SHBA tërhiqet nga marrëveshja bërthamore, Irani qëndron: Vazhdojmë me partnerët e tjerë

Postuar në 09 Maj, 2018 02:07

Presidenti amerikan Donald Trump ka dalë sot në mbrëmje para mediave për të përcjellë mesazhin e tij për daljen e SHBA nga marrëveshja bërthamore me Iranin. E konsideruar një lëvizje politike me pasoja të paparashikueshme, vendimi në fjalë është ndoshta më turbulluesi qëkurse Trump mori detyrën. Ai e vendos regjimin iranian në qendër të një armiqësie të shpallur nga SHBA, ndërkohë që kapacitetet nuk përputhen dhe konkurenca mes të dyja vendeve është shumë e pangjarë. Rusia hyri në listën e vendeve kundërshtare të SHBA vetëm vitin e kaluar me klasifikimin që autoritetet e sigurisë bënë, ndërkohë që për Kinën vijonë të flitet për rivalitet dhe antagonizëm. Irani nuk ka as popullsisë, as kapacitetet dhe as mundësinë që të sfidojë SHBA-në dhe programi i tij raketor nga të gjitha analizat që publikohen shërben më shumë si frenues për rivalët e tij rajonalë, kryesisht sauditët.

Trump e ka nisur fjalën e tij me përshkrimin e marrëveshjes së vjetër të vitit 2015, që sipas tij nuk përmbushi asnjë prej objektivave të veta e ca më keq, përkufizohej në terma që për SHBA janë të papranueshme. Kështu sipas Trump, ambiciet bërthamore iraniane nuk u ndalën dhe për këtë presidenti i SHBA nuk e pati problem të referonte si burim të ashtuquajturat publikime të Izraelit, të cilat nuk kanë ende asnjë të dhënë publike që të bëjë të besojë se ka me të vërtetë diçka reale pas pretendimeve të kryeministrit Beniamin Netanyahu.

Nga ana tjetër Trump ka deklaruar se marrëveshja nuk adreson programin balisitik iranian, ajo neglizhon kapacitetet konvencionale iraniane, aftësitë e tij për luftë asimetrike, sidomos përmes palëve të treta që i kontrollon. Më tej akoma, presidenti amerikan ka vijuar me përkufizimin e Iranit si një shtet që ka në strategjinë e vet sponsorizimin e terrorit, por në këtë kuadër Trump ka përmendur vetëm Hamasin, Al Kaedan, Hezbollahun dhe talebanët. Irani nuk figuron për SHBA ndër sponsorizuesit e Shtetit Islamik, grupi që u bë shkak për luftën civile në Siri.

Duke paralajmëruar rivendosjen shumë shpejt të sanksioneve presidenti i SHBA ka deklaruar se do të vazhdojë të punojë me partnerët europianë për të adresuar siç duhet çështjen bërthamore iraniane. Ai e ka cilësuar veprimin e sotshëm shumë të rëndësishëm:

Veprimi i sotshëm dërgon një mesazh kritik. SHBA nuk bën më kërcënime boshe. Kur unë bëj premtime, i mbaj ato. Në fakt në këtë moment, sekretari Pompeo është në vizitë në Korenë e Veriut në përgatitje për takimin tim të afërt me Kim Jong-Un. Janë bërë planet, marrëdhëniet po ndërtohen, me shpresën që do të ketë një marrëveshje dhe me ndihmën e Kinës, Koresë së Jugut dhe Japonisë, mund të arrihet një e ardhme me zhvillim dhe siguri të madhe për të gjithë…Do të hyjnë në fuqi sanksione shumë të rënda. Nëse regjimi vazhdon me ambiciet bërthamore do të ketë probleme më të mëdha sesa ka patur ndonjëherë më parë

tha ndër të tjera Trump.

