Sharmi makabër i ngjyrës vjollcë

Postuar në 26 Mars, 2018 16:00
Bard Camaj

Në sfondin e një tabele reklamash buzë rruge të një qendre tregtare, mbi të cilën reklamohen ulje drastike të stinës dominon ngjyra vjollcë. Një kompani e njohur eventesh njofton zhvendosjen e zyrave të saj pesëdhjetë metra më tutje. Shigjeta që tregon rrugën për tek zyrat e reja është vjollcë. Vjollcë është xhamllëku i një agjensie funerale, ashtu siç janë fasadat e do zyrave elektorale në katet e para të pallateve të periferisë, që të ftojnë të votosh për kryetarin e ri të Bashkisë, ndonëse zgjedhjet kanë muaj që kanë përfunduar. Ngjyra vjollcë është moda e fundit në kryeqytet, e cila si çdo gjë me rëndësi mbërrin tepër vonë, si për të lajmëruar një mort që në fakt ka ndodhur prej kohësh. 

Duket se tregtarët e kanë kapur më së miri shpirtin e kohës: simboli i kësaj fryme është ngjyra vjollcë, është epoka e dominimit politik të Edi Ramës, i cili përveç kësaj nuance-flamur të pushtetit të tij, shpiku edhe diversionin pervers ndaj të vetmit koncept që deri tash vonë ishte i papërlyer në psikën kolektive të shqiptarëve: Rilindjen sipas modelit të tij. 

Për pasojë edhe termi "Rilindje" nuk e ka më tërheqjen e dikurshme, apelin gjithëpërfshirës e sublim rreth të cilit shqiptarët ndiheshin së bashku pa dallim feje, ideje a bindjeje politike. Tashmë edhe Rilindja është zhyer në vjollcë, duke u shëndrruar kështu në simbol të talljes me çka është e shenjtë, i korruptimit, i luftës së pandalur e të pangijshme për pushtet.

Mes të kuqes dhe blusë, vjollca mund të interpretohet si një rrugë e mesme, si një neutralitet ideologjik. Ndërsa në kontekste të caktuara kulturore e historike ngjyra vjollcë është simbol i xhelozisë, manisë perandorake për të sunduar, shpagimit obsesiv nga një dhunë e gjatë. Nëpër bordello dekorimet murale promovojnë luksin e pacipë, si një nxitje e klientëve që aty çdo mëkat është i lejuar(me kusht që të paguash shumën e duhur .) Por vështirë se magjepsja e shqiptarëve me ngjyrën vjollcë të ketë lidhje me ndonjë simbolikë apo ideologji të caktuar.

Është më shumë shfaqje ciklike e shpirtit tregtar, një instinkt mbijetese i shqiptarëve nepërmjet identifikimit dhe asocjimit me më të fortin, kaçakun, cubin. Chic-u i parezistueshëm i pushtetit për një brez të mundur e të nënshtruar si një formë e sofistikuar por efikase përshtatjeje e pajtimi me të keqen.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.