TEC Vlora në rrugën e ARMO-s?

Postuar në 03 Prill, 2018 18:39

Nisi të ndërtohej në vitin 2007, përfundoi në vitin 2011, kushtoi 130 milionë euro dhe nuk u vu për asnjë ditë në punë.

Kjo është me pak fjalë historia e Termocentralit të Vlorës, një vepër e kushtueshme, e projektuar për të krijuar burime alternative energjetike, por që mbetet një stok jofunksional për shkak të një garancie bankare që shkon në 4 800 000 euro.

Situata juridike dhe gjyqësore e tij është një shfaqje absurde, ku dalin në dritë një sërë institucionesh që veprojnë ose nuk veprojnë, që veprojnë keq, apo edhe që luajnë lojëra interesash të paqarta.

Çështja e TEC Vlora ka prodhuar dy palë ndërgjygjëse: nga njëra Korporata Energjetike Shqiptare që është paditësja fillestare kurse nga ana tjetër Banka Intesa San Paolo Albania sh.a dhe si person i tretë operatrori “Tecnimont” S.p.A që kreu punimet.

Në mes të këtyre dy palëve qëndrojnë Avokatura e Shtetit që është angazhuar në mbrojtjen e paditësit KESH dhe Banka e Shqipërisë, e cila është licencuesja e garancive bankare dhe garantuese e këtij mekanizmi në treg. Vlen të theksohet se me dy vendime të Gjykatës së Rrethit Tiranë dhe Gjykatës së Apelit Tiranë, padia e KESh dhe mbrojtja e saj nga Avokatura e Shtetit, është rrëzuar konkretisht me vendimet nr. 6413 dt. 02/06/2014 dhe atë me nr. 671, dt. 27/03/2015 në Apel.

Gjithçka lidhet me Garancinë Bankare – quajtur si Garanci Performance, lëshuar nga ajo që dikur ishte Banka Italo Shqiptare, sot Intesa San Paolo Albania, e cila ishte në shumën 9 200 000 euro, rritur më vonë në shumën 9 660 000 euro. Kjo garanci parashikohej në kontratën mes dy palëve me efekt deri dhjetor 2012 dhe për lëvrimin e saj kishte jo vetëm kushte specifike, por për të, të dyja palët kishin rënë dakord edhe për rregullat për zbatimin e kontratës.

Nga një lexim i përciptë i rrethanave të çështjes, ashtu siç paraqiten ato nga vendimi i Gjykatës së Apelit Tiranë, duket se në momentin e marrjes në dorëzim të veprës, është bërë një gabim procedurial, që sot kushton paralizimin e TEC prej 6 vitesh.

Kleçka e çështjes është një dokument që quhet si Çertifikata e Pranimit Operacional, që vërteton përfundimin e veprës, dorëzimin e saj sipas kërkesave teknike, pra përmbushjen e detyrimeve kontraktuale. KESH e ka dorëzuar këtë certifikatë ndaj operatorit më 30 nëntor 2011, por me efekt retroaktiv që nga data 28 tetor 2011. Sipas kontratës, Banka Intea San Paolo dhe operatori Tecnimont kanë njoftuar degën në Shqipëri, pra Intesa San Paolo Albania që të përgjysmojë vlerën e garancisë.

Në këtë moment duket se është pikasur nga KESH defekti në tubat e ftohjes dhe për këtë arsye korporata ka kërkuar që garancia të mbetet në vlerën fillestare. Kompania italiane Tecnimont ka ndëryrë në mes të këtij komunikimi, duke kërkuar nga KESH Certifikatën e Pranimit Operacional. Kërkesa duket se ka qenë një manovër që synonte dokumentimin nga korporata shqiptare të përfundimit të veprës. Dhe në fakt kjo edhe ndodhi. Me shkresën me nr. 248 prot., lëshuar nga menaxheri i emëruar i projektit Klodian Gumeni, pala paditëse KESh Sh.a. ka pranuar se Çertifikata e Pranimit Operacional është lëshuar dhe se ajo nuk është një Çertifikatë Pranimi e kushtëzuar.

Të gjitha këto veprime me gjurmë administrative kanë shërbyer si argument në të dyja shkallët e gjykimit që padia e KEsh dhe mbrojtja e Avokaturës së Shtetit të rrëzohen. Tema Tv kërkoi disa sqarime nga institucionet dhe personat e përfshirë në këtë çështje e cila aktualisht ka kaluar në Gjykatën e Lartë.

Ish-drejtori I Korporatës Energjetike, Engjëll Zeqo, nuk pranoi të prononcohej, por u duke njohur vendimin si të padrejtë deklaroi se dy subjektet italiane kishin bashkëvepruar për të mos lejuar lëvrimin e plotë të garancisë.

