Helmut Kohl, jo edhe aq paqedashës dhe vizionar sa ç'thuhet

Postuar në 27 Mars, 2018 13:12

Ish-kancelari i Gjermanisë Helmut Kohl gëzonte deri sa vdiq një famë të madhe si bashkuesi i Gjemanisë dhe nismëtar për bashkimin e Europës. Ai konsiderohet nga opinioni i përgjithshëm si një ndër njerëzit më me ndikim në periudhën e fundit të Luftës së Ftohtë dhe sidomos ai njihet si një njeri i paqes, që e ngjizi atë.

Mirëpo dokumente të publikuara së fundmi nga Instituti i Historisë Bashkëkohore në Mynih dhe që citohen nga revista e njohur “Spiegel” shfaqin një tjetër Helmut Kohl. Sipas këtyre dokumenteve, ish-kancelari konservator propozonte në vitin 1987 iniciativa riamarmatimi dhe përpiqej në çdo rast të sabotonte nismat e liderit sovjetik, Mikhail Gorbaçov.

Kohl madje ka zhvilluar takime edhe me drejtues të tjerë shtetesh, mes të cilëve edhe kryeministrin belg Wilfried Martens të cilit i kërkoi konsensusin për të kërkuar stacionimin në Europë të raketave bërthamore amerikane shtesë. Sipas tij kjo do të ndihmonte që të krijohej një pozicion i përbashkët europian. Revista interpreton se nëse kjo nismë do të kishte patur sukses, bisedimet me Gorbaçov do të kishin dështuar dhe ai që sot quhet si një pikë kthese në Luftën e Ftohtë, Traktati për Forcat Bërthamore me Rreze të Mesme nuk do të ishte nënshkruar.

Dokumentet zbulojnë se Kohl u tërhoq nga plani i tij pas presionit edhe të mikut të vet, ish-ministrit të Jashtëm, Hans Ditrih Genscher, por edhe nga frika e prishjes së koalcionit qeverisës.

Një arsye për këtë ishte qoftë mosbesimi i tij për kursin e Gorbaçov, qoftë mospëlqimi personal, qoftë edhe fakti se lideri sovjetik preferonte ta injoronte apo ta tensionte kancelarin.

“Diferenca mes Gorbaçovit të ftohtë dhe racional dhe Hitlerit me të dhëna patologjike, është e vetmja me rëndësi mes Rajhut të Tretë dhe Bashkimit Sovjetik”, do të thoshte Kohl duke shprehur kështu mllefin e tij.

Ai nuk ndalje duke lobuar në SHBA duke i mëshuar tezës së Gorbaçov po shpresonte që një budalla të hynte në Shtëpinë e Bardhë dhe ta izolonte edhe më shumë vendin për të fituar terren në Europë me ndihmën e socialdemokratëve dhe partive të gjelbra.

Por lideri sovjetik e kapi në befasi kancelarin gjerman duke imponuar zgjidhje afatgjata dhe të paqta. Kjo sidomos në fushën e sigurisë, aty ku edhe luhej përballja më e madhe. Nisma e Gorbaçov për të asgjësuar bazat tokësore të lëshimit të raketave bërthamore në Europë, befasoi shumë, pasi Kohl e kishte mbështetur këtë propozim të bërë prej kohësh vetëm sepse ishte i bindur se sovjetikët nuk do të ishin dakord.

Kohl humbi betejën psikologjike edhe për faktin se nismat e liderit sovjetik u pritën mirë në Gjermani. Sipas tij, ai po luante me humorin e njerëzve që nuk shihnin se çdo gjë po paguhej me sasi të madhe paraje. Propozimi për t’i dhënë Gorbaçovit çmimin Nobel për paqe ishte një tjetër goditje. Ai kundërshtoi që 72 raketat bërthamore Pershing që ishin stacionuar në Gjermani të përfshiheshin në negociatat e Gjenevës. Madje kërkonte zëvendësimin e tyre me raketa të reja dhe shpërndarjen e tyre në vendet e NATO-s.

“Spiegel” shkruan se në përballimin e kësaj loje që ishte shumë e dëmshme për çështjen e paqes në Europë, një rol më të madh dhe ndërtues pati Gensher me të cilin kancelari u vu në përplasje serioze. Disa vite më vonë, Gensher do të shprehej se “Kohl e kishte të vështirë të pranonte se dikush mund të qëndronte përballë tij dhe ai të mos e manovronte dot”.

Me nënshkrimin e Traktatit për Forcat Bërthamore me Rreze të Mesme, çdo nismë për të siguruar Europën nga kërcënimi sovjetik sipas pikëpamjes së Kohl u rrëzua dhe me këtë rast ironia e liderit sovjetik nuk mund të mungonte. Përmes një letre të posaçme ai do të shprehej se “Kancelari ka bërë atë që ne, si të gjithë Europianët, kishim të drejtë të prisnim nga Gjermania Perëndimore”.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.