Siguria ushqimore në një etiketë, ku të besojmë?(video)

Postuar në 30 Mars, 2018 20:01

Gjithësecili, kudo, ka nevojë për ushqim të sigurt, të çliruar nga mikrobet, viruset dhe kimikate. Por globalizim do të thotë që ushqimi që ne hamë sot mund vijë nga cdo kënd i botës. Dhe një destinacion i këtij tregu, është Shqipëria. Një treg që zgjerohet nga dita në ditë, me prodhime që reklamohen për garanci shëndeti dhe jetëgjatësi, por që në finale kanë rezultuar me pasoja. Për Institutin e Shëndetit Publik, niveli i jetëgjatësisë së pritshme në Shqipëri është lidhur me dietën tradicionale mesdhetare, e cila ka efekte pozitive shëndetësore, sidomos për sa i përket sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë nga sëmundjet kardiovaskulare dhe kjo dietë ka qenë tradicionalirsht e pasur në fruta dhe perime. Megjithatë, gjatë dy dekadave të fundit, shumë elemente të dietës tradicionale mesdhetare në Shqipëri janë zëvendësuar gradualisht, të paktën deri në një farë mase, me ushqime të përpunuara të cilat janë të pasura në kripë, sheqer dhe yndyrna të ngopura, gjë e cila ka rritur rreziqet shëndetësore. Duket se autoritetet përgjegjese për kontrollin e sigurisë ushqimore në vend janë treguar të paafta për të administruar sigurinë e ushqimeve, jo vetëm në aspektin e kontrollit, por edhe në etiketimin e produkteve. Një gjetje e rastit  në një nga marketet e Tiranës është edhe ky produkt, i cili përmban të dhëna kontradiktore në ambalazhin origjinal dhe në etiketën në gjuhën shqipe.

Por, gjatë blerjes konsumatori është i prirur t’i besojë produktit që zgjedh duke u bazuar së pari në datën e skadencës, dhe me pak fanatizëm edhe në përmbajtje apo në origjinën e lëndës së parë. Megjithëse ligji në fuqi është kategorik edhe në këtë aspekt, nga marketi në market, por edhe brenda të njëjtit, rigoroziteti nuk ekziston. Produkte importi (pamja supës) të paregjistruar me etiketë, etiketa të dubluara ku data e skadencës nuk përkon, apo edhe logo të fshira me ose pa qëllim për produkte të vendosura në të njëjtin raft,  më tej, etiketa me numra identifikues dhe të tjera që nuk e kanë. Janë këto disa nga pikëpytjet që lindin teksa vështron në gamën e gjerë të ushqimeve të ambalazhuara që renditen në raftet e markteteve të Tiranës, të cilat gjithësesi mbeten në kuadrin e panoramës.

Megjithëse një pjesë e madhe e tregjeve në vend janë disiplinuar, qytetarët shprehen skeptikë se produktet që zbresin në to të kenë pasur kontroll absolut.

Ndërsa, të tjerë bëjnë me faj sistemin, i cili ka mënjanuar specialistët dhe teknologët.

Por, nuk mungojnë mes qytetarëve edhe persona, të cilët besojnë se siguria ushqimore në vend sot është e garantuar.

Por në këndvështrimin e ekspertit, ushqimet nuk janë të kontrollura sipas një zinxhiri efikas në aspektin teknogjik. Prof. Dr. Abdyl Sinani thotë se në këtë situatë është i rëndësishmin rregullimi i ligjit aktual. Sipas tij, vendi ynë duhet të përqafojë idenë për të siguruar një procedurë optimale të kontrollit, të quajtur SOP, praktikë e cila duhet të ndiqet nga teknologu, pa pasur dijeni për identitetin e prodhuesit.

Duke iu referuar etiketave që u bashkëngjiten produkteve, Sinani propozon referenca fikse për përmbajten dhe një numër specifik identifikimi, duke vijuar më tej më një kontroll të dyfishtë.

Prof. Sinani ngre edhe shqetësimin se specilistët sot mbajnë evidenca për kontrollin e ushqimit, vetëm duke u bazuar te afati i skadencës dhe jo në analizë.

Në fakt, problemet e ngritura nga eksperti Sinani janë të pasyruara në detaje edhe në një raport të fundit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, i cili ka evidentuar nga gjetjet në terren se Autoriteti Kombëtar i Ushqimit nuk arrin të garantojë sigurinë ushqimore në vend. Në brendësi, KLSH ka konstatuar, se Përgjegjësitë ligjore në zinxhirin e sigurisë ushqimore, karakterizohen nga dublime, shmangie dhe mos-eficencë, me pasojë dobësim të strukturave që ndikojnë në mirëqenien social-ekonomike të qytetarëve shqiptarë. Po ashtu, KLSH konstaton se ka munguar veprimtaria e mirëfilltë e institucionit për analizën e riskut në të gjitha nivelet, duke ulur performancën e veprimtarisë inspektuese dhe për pasojë ndikimin në përmirësimin e sigurisë ushqimore. Më tej, raporti vlerëson se AKU nuk ka burime njerëzore të mjaftueshme për të realizuar praktikat e kontrolleve, madje në vite ka larguar nga organika me dhjetra specilistë, largime të cilat nuk kanë shkaktuar vetëm dëm ekonomik në buxhetin e shtetit, por që kanë ndikuar edhe në evitimin e kontrolleve ushqimore.

Debati i madh për sigurinë ushqimore, që bëhët sot në Europë ka të bëjë pikërisht me origjinën e lëndës së parë të produktit, mishit, qumështit, grurit etj., për të cilat ka ankesa, në formën e akuzave për paaftësinë e BE-së për të garantuar siguri. Në Shqipëri,  ka një udhëzim që nga viti 2010, mbi sistemin e etiketimit të mishit të gjedhit dhe produkteve të tij, ku deklarohet se në etiketë duhet të tregohet origjina për mishin e gjedhit dhe produktet e tij. Këtë fakt e konstaton edhe AKU, në një përgjigje të dërguar për Tema Tv, duke shtuar se është draftuar ne Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural një amendim për Ligjin aktual "Per Ushqimin". Ky projektligji pritet të sjell ndryshime të rëndësishme në këtë sektor, dhe i ndërthur me ligjin e veterinarisë do të bazohet mbi parimin e kontrollit nga ferma deri në tavolinë.

Në planin global, sëmundjet me origjinë nga ushqimi vrasin çdo vit 2 milionë njerëz, shumë prej të cilëve janë fëmijë.  Në vitin 2013, pati më shumë se 310.000 raste të sëmundjeve me origjinë nga ushqimet të raportuara vetëm në Bashkimin Europian, të cilat sollën 322 vdekje. Çdo vit, në BE raportohen më shumë se 85.000 raste salmoneloze, me një kosto prej më shumë se 3 miliardë eurosh. Studimi i fundit i ISSH-së vitit 2014 në vend, theksonte se rreziqet e lidhura me dietën ushqimore përbënin 38% të nivelit total të vdekshmërisë në Shqipëri, duke u bërë, për nga madhësia, faktori më i rëndësishëm i rrezikut në shoqërinë tonë tranzitore.

TemaTv

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.