Ai ka thënë disa fjalë edhe për popullin iranian ndaj të cilit ka ndarë simpatinë e vet dhe respektin për kulturën e lashtë. Kreu amerikan ka bërë të qartë se është i hapur për një marrëveshje të re, e cila sipas tij do të kërkohet nga liderët iranianë pavarësisht se çfarë deklarojnë sot.

Regimi i Obamës dhe Kerryt

Menjëherë pasi presidenti amerikan deklaroi tërheqjen e SHBA nga marrëveshja me Iranin, dy ish-drejtuesit e administratës paraardhëse në SHBA, ish-presidenti Barack Obama dhe ish-sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, kanë reaguar përmes rrjeteve sociale duke vlerësuar se vendimi i sotshëm është një hap pas për sigurinë e Amerikës. Kerrye ka mbyllur paragrafin e postimit të tij me shpresën se marrëveshja do të vijojë të funksionojë nga ana e partnerëve europianë që janë të ndarë në qëndrime me SHBA në këtë pikë. Kerry është akuzuar se ka ndjekur diplomaci të fshehtë këto kohë për të lobuar që marrëveshja të respektohet nga palët e tjera përveç SHBA.

Nga ana e tij, Obama ka sqaruar më gjatë pozicionin e tij në vitin 2015, duke cilësuar se largimi i SHBA i hap rrugë kërcënimeve të mëdha të cilat regjimi iranian ka dëshmuar se i menaxhon dhe orienton me shumë sukses.

Nga ana tjetër, ai ka bërë thirrje që deklarimet mbi këtë çështje të bazohen mbi fakte dhe sipas tij ato janë kokëforta. Ish-presidenti ka nënvizuar se marrëveshja e vitit 2015 e kufizonte Iranin në përpjekjen e tij për të realizuar bombën bërthamore, ajo bazohej në inspektime intensive dhe në monitorim rigoroz. Po kështu, sipas shërbimeve sekrete amerikane, rezulton se Teherani zyrtar ka respektuar termat e marrëveshjes dhe së fundmi marrëveshja nuk ka afat. Çka do të thotë se kontrolli mbi Iranin në këtë kuadër është permanent.

Mbrojtja e marrëveshjes së vjetër do të ketë kuptim deri në pikën kur basti i Trump “se iranianët do të kërkojnë rinegociimin e marrëveshjes” të përmbushet, përndryshe kjo çështje rrezikon të ndajë SHBA në mes.

Teherani: I mbetemi marrëveshjes

Kundrejt veprimit të Trump, presidenti Iranian, Hassan Rouhani ka reaguar duke deklaruar se vendi dhe qeveria e tij i përmbahen ende marrëveshjes duke cilësuar tërheqjen e SHBA të paligjshme.

Nëse në arrijmë synimet e marrëveshjes  në bashkëpunim me anëtarët e tjerë(marrëveshja u nënshkrua nga disa vende) ajo do të mbetet në fuqi. Duke dalë nga marrëveshja SHBA ka minuar zyrtarisht  angazhimin e vet ndaj një traktati ndërkombëtar. Kjo është një përvojë historike për Iranin. Për 40 vjet ne kemi thënë dhe përsëritur se Irani u përmbahet përherë angazhimeve të tija dhe se SHBA asnjëherë nuk e bën këtë. 40 vitet e historisë sonë tregojnë se amerikanët kanë qenë agresivë kundër popullit të madh të Iranit dhe rajonit tonë.  Kjo është një luftë psikologjike dhe ne nuk do ta lejojmë Trumpin të fitojë

tha Rouhani.

Asnjë prej palëve nuk ka komentuar apo analizuar qëndrimin e SHBA në raport me interesat strategjike në rajonin e Lindjes së Mesme siç është p.sh kursi i ri i Arabisë Saudite në drejtim të Izraelit apo edhe ndryshimi i politikës turke që sot gjendet në partneritet me Teheranin dhe Rusinë të paktën në Siri. Të trija në pozicionet më straegjike mes Azisë dhe Europës dhe në mes të pellgut më të madh energjetik dhe të gazit në botë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.