Skandali "Gulf" përfshin edhe policinë

Postuar në 24 Prill, 2018 11:01

Çështja e hetimit për mashtrim të administratorit dhe menaxherit të kompanisë “Gulf” merr përmasat e një skandali që ka të bëjë me veprimet e institucioneve shtetërore. Së pari ngjarja nisi me heshtjen e përfaqësuesve të Policisë së Shtetit dhe Ministrisë së Brendshme për faktin nëse Irakli Svanidze dhe Albano Aliko ishin vënë apo jo në kërkim. Njoftimin për këtë çështje Policia e Shtetit e dha zyrtarisht vetëm në datën 21 prill, pra një ditë pas kallëzimeve për mashtrim dhe pasi klientë të ndryshëm po përballeshin me mungesë shërbimi për tollonat e shpërndarë nga kompania.

Në datën 21 prill në faqen zyrtare të Policisë, njoftohet se “në datën 19 prill u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Tiranë, për shtetasit I.S dhe A.A vjeç 40 e 49, banues në Tiranë, administrator dhe menaxher të një shoqërie private, pasi me anë të mashtrimit, kanë përvetësuar shuma të konsiderueshme lekësh. Nenet 143 e 194 të  Kodit Penal".

Për tri ditë me radhë Prokuroria e Përgjithshme ka mohuar që të ketë marrë nga Policia e Shtetit në dorëzim materialet në fjalë. E kontaktuar nga ResPublica, koordinatorja e Prokurorisë së Tiranës, Lorena Salillari, tha se:

materialet në fjalë janë dorëzuar pranë Prokurorisë së Tiranës në datën 23 prill 2018

Kjo është një distancë kohore prej katër ditësh që nga momenti kur dy personat u kallëzuan nga qytetarë të ndryshëm. Skandali për këtë sjellje është shumë i madh, pasi pre e mashtrimit kanë rënë edhe kompani të mëdha në tregun e hidrokarbureve dhe madje edhe institucione shtetërore. Policia ka vënë në ndjekje aktive shtetasin Albano Aliko që në datën 19 prill dhe kjo figuron në sistemin e kalimit me jashtë por ajo ka referuar materialet në Prokurori vetëm në datën 23 prill edhe pse zyrtarisht pretendon se e ka bërë një gjë të tillë më 19 prill.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.