Rikthimi i Tepsisë

Postuar në 02 Maj, 2018 13:37
Skerdilajd Zaimi

Kaluan vetëm pak ditë nga shuplaka gjermane dhe franceze për hapjen e nevociatave me BE-në dhe qeveria e Edi Ramës u detyrua të shpikë një fushatë dëgjesash me popullin të cilin do ta pyesë se çfarë nuk shkon. Kjo është hera e disatë që dialogu me njerëzit, kuptohet me kaseta të përgatitura për televizionet, zhvillohet nga kjo qeveri. Kryeministri Edi Rama e shpjegoi kështu nismën në takimin e sotshëm që ai e quan “me qytetarë” në Tiranë: 

Kjo është një fushatë për çka kemi bërë në gjashtë muajt e parë të qeverisjes e çfarë duam të bëjmë më tej; por edhe për të dëgjuar qytetarët në çdo njësi administrative të Shqipërisë, për çka ata mendojnë lidhur me punën tonë

Kjo është patjetër ndoshta hera e parë që një kryeministër kërkon bilanc brenda gjashtë muajve nga ministra që janë aty si zgjedhjeve ekskluzive e tij(po të heqim vetëm ministrin e Brendshëm).

Zoti Rama e nisi mandatin e dytë me një fjalim ku bënte thirrje për përgjegjshmëri, e cila vinte nga një votë që delegoi pushtet shumë të madh. Ndaj kjo kërkesë do të ngjante e natyrshme sikur në mes të mos ishte jo-ja gjermane dhe franceze për negociatat. Është e vështirë të mendohet se nëse rekomandimi i Komisionit do të kishte gjetur jehonë pozitive nga të gjitha vendet anëtare , z. Rama do të ndërmerrte këtë veprim. Ai e njoftoi atë në mbledhjen e Asamblesë së PS-së duke e shërbyer si diversion ndaj debatit që po zhvillohet për dështimin eventual me negociatat, hapjen e të cilave edhe ai nuk e përjashtoi se mund të shtyhen në një kohë të dytë. 

Seanca e dëgjesave është një mënyrë që kryeministri të vijë në kontakt me problemet dhe të kuptojë më mirë kompleksitetin e realitetit të interesave që menaxhohen nga ministra apo drejtorë që janë në varësi të tij. Dhe ky në vetvete përbën një formë presioni. Por ai nuk ofron zgjidhjen e situatës e cila buron nga sistemi jofunksional. 

Z. Rama njoftoi me pompë të madhe se punësimi do të ishte thelbi i mandatit të dytë, bashkëqeverisja po ashtu. Në fakt asgjë nuk po duket se po lëviz në kuptimin e një rregulli të ri, apo një fryme të re. Shkarkimet publicitare të drejtorëve milionerë të hipotekave apo të spitaleve rajonale ishin dhe mbetën vendime të izoluara që pak kanë të bëjnë me një shtet ku zbatohet ligji. Vullneti i Njëshit sugjerohet si korrektimi final i një realiteti ku padrejtësia dhe paaftësia gjallojnë nën okelion e qeverisjes së vështirë që bazohet në reforma. 

Nuk është pa rëndësi të vihet në dukje edhe lista  e personave që janë angazhuar për të vënë në dukje kritikat e kurdisura në Asamble. Taulant Balla dhe Ilir Beqja janë ngarkuar që të kritikojnë ministrat të cilët ndodhen befas para një Pazari të rritur. Është domethënëse pasi të dy zotërinjtë përfaqësojnë në kuptimin politik asgjë më shumë sesa linjën personale të kryeministrit. 

Kjo është një qeveri që po të heqim dy apo tri emra pakkush të mbetet në mendje. Një qeveri që u pretendua se u ndërtua mbi ekspertë të fushave por që nuk thonë asgjë politikisht. Për këtë arsye zëvendësimi i ministrave që paraprihet nga teatri i kritikave për keqshpërndarje investimesh dhe apati është një teatër. Dhe është i tillë edhe për një fakt fare të thjeshtë ma natyrë administrative: në mandatin e dytë të qeverisjes socialiste u prezantua nisma e reduktimit të agjencive dhe vendosja e tyre nën kontroll direkt të kryeministrit. Si të akuzosh atëherë ministrat për shpërndarje fondesh kur teknikisht ato kalojnë në lupën e numrit një?

Do të kërkohej një shpjegim më “tradicional” për ndryshimet e njoftuara nëse qeveria do të përfaqësonte interesa grupimesh politike brenda një partie. Por kur ministrat janë njerëz pa identitet politik dhe vetëm katapultime nga anonimati, largimi i tyre i ngjan një loje personale të kryeministrit që gjendet në hallin e madh se nuk ka më përgjigje reale për sfidat që kalon vendi. 

Ndaj nuk do të ishte fare çudi që ky operacion që po na premtohet se finalizohet në shtator të vendosë në tavolinë propozime të njerëzve afër PD-së apo afër LSI-së pse pikërisht kjo është edhe bashkëqeverisja e vërtetë që z. Rama ka në mendje dhe është e vetmja klimë ku ndihet rehat dhe pa stresin e madh të presionit të gjithanshëm. Nuk mund të harrohet se dialogu me shqiptarët si figurantë përkon me një tjetër zhvillim: konsolidimin përfundimtar të Lulzim Bashës në Partinë Demokratike pas të ashtuquajtur Kuvend Kombëtar. 

E nëse kjo ndodh atëherë Timoni po rikthehet te Tepsia dhe të gjithëve u rroftë që votuan. Nuk do të ishte çudi edhe që asgjë të mos ndodhë, në varësi të qershorit, por që marrëveshja e 18 majit ka lëshuar hijen e vet si model që preferohet nga të gjithë kjo nuk ka më dyshim. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.