Enver Hoxha: "E izoloj Shqipërinë që shqiptarët të mos ikin". Edi Rama: "Drejt Europës që të mos ikin shqiptarët"

Postuar në 21 Prill, 2018 13:58

Mediat raportojnë sot sekretin e fundit që nuk dinim për politikat e Enver Hoxhës. Arsyen pse ai izoloi Shqipërinë. Gazeta “AFP” publikon një intervistë të Hasan Luçit, ish-pjesëtar i zbulimit shqiptar që citon një bisedë të Hoxhës me mjekun e vet francez, Pol Miliez. Sipas Luçit, Hoxha, “një njeri misterioz, por jashtëzakonisht inteligjent”, është shprehur se:

Doktor, unë do t’i mbaj kufijtë mbyllur edhe për disa vjet, sepse ky vend duhet ndërtuar dhe ky popull duhet ndërgjegjësuar. Në qoftë se unë do të hap kufijtë, shumica dërmuese do të emigrojë, siç kanë bërë në shekuj

A mund të jetë e vërtetë një deklaratë e tillë? Nuk është e qartë, por qëdrime të tilla nuk kiste pse mund të kalojnë pa një analizë kritike. Enver Hoxha nuk kishte pse të deklaronte para mjekut të tij arsyet e politikave të veta. Nga ana tjetër, askush nuk do të pranojë në këtë formë dështimin e vet apo edhe paranojën.

Deklarata pra e sjellë nga Luçi është pjesë e atyre shashkave mediatike që popullojnë prej 28 vjetësh shtypin shqiptar. E megjithatë ajo ka jehonën e vet domethënëse.

Po sot, disa media kanë shpërndarë pjesë të një interviste të kryeministrit dhënë gazetës gjermane “Sueddeutsche Zeitung”. Një ndër pasazhet e kësaj interviste është edhe ai ku z. Rama flet për të gjithë ne, pra qytetarët shqiptarë, që sipas tij do të ikim nëse BE-ja nuk hap negociatat.

Ne nuk po trokasim në derën e BE-së për t'u bashkuar nesër, thjesht duam të ulemi në tryezën e negociatave. Rekomandimi i Komisionit nuk është një dhuratë, nuk është lëmoshë, bazohet në arritjet tona. Nëse perspektiva europiane errësohet dhe politika afatshkurtër triumfon mbi strategjinë afatgjatë, njerëzit do të duan të largohen

Është shumë ironike të shohësh sesi Enver Hoxha izolonte Shqipërinë që shqiptarët të mos iknin, kurse Edi Rama po do ta hapë plotësisht atë, në mënyrë që shqiptarët të mos ikin.

Në të dyja rastet shqiptarët po duan të ikin dhe kjo provon se asgjë nuk ka lëvizur nga raporti ynë me vendin tonë. Sot na intereson e sotmja dhe këto deklarime të kryeministrit të Shqipërisë e vendosin qytetarin shqiptar në rolin e një lënde të parë me të cilën zotëria negocion rehatinë e vet dhe suksesin e politikave që nuk po ja njeh kush. Deri në vendimin e BE-së mbeten edhe pak javë, kështu që duhet pyetur se çfarë drame mund të sjellë për jetën e një qytetari të zakonshëm një Jo e radhës. Dëshira për të ikur nuk lidhet në fakt me vendimet e BE-së, por me hajdutërinë dhe plaçkitjen e politikë në Tiranë. Dhe këtë nuk e përgënjeshtron dot askush.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.