(I)U ngrit!

Postuar në 06 Prill, 2018 10:45

Kryemistri ia hodhi edhe kësaj radhe me ndihmën e shumicës. Dhe shumica parlamentare në një vend dhe një situatë si kjo e tanishme është e barabartë në frymë dhe funksion me atë që njihet si berihaja.

Është përvojë më vete të shohësh deputetë si Vasilika Hysi, apo Taulant Balla, kodime gjenetike të posaçme shumëpërdorimësh, që të mbrojnë me qetësi të plotë një sjellje që duhet dënuar. Një shumicë që nuk di të ndahet në planin etik nga marrëzitë e një personi, qoftë edhe i ashtuquajturi lider partie, e ka reduktuar veten në një turmë institucioni i vetëm i së cilës është instinkti i mbijetesës. Dhe në këtë rast kemi të bëjmë vetëm me një sekt. Nuk është pa rëndësi të shihet edhe përbërja e pjesës socialiste të Byrosë Parlamentare që sot vendosi të mos e përjashtojë kryeministrin për përdorimin e fjalëve fyese në adresë të një populli të tërë. Fjalë të cilat po si sjellim literalisht siç u thanë:

Kjo e ngritjes është, ‘thirri-thirri të të ngrihet, ai i shkreti kokë ulur s’të përgjigjet dot. Është poezi që e di Doktori…

Kjo Byro e përbërë nga deputetë të gjitha drejtimeve e pa ndryshe këtë fjalë të z. Rama, e cila në faqen e tij në Facebook u komentua gjerë e gjatë vetëm në një kuptim. Në atë kuptim që është në fakt edhe kjo e ashtuquajtur metaforë: pra që ky popull është si kari impotent, nuk ngrihet.

Me përkufizim Metafora është një figurë e ligjërimit që përcjell një kuptim për diçka përmes krahasimit. Nisur nga ky përkufizim, Byroja bën tautologji, edhe pse përmes zonjës Hysi përpiqet të thotë të kundërtën.

Ky moment që u konsiderua fyerje nga shumëkush përbën një moment gabimi të dobishëm nga kryeministri, të cilit për herë të parë ndoshta I shpëtoi mendimi i vërtetë për një popull të cilin në optikën e tij mund ta tërheqësh për hunde shumë kollaj. Z.Rama ka mbi 20 vjet në pushtet dhe duhet thënë se nuk ka bërë ndonjë sakrificë të madhe. Ai madje ka përdorur shumë njerëz, ka fituar zgjedhje me këngë e me tuta sporti, duke ditur të nivelojë aparencën në standardin e përgjithshëm. Sikur të vihemi në rolin e tij, mund të përfytyrojmë edhe se në disa raste sfida e pushtetit ka qenë edhe argëtim. Dhe kjo lehtësi, i jep z. Rama atë arrogancë, apo e çon në atë rrugë që përfundon te fjala: Kar.

Në fund të fundit këtë fjalë e përdorim të gjithë. Ligjërimi shqip i është shmangur përherë përdorimit të kësi fjalëve në publik, duke ngritur një mur etike fals mbi atë që është në të vërtetë shprehja verbale dhe muhabetore e vlerësimit dhe autovlerësimit të përgjithshëm, të mesatarizuar që kemi për veten. Meqenëse kritika zhvillohet kafeneve, aty mileti, megjithë intelektualët si z. Rama, apo zonja Hysi dhe z. Balla, që flasin vetëm duke dëgjuar, e kanë gjenitalizimin e komunikimit të zakonshëm.

Edhe pse z. Rama preferon ta mburrë popullin shqiptar, të flasë me të me superlativat e një “laci Tirone” kur thotë se “nuk ka zog kurve të bëjë për budallenj shqiptarët”, mjedisi që frekuenton ai nuk lë të besohet se zhargoni elitist që i duhet bashkëngjitur shkëlqesisë së tij t’u rrethrrotullohet fjalëve të tilla si ky ustai i përditshëm që është edhe i paparashikueshëm. As synimet e këtij pushteti nuk japin ndonjë shenjë se përtej interesave ekonomike dhe luftës së xhunglës qëndron ndonjë konsideratë tjetër.

Z. Rama u filmua në Parlament kur pas krahëve e quajti z. Berisha “rrotë kari” dhe mandej kërkoi falje. Një akt me konsum politik që u korrgjua njësoj si tani me ndjesën e një edukate të shtirur.

Sigurisht që për këtë popull ka shumë epitete. Zogu kishte të vetat, Enver Hoxha po ashtu na lavdëronte, port ë dy këta, njëri për fronin e vet dhe ideologjinë e monarkisë dhe tjetri për ideologjinë komuniste, i dhanë një qëllim këtij popoulli për të besuar vërtet në virtytet e veta të imagjinuara.

Sot, kryeministri i këtij vendi, është kapur në flagrancë, me kar në gojë si i thonë, por pa na bërë të ndjehemi edhe aq të ofenduar. Sepse jo vetëm z. Rama, por i gjithë ky tranzicion i gjatë, e gjithë kjo valangë dhune dhe përdhune ndaj normalitetit dhe vlerave nuk mund të merrte këtë energji pa hipjen në majën e piramidës të rrugaçërisë së shqiptarëve. Le ta konsiderojmë këtë akt të pakujdesshëm të z. Rama një gabim të dobishëm për të kuptuar më mirë rrezikun e arrogancës së pushtetit që fitohet lehtë, por edhe të faktit se kryeministrit ndoshta ka nisur edhe Shqipëria t’i duket një vend monoton, ndryshe nga sa ua trumbeton atë të huajve. E kjo monotoni iu prish për fat të keq pak ditë më parë në Kalimash, aty ku për ta perifrazuar me fjalët e një komentuesi në faqen e Facebook të kryeministrit: Kur ngrihet ai është për të qirë tëmën. Nuk di ç’bën. 

Shaptilografisti 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.