Facebook bën makiazhin e radhës

Postuar në 27 Prill, 2018 18:39

Ndryshimet e shpallura nga Facebook të mërkurën sipas analistëve janë më shumë  rezultat i presionit nga Rregullorja e re Europiane për mbrojtjen e të dhënave në rrjetet sociale dhe jo se papritmas Facebook vendosi të kujdeset për privatësinë e përdoruesve të saj.

Në mënyrë të veçantë, përdoruesve u kërkohet tani të zgjedhin mënyrën me të cilën Facebook mund të përdorë dhe shfrytëzojë të dhënat e tyre. Nga tani e tutje përdoruesit duhet të japin pëlqimin për përdorimin e të dhënave nga burimet e jashtme apo kompanitë e reklamave.

Facebook pyet përdoruesit nëse ata bien dakord për të analizuar fotot me teknologjinë e njohjes së fytyrës. Facebook e ka aplikuar më parë këtë teknologji për përdoruesit në Bashkimin Europian, por autoritetet rregullatore e ndaluan këtë praktikë për shkak të mungesës së pëlqimit nga përdoruesit.

Facebook është akuzuar se ka lejuar Cambridge Analytica të marrë të dhënat e miliona përdoruesve të Facebook pa pëlqimin e tyre, në mënyrë që t’i përdorë ato në fushatën për zgjedhjet presidenciale  të SHBA në vitin 2016 dhe referendumin e Brexit.

"Thelbi i politikës sonë për mbrojtjen e të dhënave është i njëjtë në të gjithë botën, njerëzit në BE do të shohin detaje të veçanta që janë vetëm të rëndësishme për njerëzit që jetojnë atje, njësoi si të marrin kontakt me oficerin tonë të mbrojtjes së të dhënave. Ne duam që të jetë e qartë se nuk ka asgjë të ndryshme në lidhje me kontrollet dhe masat e ofruar nga Facebook në të gjithë botën "- shkruajti Erin Egan, kreu i shërbimit të mbrojtjes së privatësisë së Facebook.

Përveç pëlqimin për përdorimin e të dhënave, Facebook njoftoi marrjen e masave edhe për profilet e rreme. “Dezinformimi dhe lajmet e rremë janë kërcënime hibride për institucionet tona demokratike dhe sigurinë tonë”-tha të enjten Komisioneri Evropian për Migrim, Punët e Brendshme dhe Shtetësi Dimitris Avramopulos.

Megjithatë, vlen të përmendet se pavarësisht skandalit me përdorimin e të dhënave personale, Facebook ka raportuar fitime neto prej 5 miliard $,  për tremujorin e parë të vitit 2018, me një rritje prej 63% gjatë vitit të kaluar, ku vetëm të ardhurat nga reklamat, u rritën me 50% ose 11.8 miliard $. Numri i përdoruesve aktivë ka shkuar në  2.2 miliardë nga 2.1 që ishte në fund të vitit 2017.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.