Ekstradim politik apo shkëmbim me gylenistët?

Postuar në 08 Maj, 2018 21:47

Ish-truproja i Sali Berishës, Izet Haxhia ka ardhur në Shqipëri, ndoshta bashkë me pasojat politike që mund të prodhojnë dëshmitë e tij, nëse drejtësia do të rikonsiderojë akuzat e ngritura për çështje që konsiderohen të mbyllura. Kujtojmë që ekstradimi i njërit prej të dënuarve për vrasjen e Azem Hajdarit vjen pas një refuzimi 12 vjeçar të drejtësisë turke për ta transferuar atë në Shqipëri.

Arsyet e këtij refuzimi por edhe ekstradimi janë ende të paqarta siç i ka shprehur në një prononcim të pak ditëve më parë vetë Haxhia që jetonte në Turqi statusin e azilantit politik. “E çuditshme që u kujtuan pas 12 vitesh për ekstradimin dhe tashmë që janë arrestuar peshqit e mëdhenj”- deklaroi jo pa ironi Haxhia ne nje prononcim per News 24 pasi u njoh me vendimin e Gjykatës turke.

Për çfarë arsye atëherë drejtësia turke vendosi ekstradimin e Izet Haxhisë? A është shkëmbyer ai me premtimin e Tiranës për të mbajtur nën vëzhgim gylenistët, në mos dorëzimin e tyre autoriteteve turke. Për këtë çështje kryeministri Rama ka pranuar se ka patur negociata me Ankaranë dhe nuk përjashtohet me vetë presidentin Erdogan, gjatë vizitës në vilën private të këtij të fundit.

“Di të them që ai rrjet që organizoi përmbysjen me dhunë përmes armëve të një qeverie të zgjedhur në Turqi është i rrezikshëm dhe kur vjen puna te Shqipëria ne sigurisht që njerëz individë të cilët supozohen të lidhur me atë rrjet i mbajmë nën vëmendje se bëhet fjalë për sigurinë tonë kombëtare. Kjo nuk është me nëse, kjo është shumë e thjeshtë, e s’kam prirjen t’i konsideroj ato që ndodhën në Turqi, të lehta'-deklaroi Rama në një intervistë për Ora News.

Megjithatë ish-truproja i Sali Berishës ka përcjellë idenë se vjen në Shqipëri i qetë pasi ka marrë garancitë e qeverisë shqiptare pikësë pari për jetën, ndonëse mbetet e paqartë nëse Izet Haxhia do t’i qëndrojë kërkesës për rigjykim dhe dëshirës për të mos heshtur.

Kjo varet dhe nga ajo që Haxhisë i është ofruar apo do t’i ofrohet nga qeveria shqiptare, çka në gjuhën e të arrestuarit quhen garanci. Ndoshta vetë ai nuk e ka dashur ekstradimin në Shqipëri, por në kushtet e një marrëveshjeje politike, atij nuk i mbetet gjë tjetër veçse të ofrojë pazarin e tij.

“Ajo që unë apo avokati im ka kërkuar nga Gjykata turke është që të më jepet garanci nëpërmjet shtetit turk që kur të kthehem në vendin tim, t’i nënshtrohem një procesi të rregullt dhe të pavarur gjyqësor”-ka thënë ai për "Panorama" para se të vinte në Shqipëri.

Izet Haxhia ka shprehur vullnetin për të rrëfyer për të gjitha ngjarjet e rënda, në një sallë gjyqi, ku përballë të ketë ish-kryeministrin, ndaj të cilit ka ngritur disa akuza, ku më të rëndat janë ato për nxjerrjen në pritë të Azem Hajdarit dhe torturimin deri në vdekje të Remzi Hoxhës.

Haxhia ka deklaruar se arrestimi i Remzi Hoxhës është bërë me urdhër të Gazidedes, pasi ky i fundit kishte filmuar një takim të Berishës, Gligorovit e Millosheviçit në vilën Viljana në Ohër. A janë këto çështje në dinamikën e arsyeve që sollën Izet Hazhinë në Tiranë, kjo mbetet për t’u parë. Vetë Izet Haxhia i ka shpallur luftë Sali Berishës, duke thënë se nuk u trembet kërcënimeve të tij.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.