Bashkia e Tiranës: U vendos, 5 kullat te Diga e Liqenit do ndërtohen

Postuar në 03 Prill, 2018 21:37

Një njoftim në email i Bashkisë së Tiranës lajmëroi nisjen së shpejti të punimeve për 5 kullat 17-katëshe në digën e Liqenit Artificial. Kjo pasi sipas saj,  Gjykata Administrative e Apelit vendosi të lerë në fuqi lejen e kompanisë “Gener2” për ndërtimin e  këtij kompleksi.Në fakt një vendim i pritshëm dhe aspak suprizë që ka qarkulluar në rrethet e ndërtuesve të Tiranës muaj përpara se të shpallej vendimi, ku çuditërisht bashkia është kapur në befasi.

Nuk është një pemë, por 5 kulla 17-katëshe me beton që i shtohen kryeqytetit, por për këtë çështje stafi i zotit Veliaj "lau duart" me një njoftim ku vihet në diskutim integriteti i Gjykatës dhe theksohet miqësia e pronarit të kompanisë GENER 2 me ish kryetarin e Bashkisë, Lulzim Basha.

“Historia e 5 pallateve 17 katëshe buzë Digës së Liqenit është e njohur për qytetarët e Tiranës. Ajo daton që në tetor të vitit 2014, kur ish kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, i njohur për lidhjet e tij të ngushta me pronarin e kompanisë GENER 2” –thuhet në njoftim.

Por pa paragjykuar këtë pretendim të bashkisë, e njëjta vijë logjike të çon edhe në përfundimin se kompania në fjalë ka qenë e afërt edhe me kryeministrin Rama të paktën për dy arsye. Qeveria Rama e nxori vendimin për bllokimin e ndërtimeve në Tiranë, 2 ditë pas Kompania “Gener 2” mori lejen për fillimin e punimeve të 5 kullave 17 katëshe në Digën e Liqenit në korrik të vitit 2014. Po ashtu lidhjet e Gener 2 me kryeministrin janë më të hershme, kur ky i fundit si kryebashkiak i Tiranës dha lejen për ndërtimin e kullës 24 katëshe të Qendrës Coin përballë televizionit shqiptar.

Veliaj, “dashnor” i ligjit dhe i gjelbërimit

Megjithatë për një zhvillim kaq të rëndësishëm që lidhet me tjetërsimin e një zone të kryeqytetit dhe ku kryebashkiaku kishte organizuar deri protesta para Gjykatës, bashkia u mjaftua me dy gisht kartë, ku ndër të tjera shpreh keqardhjen për këtë lajm të keq siç e quan ajo. Në  njoftim bashkia, nuk nguron ta quajë kryebashkiakun si kundërshtar të fortë të betonizimit dhe dashnor të ligjit dhe hapësirave të gjelbra.

Bashkia e Tiranës shpreh keqardhjen për sjelljen dhe vendimet e deritanishme të gjykatave, por mbi të gjitha për faktin se pavarësisht denoncimeve të vazhdueshme, me fakte e argumente, qoftë për konfliktin e hapur të interesit të gjyqtarëve apo të shpërdorimit të detyrës, nuk pati asnjë reflektim nga ana e tyre dhe, ME VENDIMIN E SOTËM I HAP RRUGË NDËRTIMIT TË KËTYRE GODINAVE”-thuhet në njoftim.

Pra në një farë mënyre bashkia ka vendosur të zbatojë vendimin e gjykatës, ndonëse në raste të tjera vetë ajo ka autorizuar parkingje ilegale në toka me gjyq të pambaruar dhe për elementë me histori kriminale në kurriz (rasti i kullës te Presidenca i cili u bë publik nga TCH).

Në rastin e 5 kullave 17-katëshe Bashkia lë të kuptohet në njoftimin për shtyp se deri këtu shkon rezistenca e saj për atë që e quan “dhuratë” të Lulzim Bashës për qytetarët e Tiranës, duke mos folur për apelim të çështjes. Respublica kërkoi një reagim nga Bashkia, por kjo e fundit nuk sqaroi arsyet ligjore perse  kjo çështje nuk mund te dergohet në Gjykatën e Lartë, duke thënë se ky është një vendim përfundimtar.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.