Dossier/Strategjia e vitit 1993: Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO parashikohej të ndodhte në vitin 2000

Postuar në 18 Prill, 2018 15:51

Universiteti i Goergtown në SHBA publikon së fundmi disa dokumente të rëndësishme të Arkivës Kombëtare Amerikane që zbulojnë evolucionin e strategjisë së zgjerimit të NATO-s drejt Lindjes së Europës. Dokumentet përfshijnë edhe bisedat mes dy ish-presidentëve Bil Clinton dhe Boris Jelcin, që duket se kishin edhe miqësi personale. Materialet jepen në formatin orgjininale, pra faksimile, por paraprihen nga një analizë kritike e tyre për të shpjeguar kontekstin dhe për të kryqëzuar të dhënat e fragmentarizuara me rrjedhën e ngjarjeve dhe synimet e vërteta strategjike.

Nga ajo që rezulton duket se Jelcin është përdorur, gënjyer, apo edhe ka dashur të besojë se Partneriteti për Paqe, mekanizmi që NATO ideoi pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, ishte në fakt një alternativë ndaj zgjerimit të aleancës që Rusia e shikonte me shumë dyshim dhe kundërshti. Në dy takime të tij me Clinton, Jelcin kërkon madje edhe koncesione të tilla si shtyrja në kohë e disa deklaratave, retifikim të tyre në tekstin final për efekt të zgjedhjeve. Presidenti amerikan shpreh mirëkuptimin e tij, por bën të qartë se ai nuk ka në dorë të deklarojë prerazi se zgjerimi nuk mund të ndodhë.

Nga ana tjetër, në analizën e publikuar, sillen si referencë bisedimet e ish-sekretarit të Shtetit, Warren Christopher me Jelcin në Moskë në datën 22 tetor 1993, ku zyrtari amerikan garanton presidentin rus se

Partneriteti për Paqe synonte përfshirjen e Rusisë bashkë me vendet europiane dhe jo në krijimin e anëtarëve të rinj

Jelcin u përgjigj aty për aty:

Kjo është gjeniale

Por më vonë, zyrtari amerikan do të zbardhte anën tjetër të medaljes pasi sipas tij, Jelcin "ose keqkuptoi – ndoshta sepse ishte i pirë – mesazhin real se PPP në të vërtetë çonte drejt zgjerimit gradual të NATO-s". Për aq sa i intereson Shqipërisë, seria e dokumenteve ka vlerë sidomos për startegjinë e zgjerimit të NATO-s, sepse aty kuptohen deri diku fillesat e asaj politike sigurie që e vendosi vendin tonë në rendin e shteteve që u bënë pjesë e atij klubi.

Në një dokument të titulluar: Strategjia për Ekspansionin dhe Transformimin e NATO-s, që mban datë 7 shtator 1993, përcaktohet qartë se Aleanca dhe zgjerimi i saj drejt Lindjes komuniste, ishte mirëfilli një politikë amerikane. Reformimi dhe tranzicioni i bllokut lindor, bashkimi i Gjermanisë,  si dhe roli i SHBA në Europë janë disa prej bazave nga ku niset strategjia. Ky dokument i paraprin samitit të dhjetorit 1993 dhe ai sugjeron edhe ndryshimin e kritereve për anëtarësim, ndërkohë që ka rëndësi thelbësore të shikohet titullimi ku flitet për Ekspansion dhe jo si sot, Zgjerim.

Në vizionin e planifikuesve amerikën, synimet bazë të NATO-s për dekadën 1993-2003, do të ishin:

  • Ndihma për ndërtimin e demokracisë në Europë dhe sigurimi I stabilitetit për shmangien e rikthimit të nacionalizmit dhe konfliktit në Europën Perëndimore dhe atë Lindore
  • Mbajtja e lidhjeve politike dhe të sigurisë në hapësirën transAtlantike
  • Ruajtja e kapaciteteve ushtarake të domosdoshme për zbatimin e Nenit V
  • Mbushja e boshllëkut të sigurisë në Europën Qendrore dhe Lindore
  • Angazhimi i Rusisë dhe Ukrainës në bashkëpunimin e sigurisë

Për realizimin e këtyre qëllimeve amerikanët parashikonin përfshirjen e Rusisë në skemën e sigurisë me synim të largët transformimin e NATO-s në një organizatë që përgjigjet për sigurinë në EuroAzi, ndërkohë që si konsideratë strategjike vlerësohet edhe rreziku i largimit të Gjermanisë nga vlerat perëndimore siç kishte ndodhur për dy herë rresht në fillim të shekullit të 20-të.

