200 vjet Karl Marks

Postuar në 06 Maj, 2018 13:35
Robert Thomanikaj

Nëse do të ketë një njeri të vetëm në historinë e njerëzimit, i cili –megjithse mund të jetë urrejtur nga fakti i lidhjes së emrit të tij me diktaturat e shekullit 20, apo nga fakti i ateizmit të tij të hapur– me tu lexuar të bën për vete, -ky njeri është Karl Marksi. Nëse ka një njeri që ua mori filozofinë elitave dhe individëve të veçantë, për ta bërë atë një fushë aq të dashur për të gjithë masën e popullsisë ky është po Karl Marksi; (duhet ta lexoni për tu bindur për këtë). Nëse ka një njeri që i urrente kompromiset, ndonëse vetë kish pohuar që nuk ishte marksist -ky është po ky njeri i lindur 200 vjet më parë në Trir (Trier) të Gjermanisë, më 5 maj 1818, bir i një avokati gjerman me fe çifute, e më vonë (1824) i kthyer në fenë protestante.

   Në kohën time të rinisë, aty në vitet ’80, nuk kishte më njerëz që të lexonin Marksin apo Engelsin; një brez më parë ç’oku gjeje disa kokrra “të marrësh” që ishin familjarizuar mirë me të dy klasikët gjermanë, por jo më në brezin tim të familjarizuar tashmë me Majkëll Xheksonin. Nuk e di se ç’dell më hypi mua këtë kohë sundimi pantallonash kaubojs, që më bëri ti lexoj të gjitha ç’ishin përkthyer në shqip prej tyre. Niste ky formim i imi me “Manifestin”, vazhdonte me “Ideollogjinë gjermane”, e përfundonte me “Kapitalin” dhe “Teoritë e Mbivlerës”. Nuk mund ta mohoj se një pjesë e formimit tim i përket Marksit dhe Engelsit, sidomos ai i këndvështrimit dialektik të fenomeneve të natyrës dhe shoqërisë.

  Mendoj se me Karl Marksin mbyllet periudha e filozofisë klasike dhe nis ajo e dy drejtimeve të tjera, asaj revolucionare dhe asaj moraliste - e para sipas motos marksiste: deri tani filozofët e shpjeguan botën, këtej e tutje detyra e tyre është ta ndryshojnë atë, dhe e dyta sipas motos post-kantiane: mos bëj atë që nuk do të dëshiroje të ta bënin ty të tjerët! Drejtimi i parë duket se e përfundoi misionin e tij në fund të mijvjeçarit që sapo lamë, ndërsa ky i dyti vazhdon sot e kësaj dite, duke e mbajtur veten (gabimisht) si vazhdues i filozofisë klasike. Drejtimi i parë –megjithatë–bën sikur shfaqet sot aty-këtu përmes disa grupimeve të vogla (psedo)revolucionare, kryesisht të sponsonizuara këto nga shërbimet e fshehta të vetë shteteve perëndimore, ku edhe kryhet kjo (psedo)veprimtari, ndërsa drejtimi i dytë vegjeton përgjumësh përmes punonjësve të paguar gjysëm-shtetërorë, -gjithë këto të dyja drejtime një shou alla Moulin Rouge, sa për ti dhënë paksa shkëlqim të ashtuquajturës demokraci perëndimore sot e në të ardhmen. E megjithatë, sot Marksi është i rikujtueshëm si kurdoherë.

  Nuk e besoj se do të kishim sot një Karl Marks, nëse nuk do të kishim patur më parë një Xhorxh Fridrih Hegel dhe një Ludvig Fojerbah, i pari me sintezat dhe ligjësitë e tij dialektike, i dyti me analizën kritike ndaj fesë. Edhe sot e kësaj dite i shohim zbatimin e ligjësive hegeliane në fenomenet e natyrës dhe atyre të shoqërisë. Edhe sot e kësaj dite gjejnë vend argumentet fojerbajanë kundra valiumeve fetare. Tek Marksi ligjësitë e të parit u kthyen me kokë lart, siç pohon edhe ai vetë, ndërsa argumentet e të dytit u ngritën në katror, do shtoja unë. E për ti vënë kësaj torte qershinë mbi ‘të, Karl Marksi u ul e studjoi ekonominë politike me rrënjë e dhëmballë, kështu për ti dhënë proletariatit bazën teorike të shuarjes së luftës së klasave, përmes marrjes me revolucion të mjeteve të prodhimit, drejt shuarjes së ndarjes së punës, që do ta çonte shoqërinë drejt komunizmit.

  Të gjitha këto ide ekzistonin ndërkohë, si në aspektin e teorive sociale –përmes utopistëve francezë, si Sen Simoni, Furje, etj., ashtu dhe në aspektin e teorive ekonomike –përmes ekonomistëve anglezë, si Rikardo, Smith, etj.. Tek Marksi këto teori dhe idè u ndezën për t’mos u shuar për rreth një shekull, aq sa pas vdekjes së tij këto flakë revolucionare u përhapën në të gjitha kontinentet e botës në forma e mënyra nga më të ndryshmet, duke u përzier kështu me gjithfarë formash drejtimi të shoqërisë. Kështu për të na dhënë pikërisht ato sisteme kapitaliste të formës shtetërore të prodhimit, të cilat Marksi i kish kritikuar qysh në të gjallë të tij. Ç’ti bësh!? Historia njerëzore ndjek shpesh herë rrugët e saja të pavaruara nga disa dëshira dhe idè të bukura të njeriut. Historia e njeriut nuk mund ti kapërcejë aq kollaj etapat e saj.

