Garniturë diplomatike me sallatën e pronave

Postuar në 28 Mars, 2018 12:29

Ambasadorja e Bashkimit Europian në Tiranë, Romana Vlahutin ka nisur një fushatë takimesh me qytetarët për të dëgjuar siç tha shqetësimet e tyre në lidhje me çështjet e pronësisë.

“Prona private është e drejtë themelore e njeriut dhe për ne si BE është e panegociueshme. Gjatë 27 viteve të fundit, edhe më parë ka pasur një kaos që është shkaktuar për çështjen e pronësisë. Pas reformës në drejtësi, kjo është reforma tjetër më e rëndësishme për shqiptarët”-deklaroi zonja ambasadore në krah të ministres së Drejtësisë gjatë një takimi në Vlorë.

Këto takime vijnë në një kohë që qeveria ka avancuar me propozime ligjore që janë kundërshtuar nga pronarët edhe në rrugë kushtetuese, aq më tepër që pritet një vendim i Gjykatës së Strasburgut për këtë çëhtje.  Përveç kësaj qeveria përmes dy VKM-ve ka ndryshuar brenda një periudhe të shkurtër formulën e llogaritjes së kompesimit financiar ndaj ish-pronarëve, madje duke bërë oferta të tipit bankar me opsione për heqjen dorë nga kompesimi fizik  në këmbim të përfitimit më të madh financiar dhe në një kohë më të shkurtër.

“Ka një problem me ish-pronarët që për 27 vjet nuk regjistrojnë prona, që të afërimit e tyre i kanë pasur për 300. Dhe kjo është pika nga do të fillojmë. Mesazhi që mora nga qytetarët që është që kjo ka një rëndësi të jashtëzakonshme sepse përbën bazën e demokracisë jo vetëm për BE, por edhe për demokracinë në vetvete”- ka deklaruar Vlahutin.

Por kujt i shërbejnë këto takime të zonjës ambasadore kur qeveria po operon me një ligj dhe një standard që zor se e gjen në vendet europiane, të cilat Vlahutin përfaqëson. Zonja ambasadore duhet ta dijë se është ligji që vepron dhe për këtë nuk ka patur ndonjë deklarim apo sugjerim të bazuar mbi shqetësimet e qytetarëve.

Impresioni se qeveria po zgjidh çështjen e pronave ndoshta legjitimon disa arrestime por nuk e zgjidh këtë çështje  bazuar në të drejtën e pronës. Ose zonja Vlahutin është e painformuar se çfarë po ndodh me kthimin e pronave ose është e angazhuar të ndihmojë qeverinë në fushatën e saj publiçitare para hapjes së negociatave.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.