Me eventualitetin e zyrtarizimit të kritereve të anëtarësimit në samitin e atij vit, vlerësohej se vende si Hungaria, Çekia dhe Polonia t’i kishin përmbushur tashmë ato në planin ekonomik dhe politik, por jo në atë ushtarak. 

Rusia mund të përmbushë kriteret ushtarake më shpejt se të tjerët por sërish duhet të dëshmojë përparim në reformat demokratike

thuhet në dokument i cili në dritën e zhvillimeve të sotme ngjan se vjen nga ndonjë traktat mbi utopinë politike.

Fazat e zgjerimit sipas këtsaj strategjie do të ishin të ndara në këtë rend:

  • Faza I: Duke nisur që nga viti 1996, anëtarësohen shtetet anëtare të Bashkimit Tregëtar Europian që i bashkohen Komunitetit Europian
  • Faza II: Nga viti 1998/Republika Çeke, Polonia, Hungaria dhe ndoshta Bullgaria dhe Sllovenia
  • Faza III: Nga viti 2000/Rumania, Shqipëria dhe republikat e Balltikut
  • Faza IV: Nga viti 2005/Ukraina, Bjellorusia dhe Rusia

Nëse shihet më vëmendje nuk përmendet fare Jugosllavia e cila ishte ndërkohë në fazë lufte dhe për të nuk ka asnjë planifikim, çka do të thotë se qysh në vitin 1993, Perëndimi pranonte opsionin e ndarjes së Federatës, edhe pse Paqja e Dejtonit do të vinte vetëm dy vjet më vonë në vitin 1995.

Dokumenti po ashtu thekson se:

nëse Rusia rikthehet në totalitarizëm apo shfaqet si kërcënim ndaj shteteve në rajon, NATO mund të frenojë ekspansionin e saj në Fazën III

pra pikërisht aty ku bën pjesë edhe Shqipëria.

Kjo nuk ka pse të shihet si kërcënim për Moskën. NATO është më shumë një rojtar i demokracive në Europë

thuhet më tej në dokument.

Parë pas kaq vitesh mund të thuhet se në disa pika strategjia jo vetëm ka funksionuar, por ajo ka tejkaluar ambiciet e veta, kurse në disa të tjera ajo nuk është përmbushur. Është e vështirë të thuhet se prania e NATO-s sot në Europën Lindore ka garantuar një mjedis sigurie që përndryshe pa prezencën e saj do të ishte më i keq. Po kështu, zgjerimi I NATO-s, ndodhi pavarësisht kundërshtive të Rusisë, e cila pikërisht në vitin 2008, kur është edhe pika e fundit e zgjerimit përpara Malit të Zi, pra me ftesën për anëtarësimin e Shqipërisë, ndërmori sulmin ushtarak në Gjeorgji.

Nëse konsultohen dokumentet e tjera të publikuara në të njëjtin material, bie në sy ankesa e Clinton për Jelcin, sipas të cilës zbulohet presioni I republikanëve për të shpallur hapur si objektiv zgjerimin e Aleancës. Dhe janë republikanët e Bush që do të shtyjnë në Lindje Aleancën duke hyrë madje në konflikt edhe me vendet e BE-së.

Nëse Shqipëria do të ishte anëtarësuar apo jo në vitin 2000 kjo është një hipotezë që mund të marrë përgjigje nga shqyrtimi i të tjera dokumenteve dhe nuk është shumë e qartë sesa kanë ndikuar ngjarjet e vitit 1997 në këtë drejtim. Por po ashtu ka arsye të besohet se ajo që ndodhi më pas lidhet patjetër sa me një politikë të Aleancës, aq edhe me faktin se në vitin 2008 merr fund Jugosllavia pasi në po këtë vit shpallet edhe pavarësia e Kosovës.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.