   Por ta lemë revolucionarin dhe ekonomistin e proletariatit Karl Marks, (e aq më tepër kur ai vetë –me të drejtë, do të shtoja unë– nuk e quan veten marksist), e të merremi me njeriun Karl Marks. Kush ishte ky? Kush e bëri atë Karl Marks? Natyrisht që përmendëm Hegelin dhe Fojerbahun, e mund të përmendim këtu me dhjetra emra që e bënë atë. Por atë –siç edhe me njerëzit e tjerë– do të thoja se më shumë e bëri koha. Pikërisht ajo kohë revoltash e revolucionesh, kur klasa e re e borgjezisë po shkallmonte prangat e sistemit të vjetër feudal prusian, kur kjo klasë e re po i dilte për zot edhe klasës nën ‘të, klasës punëtore, e cila vuante shfrytëzimin maksimal të kapitalistit, gjithashtu edhe atë të shtetit “modern” me ligjet e shumta të tij. Kjo kohë ishte kohë censure, që mbyllte një gazetë (Gazeta Renane- Rheinische Zeitung), ku djaloshi i ri Karl ishte kryeredaktor, dhe nuk linte të dilnin gazeta të tjera të tij, si p.sh “Gazeta e re Renane” apo “E përvitshmja gjermano-franceze”, të cilat e shihnin vetëm njëherë apo pak herë dritën e botimit. Pikërisht kjo kohë revoltash e revolucionesh e bëri jo pak atë. E kaliti dhe e skaliti në memorien e bashkohësve. E shqelmoi dhe e zbuti nën fatkeqësitë e ndryshme familjare, tek katër fëmijë i vdiqën dhe tre i rrojtën. Por mëndjen nuk ia morri dot kjo kohë, kështu as ndershmërinë, sinqeritetin dhe karakterin.

   Me sa kujdes dhe përkueshtmëri Karl Marksi jepte në librat e tij citimet/ referimet e ndryshme. Jemi në shekullin e XIX dhe nuk janë të pakta rastet kur autorë të ndryshëm “harrojnë” të japin në librat e tyre citimet/ referimet e ndryshme e të nevojshme për ato teza e hipoteza të konsumuara nga të tjerë më parë. Por tek Marksi kjo nuk ndodh kurrë. Pikërisht –ngaqë siç thashë i kam lexuar të gjitha librat e tij– kjo është ajo që mua më ka tërhequr dhe më ka edukuar më shumë tek ky klasik i ekonomisë politike. Kjo ndershmëri, jo vetëm asaj kohe që mungonte, por mungon edhe sot tek shumë autorë, si të vendeve të vogla, ashtu dhe atyre të mëdha, si Gjermania, Anglia, Amerika, etj..

   E natyrisht që ndershmëria është e lidhur edhe me zgjuarsinë. Nuk është balli i gjerë i Marksit që e provon këtë, por ajo kulturë e gjërë e tij dhe sinqeritet i gjithanshëm, që shihet në shkrimet dhe momentet e ndryshme të jetës së tij. Sa për illustrim po sjell një episod të vogël. Teksa po vizitonte një uzinë të vogël moderne në Çeki, dhe punëtori i maqinerisë po i shpjegonte Marksit me hollësi dhe përpikmëri të gjithë proçesin e bërjes së gjilpërave, nga futja e telit e deri tek produkti përfundimtar, shpjegim disa minutësh ky që nuk doli fare nga tema e punës prodhuese, Marksi u komentoi më pas miqve të tij shoqërues, ja, kështu është kur teknollogjia e zhvesh njeriun nga çdo aspekt intelektual! Ndokush mund ta quajë si ofendim për punëtorin, e të thotë se babai i proletariatit ofendon proletarin! Mundet të jetë edhe ofendim, por në radhë të parë është një gjykim objektiv i Marksit, që dallon se si teknollogjia e caktuar e bën punëtorin thjesht një shtojcë të saj. Kjo ndershmëri për ti thënë gjërat ashtu siç janë, ishte veti e Marksit. Për këtë duhet patur respekt. Përse ai pastaj nuk e shpjegoi (teorikisht) deri në fund rrugën e proletariatit, kjo pastaj është një temë e gjatë. Por të paktën la dy pika kryesore për këtë rrugë, (edhe këto të thëna nga të tjerë më parë), heqjen e trashëgimisë dhe zhdukjen graduale të ndarjes së punës. Thonë se të mirat janë gjithmonë tre, dhe për të tretën –pikërisht atë qershizën mbi tortë–  ai nuk pati kohë, pasi ndrroi jetë në mars 1883. E kushedi, ndoshta qershiza e proletariatit nuk ka qenë në dorë të tij!   

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.