Kokëfortësia e një "pazari" personal

Postuar në 04 Prill, 2018 13:50

Qeveria po mbron me kokëfortësi nismën për taksimin e Rrugës së Kombit, duke e kthyer në betejë force përballjen e saj me kundërshtarët e kësaj takse dhe në veçanti me të arrestuarit e protestës në Kukësit. 

Angazhim i madh forcash policie në seancën e masës së sigurisë për të arrestuarit, zbarkim forcash speciale në Kukës dhe një kryeministër që pretendon se kjo punë është çështje keqkuptimi, pasi sipas tij ka çaluar vetëm fushata e informimit për qytetarët. 

Në deklaratat e tij zoti Rama ka lënë të kuptohet se nuk ka ndërmend të tërhiqet. Rrugën me pagesë ai po e trajton si bast personal pa dhënë ndonjë shpjegim të bindshëm përse dublohet taksa e qarkullimit për një rrugë që është ndërtuar nga shteti dhe jo nga konçesionari, aq më tepër pse po ngarkohen me taksa banorët e zonës. Ata janë injoruar dhe debati lindi pikërisht pas djegies së kabinave të konçesionarit  në Kukës. Kritika për mungesën e konsultimit me qytetarët ka edhe nga brenda mazhorancës. 

"Ajo që ju duhet të kishit bërë shumë kohë më parë. Komunikonit me njerëzit, me deputetët, me mediat, dhe thënë të gjitha këto sikur të kërkonit ndjesë për këtë nuk do ishte gjë e madhe, jo thjesht ju si ministër i ekonomisë dhe financave po gjithë qeverisë?”- tha Erion Braçe. 

Qeveria shqiptare nuk mori parasysh as shqetësimet e palës kosovare për këtë çështje që prek banorët e të dy anëve të kufirit dhe ekonominë e të dy vendeve. Në një takim që ka zhvilluar me mbasadorin Qemal Minxhozi, ministri kosovar i Infrastrukturës, Pal Lekaj tha se i kishte shprehur papajtueshmërinë me çmimin dhe mënyrën se si është marrë ky vendim për njërën nga arteriet kryesore të lidhjes ndërshqiptare, që është “Rruga e Kombit”.

“Po ashtu e diskutuam edhe letrën zyrtare me të cilën i jemi drejtuar Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjetikës, Damian Gjiknuri dhe për mungesën e përgjigjes në këtë letër. Ishte dakordim i dyanshëm që hapat e mëtutjeshëm të bëhen me dakordancë të plotë"- shprehet Lekaj. 

Për aq kohë sa tarifa nuk është diskutuar as me banorët dhe as me palën kosovare atëherë negociata është e drejtëpërdrejtë mes qeverisë shqiptare dhe firmës konçesionare, kliente e qeverisë edhe në punë të tjera publike. Kokëfortësia e kryeministrit për të mos e diskutuar këtë deal, me shumë gjasë kërcënon "pazarin" mes tij dhe firmës konçesionare. Për ta mbrojtur këtë pazar kryeministri po përdor policinë, që në këtë rast po sillet si gardiane e bosëve të pushtetit dhe biznesit dhe aspak në mbrojtje të interest publik.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.