Nga ana e vet Avokatura e Shtetit, në përgjigje të pyetjeve të bëra nga TemaTv shpreh rezerva për vendimin e Gjykatës së Rrethi Tiranë duke pretenduar ndër të tjera se:

Faktikisht Gjykata e Tiranës nuk vlerësoi konkretisht objektin e mosmarrëveshjes, detyrimin për lëshimin e garancisë kontraktuale, e cila ka një natyrë të pavarur, domethënë është një detyrim financiar që ekziston pavarësisht nga marrëveshja kontraktuale në përkatësi midis palës që kërkon garanci dhe përfituesit të garancisë, por u përfshi në shqyrtime mbi përmbushjen ose jo të detyrimeve kontraktuale ndërmjet KESH dhe Technimont, edhe pse marrëveshja objekt gjykimi është midis Bankës dhe KESH

Mirëpo vendimi është rikonfirmuar edhe në Apel dhe është e paqartë se çfarë ka parasysh Avokatura kur thotë se “garancia kontraktuale ka një natyrë të pavarur, domethënë është një detyrim financiar që ekziston pavarësisht nga marrëveshja kontraktuale në përkatësi midis palës që kërkon garanci dhe përfituesit të garancisë”.

Aq më tepër merr vlerë kjo përgjigje po të mbahet parasysh se ky lloj përkufizimi nuk figuron në pretendimet e e Avokaturës në Gjykatën e Apelit e cila  në vendimin e vet referon të tjera element mbrojtës. Aty Avoktura mbron padinë e KESH pikërisht me termat e kontratës duke mos pretenduar për asnjë moment “pavarësinë e e garancisë përtej termave të marrëveshjes”.

Nëse kjo përgjigje përbën ose jo një element të ri të mbrojtjes, kjo mbetet për t’u parë, por deri në shkallën e dytë shteti shqiptar ka humbur përballë palës italiane e përfaqësuar nga avokate Erinda Ballanca, sot Avokat i Popullit në Shqipëri.

Në lëmshin e krijuar për arsye që në dukje janë proceduriale vjen në vështrim edhe Banka e Shqipërisë. E cila ka një rol krejt tjetër nga ai që duket se luan në këtë histori. Garancia Bankare është një instrument i licencuar nga kjo bankë dhe ajo ka përgjegjësi dhe ushtron autoritet ndaj palëve që aplikojnë atë. Në përgjigjen e vet për TemaTv, Banka e Shqipërisë, i parashtron kështu përgjegjësitë e veta për këtë çështje:

Banka e Shqipërisë informohet për problematika mbi produkte të ndryshme bankare gjatë komunikimeve me bankat, gjatë inspektimeve në vend apo nëpërmjet ankesave të palëve të treta pranë Bankës së Shqipërisë. Megjithatë, Banka e Shqipërisë nuk mund të jetë asnjëherë në dijeni të çdo problematike individuale të bankave me klientët e tyre

E pyetur konkretisht për çështjen në fjalë, Banka shprehet se është në padijeni të plotë për këtë situatë:

Banka e Shqipërisë nuk është në dijeni të këtyre marrëdhënieve. Megjithatë dëshirojmë të vëmë në pah faktin se në kushtet kur çështje të caktuara janë duke u shqyrtuar nga gjykata, referuar nenit 36 të Kodit të Procedurës Civile cit. “....Asnjë institucion tjetër nuk ka të drejtë të pranojë për shqyrtim një mosmarrëveshje civile që është duke u gjykuar nga gjykata"

Pra, Banka e Shqipërisë nuk mund të shprehet në lidhje me mosmarrëveshje të mundshme, pasi në rast të kundërt do të vepronte në kundërshtim me Kodin e Procedurës Civile

Përtej të gjithë kësaj përballjeje që i ka kushtuar shumë shtetit shqiptar e që mban të bllokuar veprën për 4 milionë euro, një pyetje mbetet megjithatë kryesore: çfarë do të bëhet me TEC Vlora.

Ka zëra se energjia e prodhuar prej tij është e shtrenjtë, pra se ai është inefektiv. Ndërkohë vetë Korporata e cila edhe ka gatuar këtë ngatërresë, shprehet prej vitesh se ka prokuruar ekspertizë për të gjetur shkaqet e defektit. Edhe në pronocnimin e saj zyrtar për TemaTv ajo i përmbahet kësaj ideje, duke shtuar më tej se

pavarësisht kushteve dhe statusit të operimit në të cilat ndodhet TEC Vlora, nuk ka asnjë pengesë për kryerjen e veprimeve që lidhen me pronësinë e saj

Përderisa është kështu, atëherë pse nuk u zgjidh kjo situatë që mbahet e bllokuar vetëm për 4 milionë euro? Konflikti me palën italiane nuk bllokon asgjë për vënien në funksionim të TEC Vlora që mbahet në gjendje pasive dhe po çohet drejt zhvlerësimit progresiv njësoj siç është vepruar edhe me pasuri të tjera si ARMO apo AlbPetrol.

TemaTv

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.