Del Toro: "Përbindëshat kanë shpirt delikat"*

Postuar në 05 Prill, 2018 15:03
Intervistoi: Rüdiger Sturm

Intervista me regjizorin e njohur Gulliermo del Toro është realizuar nga "The Talks".  

 

Zoti del Toro, keni përjetuar ndonjëherë ndonjë përvojë paranormale?

Kam parë një UFO kur isha adoleshent. Dhe kam dëgjuar dy fantazma gjatë jetës sime.

Vërtet? Si ishte?

Reagova me shumë frikë. Isha shumë i trembur teksa po shohja UFO në qiell. Të jep me të vërtet një sens sesi mund të thyhen rregullat e natyrës. Papritur ndodheni përballë diçkaje që është e pamundur, kështu që reagimi I parë është shoku.

A ka ndryshuar qysh atëherë marrëdhënia juaj me paranormalen?

Po, deri në një farë pike, por dashuria që ndjej për fantazmat dhe përbindëshat është po ajo. Jam i dashuruar me përbindëshat në një mënyrë që është shumë intime dhe shpirtërore. Jam ende i prekur nga krijesa e Frankestainit, nga të gjithë përbindëshat klasikë pothuajse në atë mënyrë që ndodh me besimin fetar.

Çfarë doni të thoni?

Është sistemi im i besimit. Mund të tregoj histori që janë intime, shpirtërore me përbindëshat dhe nuk e kam problem. Për mua ky nuk është një ushtrim postmodern. Nuk po trilloj, po flas seriozisht.

Si do ta përshkruanit spiritualitetin e përbindëshave?

Ata përfaqësojnë çdo gjë të përjashtuar, të dëbuar. Unë mund të jem një dëbuar i rracës sime, prej gjinisë, preferencës seksuale, politike, gjithçka, por përbindëshat janë thjesht dhe vetëm të dëbuar. Kjo është kryesore te “Forma e ujit” ku ju shihni një botë që është endërrimi i së ardhmes, por në të njëjtën kohë aty ka tensione raciale ku mund të urresh shumë lehtë. Kjo krijesë është një lloj i dëbuari plotësisht, i padukshëm…Kështu që përbindëshat janë shenjtët mbrojtës të të përjashtuarve.

Por ne e përdorim po ashtu termin “përbindësh” edhe për njerëzit me të vërtetë të këqinj të shoqërisë. Si përputhet kjo me këtë narrativë?

Ajo çfarë më tremb thellëshit për njerëzimin është ajo kur ne quajmë dikë “përbindësh”, ne e kemi fjalën për shpirtin e tyre. Dhe çfarë është e bukur për përbindëshat e filmave është se janë fizikisht të ndryshëm, por shpirtërisht për mua janë shumë të ndjeshëm. Karakteri i Michael Shannon është përbindëshi i vërtetë në “Forma e Ujit”, pasi ai është bisha që nxjerr natyrën e vërtetë të Elizës. I kujton asaj se nga vjen dhe çfarë është, duke iu kundërvënë mënyrës së vjetër ku ajo puth bishën dhe bisha transformohet në një princ.

Pra shfaqja e përbindshmes në film nuk ka pse të jetë përherë literale?

Po, tamam. Monstruoziteti i vërtetë në “Forma e Ujit” është ai i shpirtit. Në filmin tjetër timin, “Udhëtimi fantastik” përbindësi është trupi: trupi është një përbindësh, por në të njëjtën kohë është mrekullia. Dua të them, interesi te përbindëshat mund të jetë thjesht zhvendosja e njerëzve, ti bësh të besojnë ata në diçka jo reale. Për mua “Forma e ujit” ka një krijesë – që na mori tre vjet për ta krijuar. Kjo është koha më e gjatë që më është dashur të realizoj një krijesë dhe kishte nevojë të qëndronte në ekran për thuajse një orë bashkë me një aktor. Ishte një proces shumë I ndryshëm realizimi. Dy krijesat që kanë marrë më shumë kohë janë Hellboy me grimin e Ron Pearlman dhe ky i tanishmi. Njerëzit ndonjëherë thonë se Hellboy është Ron Pearlman i lyer me të kuqe. Por jo. Është një grimim tmerrësisht i komplikuar. Duhet të kishte fituar një çmim Oskar. Është një ndër grimimet prostetike më të arrira ndonjëherë.

Është parashikuar një version i ri i Hellboy për vitin tjetër nën drejtimin e Neil Marshall. Ju bezdis kjo gjë?

Çështja është: duhet t’i lësh gjërat të vazhdojnë. Krijova të parin Pacific Rim p.sh, por unë nuk kam të drejta mbi vijimin. E njëjta me Hellboy; ai u krijua nga Mike Mingola. E përshtata dy herë, por ai është fëmija e tij. Kështu që nuk varet nga ty.

Po për një film ku ju shkruajtët skenarin si Labirinthi i Panit?

Oh, nëse dikush përpiqet të ribëjë atë film, ata nuk munden. Nuk do ta lejoj. Por në fund, jam shumë mirënjohës për filmat që kam bërë. Kam qenë në gjendje të bëj filma për 1 milionë dollarë, po ashtu siç kamë bërë për 195 milionë. Mund të bëj çfarë dua në përmasa të ndryshme në sezone të ndryshme. Kam qenë në gjendje të bëj 10 filma më shumë sesa mendoja se do të mundja ndonjëherë. Kam një karrierë 25 vjeçare dhe sot ndihem po aq i çuditshëm sa ç’ndihesha edhe kur bëra filmin tim të parë.   

Jeni përmirësuar duke lundruar në sistemin e Hollywood?

Kam shkruar 24 skenarë dhe kam bërë 10 filma. Pra 14 filma që nuk u bënë kurrë. Dhe në disa momente si në Malet e Marrëzisë, p.sh duan një vit skicimi dhe përgatitjesh. Por kjo është pjesë e punës: e vetmja gjë që mund të bësh është të presësh. Me Trollhunters ne më në fund realizuam serialin televiziv pas tetë vitesh pritjeje. Hellboy mori tetë vjet, Forma e Ujit gjashtë. Kam mësuar herët që duhet të kesh më shumë se dy apo tre projekte sepse nëse ndodh që njëri prej tyre nuk realizohet apo tjetri rrëzohet, një tjetër do të funksionojë.

Si e përballoni kur ndodh kjo?

Do të vrasësh veten! Nuk ja del dot asnjëherë. Asnjëherë. Kur ke një karrierë 30 vjeçare, mund të përmirësohesh, mund të nisësh të presësh që gjëra të tilla do të ndodhin…Kështu, kur jam duke punuar mbi një projekt përpiqem përherë të mos e teproj sepse e di që mund të ndodhë të mos realizohet. Por mund të bie në depression të thellë për një kohë të gjatë kur kjo ndodh. Ndonjëherë të nxjerr jashtë loje. Dështimi i Malit të Marrëzisë, me të vërtet që më dekurajoi. Varet sesa shumë kohë i kushton një filmi: ndonjëherë as nuk pret, lëviz shumë shpejt. Por në fund, gjithmonë rikuperon.

Burimi: http://the-talks.com/interview/guillermo-del-toro

Përkthimi dhe titulli nga ResPublica

Përmbledhje e disa punëve të regjizorit të njohur:

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.