Sakrifikimi i fëmijëve/Në Peru zbulohet siti më i madh në botë me 140 kufoma

Postuar në 26 Prill, 2018 15:43

National Geographic njofton zbulimin në Peru të sitit më të madh në botë ku janë kryer sakrifica të fëmijëve. 140 trupa fëmijësh dhe 200 lama janë gjetur në vend që mendohet se janë vrarë rreth 550 vjet më parë. Vendndodhja e sitit përkon me atë që dikur quhej Perandoria Çimu, një entitet që i përket qytetërimit para-kolumbian në Amerikën e Jugut.

Vendi i saktë është distrikti Huanchaco, një gjysmë milje nga siti tjetër, Chan Chan që është pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s. Perandoria në fjalë tejkalohej vetëm nga inkasit që edhe i dhanë fund asaj në vitin 1475.

Trupat, si të fëmijëve ashtu edhe të kafshëve kanë shenja dhune dhe prerjeje në kafazin e kraharorit dhe zhvendosje të brinjëve që sugjeron se ndërhryja është bërë për të nxjerrë zemrën. Pranë sitit janë gjetur edhe mbetjet e tre të rriturve që kanë pësuar goditje të forta në kokë.

Fëmijët kanë moshë nga pesë vjeç deri në 14 dhe janë varrosur me fytyrë nga perëndimi, nga deti. Lamat janë të moshës 18 muajshe dhe janë groposur me fytyrë nga lindja ku janë majat e Andeve.

Kërkuesit mendojnë se të gjitha viktimat janë vrarë në një ceremoni të vetme dhe nëse konkluzionet e kërkimit do t’i përmbahen vlerësimeve aktuale, mund të kemi të bëjmë me sakrificën më të madhe të fëmijëve në historinë botërore. Jashtë Amerikës, një gjë e ngjashme është gjetur te fenikasit në Kartagjenë, por për të cilën nuk ka një shpjegim përfundimtar nëse bëhet fjalë për sakrificë apo jo. Vrasja e fëmijëve dhe lamave duket të ketë qenë e tmerrshme, pasi ata janë çuar drejt vdekjes përmes prerjes së kafazit të kraharorit dhe analizat provojnë për një dorë profesionale pasi prerjet janë konsistente dhe të njëtrajtshme.

Sakrifica njerëzore është gjurmuar në çdo zonë të botës dhe sipas shkencëtarëve ajo është dëshmi e zhvillimit të shoqërive komplekse ku elitat kanë synuar shtresëzimin, por edhe kontrollin e popullsisë. Por në pjesën më të madhe sakrifica njerëzore ka prekur të rriturit dhe jo fëmijët.

“Mendoj se është shumë e vështirë të shpjegohet sakrifikimi i fëmijëve”, citon NG Joseph Watts, kërkues në Institutin Max Planck.

Arsyet për këto akte kërkohen te përmbytjet e mëdha në zonë të provokuara nga El-Ninjo. Në vendngjarje janë gjetur masa të mëdha të mbetjeve të baltës çka dëshmon për shira të rrëmbyer dhe përmbytje. Ndoshta është fjala për shkatërrime të përmasave të mëdha dhe sipas një tjetër shkencëtari, Haagen Klaus, gjetjet e mbetjeve të fëmijëve të sakrifikuar edhe dy apo tre shekuj më parë sesa ata në sitin në fjalë, provon se Çimutë i janë kthyer sakrificës së të vegjëlve pasi panë se sakrifikimi i të rriturve nuk ka sjellë asgjë për të ndalur tërbimin e natyrës.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.