Kur destabilizimi "ngatërrohet" me prishje rehatie...

Postuar në 06 Prill, 2018 22:16

Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafa ka deklaruar në një intervistë për Report Tv se bashkë me protestën e Kalimashit ka patur edhe tentativa për të destabilizuar vendin.

Duhet të bëjmë dallim mes protestës se ligjshme dhe dëshirës për të protestuar dhe interesit që mund të kenë grupe të caktuara brenda dhe jashtë vendit për të destabilizuar vendin.

Për të destabilizuar vendin padyshim që ka interesa, që do dëshironin të krijonin destabilitet, brenda dhe jashtë vendit.

Ka pasur një rrezik të shtuar në javët që lamë pas, forcat e policisë, agjencitë ligjzbatuese në vend, shërbimi sekret, agjencitë partnere kanë përballuar më së miri disa ngjarje që nëse do ndodhin do kishin pasoja

tha ndër të tjera Xhafa.

Deklarata e tij vjen në mospërputhje me qëndrimet e kryeministrit Edi Rama, i cili në lidhje me protestën e Kalimashit pranoi se ka patur mungesë transparence për njerëzit.

Mes këtyre dy qëndrimeve ka një inkoherencë politike edhe pse duket se kemi të bëjmë me dya në të së njëjtës çështje. Nëse do të pranojmë skenarin e dekadave të fundit, nuk ka ndonjë ministër të Brendshëm që të mos ketë thënë dikur në ditët e tij të punës se ka forca jashtë vendit që po përpiqen të destabilizojnë Shqipërinë. Këto forca vazhdojnë të thurin pezhishkën e intrigave antishiqiptare ndërkohë që ministrat vigjilentë si Xhafa i bëjnë pluhur planet e tyre.

Në këtë lojë retorike bajate, ku çdo informacion tregëtohet si një alibi për të frenuar vrullin e protestave dhe për të njollosur motivet dhe tonalitetin e tyre, aktorët janë përherë të njëjtët: pushtetarët. Opozita përherë e ka konsideruar protestën si mjet për të forcuar pozitat dhe në asnjë rast nuk është parë që një protest e ligjshme për kërkesa reale të instrumentalizohet deri në atë pikë sa të destabilizohet vendi nga forca të huaja.

Situatat degradojnë dhe fermentohen nga zhvillime të brendshme dhe në këtë rast është vetë kryeministri që na thotë se duhet të na sqaronte pak më shumë për arsyet se përse do na fusë dorën në xhep edhe njëherë.

Është shumë fyese dhe shablloniste kjo shfaqje e z. Xhafa i cili mundet edhe të vërë buzën në gaz për shkak të “privilegjit të informacionit që disponon”, por buzën në gaz mund ta vëmë edhe ne sepse jemi të bindur tashmë se situata nuk varet nga vigjlonjësit e qeverisë. E cila deri sa të sqarojë se e kujt është kokaina e Maminasit, apo se kush e kapi atë, ka kohë të luajë rolin e ushtarit edhe për të shmangur destabilizimin nga disa gurë në Kalimash. Destabiliteti social e madje rrënimi i plotë ecën dora dorës me këtë qeveri dhe nuk ka nevojë që aktorë të huaj të lodhin shumë kokën me një vend si Shqipëria ku e gjejnë shtruar sa herë kthejnë sytë këtej.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.