TemaTv/Kallëzim penal ndaj menaxherit të “Gulf”? Prokuroria: Nuk kemi asnjë kërkesë nga policia

Postuar në 23 Prill, 2018 12:49

Prokuroria nuk ka marrë nga Policia e Shtetit asnjë kërkesë për hetim në lidhje me mbylljen e menjëhershme të kompanisë së karburanteve“Gulf”. Burime nga Prokuroria e Përgjithshme i thanë Tema TV se deri në mesditën e ditës së sotme, policia nuk ka çuar në organin e akuzës asnjë kërkesë për hapje hetimi në lidhje me falimentimin dhe mbylljen e pikave të tregtimit të karburanteve “Gulf”, të cilat lanë pas detyrime të pashlyera kundrejt klientëve.

Dy ditë më parë (21 prill), në faqen e Policisë së Shtetit u njoftua zyrtarisht se ndaj menaxherit të kompanisë, shtetasit Albano Aliko, ka kallëzim penal në prokurori që në datën 19 prill. Por të pyetur nga Tema TV në datat 19 dhe 20 prill dy përgjegjësit për shtypin në Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit, deklaruan se nuk ishin në dijeni të faktit nëse personi në fjalë ka qenë subjekt kallëzimi.

Njoftimi për nisjen e kallëzimit penal ndaj Albano Alikos u publikua në faqen e Policisë së Shtetit të shtunën më 21 prill. Por siç konfirmohet për Tema TV, kjo kërkesë në organin e akuzës nuk ka mbërritur ende.

Lajmi për falimentimin e kompanisë u pasua me shqetësim te klientët pasi shumë prej tyre kishin parapaguar për tollonat, por gjetën të mbyllura të gjitha dyert e kompanisë. Po ashtu, prej ditësh nuk është e qartë se cilët janë hapat që po ndërmerren nga autoritetet shtetërore në lidhje me këtë çështje.

TvT

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.