrnonte diçka, ndërsa nga ana tjetër kryeministri nuk la zyrtar pa angazhuar në një fushatë meritash personale për operacionin e Durrësit.

Një paradoks i madh po të mendosh se kapja e një sasie të tillë droge goditi fort imazhin e qeverisë në një kohë që kryeministri tumbetonte pastrimin e Shqipërisë nga kanabisi. Pak javë më vonë fatmir Xhafaj paralajmëroi arrestimin e Arbër Çekajt dhe kjo ishte një pikë kthese edhe në qëndrimin e opozitës. A mos vallë ka qenë ministri që ka informuar palën gjermane për Çekajn? Kjo mbetet një pikëpyetje që mbetet për t’u provuar nga vetë zoti Xhafa.

Pakënaqësitë për ministrin e Brendshëm janë shprehur hapur edhe nga paraardhësi i tij Sajmir Tahiri që pak a shumë përcolli idenë se Shqipëria nuk meriton një ministër që numëron bandat. Ndoshta kjo vlen edhe për kryeministrin, i cili shkarkon nga detyra kreun e Prokurorisë së Krimeve të Rënda me argumentin se nuk hetoi drogën e Durrësit, ndërkohë që Hajdarmataj ishte drejtues i grupit hetimor për çështjen Tahiri.

Situata e krijuar ka ushqyer me një kauzë jo të vogël edhe opozitën, e cila jo domosdoshmërisht mund të vijë në pushtet me zgjedhje, por me bashkëqeverisje për të mirën e Shqipërisë nëse Bashkimi Europian nuk hap negociatat.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.