"Lista Serbe" del nga qeveria e Kosovës. Spekullime të shumta për ndalimin e Gjuriç

Postuar në 27 Mars, 2018 15:01

Ndalimi në mënyrë demonstrative në Mitrivicë i zyrtarit serb, Marko Gjuriç, ka provokuar reagimet e para. Lista Serbe është tërhequr nga qeveria e Kosovës, ndërkohë që skenarët që hapen si pasojë e asaj që ndodhi janë disa. Vetë kryeministri Ramush Haradinaj, ka mohuar se ai do të japë dorëheqjen. Pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë, ai ka bërë të ditur se arrestimi i Gjuriç nuk ka të bëjë me përkatësinë e tij, por me shkeljen e ligjit, pasi atij nuk i ishte dhënë leja për të hyrë në Kosovë.

Veprimi i djeshëm s’ishte i drejtuar kundër serbëve të Kosovës e as komunitetit politik në Kosovë, pos për ata që kanë shkelur ligjin. Është procedurë standarde. Është e pakuptueshme marrja e këtij vendimi, sepse është zbatuar ligji. Ka pas rast kur në emër të ligjit janë tërhequr zvarrë liderë. Dorëheqje s’e kam plan me dhënë. Do të vazhdoj punën. Nuk kam fjalë për ata që hyjnë e dalin

tha ndër të tjera Haradinaj.

Ai e ka cilësuar të nxituar deklaratën e Listës Serbe për shpalljen e Asosacionit të Komunave në mënyrë të njëanshme, duke nënvizuar se “nuk është mirë të testohet pa kufi durimi i tjetrit”.

Dhe lidhur me këtë çështje, një tjetër version jepet nga Visar Ymeri, që bën pjesë te Grupi i Deputetëve të Pavarur. Ndonëse e cilëson të drejtë dhe të ligjshëm ndalimin e Marko Gjuriç, Ymeri shton se “arrestimi koinçidon me ditën kur Presidenti Thaçi, pas takimeve me Vuçiqin, herë të fshehta e herë publike, e inicoi procedurën e ringjalljes së Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe”.

“Ky aksion policor, gjithnjë duke e kujtuar atë të korrikut të vitit 2011, më shumë se avancimit të sovranitetit i ngjanë parapërgatitjes për negociata. Në këtë drejtim, në vend se të funksionalizohet Republika e Kosovës, rrezikojmë ta funksionalizojmë dialogun e Thaçit, i cili, sikur në të kaluarën, e rrezikon Republikën”, vijon Ymeri në rrjetet sociale.

Vetë Gjuriç duket se është viktima e një loje politike që ende mbetet e padeshifruar mirë. Ai ka vazhduar të luajë serbin e dhunuar dhe të poshtëruar nga shqiptarët, kur në një konferencë për shtyp në Beograd deklaroi se “policët më kanë rrahuar gjatë shoqërimit, këndonin “Allahu Akbar” dhe bënin selfie”.

Vendimi i Listës Serbe është mbështetur nga presidenti i Serbisë Aleksander Vuçiç, që ka zhvilluar një takim me përfaqësues të saj. Sipas palës serbe, krijimi i Asosacionit është detyrim i marrëveshjes së vitit 2013, arritur në Bruksel dhe ajo ende nuk është përmbushur.

Është për t’u shënuar se dje, qoftë nga pala serbe, qoftë nga ajo shqiptare, prononcimet kryesore u bënë nga dy presidentët, Thaçi dhe Vuçiç për të cilët po spekullohet se kanë patur takime sekrete.

Ngjarja është dënuar nga përfaqësues të BE-së dhe SHBA-së por jo përmes deklarimeve të posaçme zyrtare dhe për këto sjellje dje Vuçiç ka hamendësuar se akti i ndalimit ka patur sponsorizim nga Perëndimi.  Po kështu bie në sy heshtja e plotë e Tiranës zyrtare për këtë ngjarje, sidomos e qeverisë, kryeministri i së cilës nuk lë rast pa komentuar zhvillimet në Kosovë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.